.

Ambasada e SHBA kthen përgjigje për Tom Doshin, Prokuroria: Presim informacion dhe nga Interpol

Ambasada amerikane në Tiranë i është përgjigjur prokurorisë shqiptare në lidhje me kërkesën e bërë mbi pastërtinë e figurës së kandidatit Tom Doshi, dhe mbi të dhënat që disponon Departamenti i Shtetit në lidhje me ndonjë veprimtari të jashtëligjshme të kreut të PSD-së.

Lajmi bëhet i ditur për “BalkanWeb” nga gazetarja Klodiana Lala. Prokuroria i kërkoi ambasadës së SHBA informacion për Doshin, pas nisjes së hetimit të thelluar për kandidatin në zgjedhje, për dyshime se preket nga ligji i Dekriminalizimit.

Ndërkohë, mësohet se Prokuroria është shprehur se “Për Doshin presim përgjigje edhe nga Interpol”. Tom Doshi garon në Tiranë dhe në Shkodër në siglën e PSD.

Kujtojmë se DASH e ka futuar në “listën e zezë” Doshin, ndërsa ambasadorja Yuri Kim është treguar e ashpër në deklaratat ndaj tij, duke kërkuar që të mos kandidojë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.