.

Ja kur do të hidhet në qarkullim kartëmonedha 10 mijë lekëshe

Brenda muajit qershor Banka e Shqipërisë pritet të hedhë në qarkullim kartëmonedhën e re të prerjes 10 000 lekë.

Kjo është prerja më e madhe e parasë e përdorur ndonjëherë për monedhën shqiptare.

Ajo do të pasqyrojë figurën e poetit të njohur shqiptar, Asdrenit, kombinuar me simbolet figurative të Flamurit Kombëtar, si dhe një varg të zgjedhur nga ‘Himni Kombëtar’por imazhi i saj nuk është bërë ende publik.

Nga ana tjetër, BSH është gati të nënshkruajë kontratat me kompanitë fituese për prerjet 500 lekë dhe 2000 lekë të cilat sipas saj do të hidhen në treg deri në fund të këtij viti.

Ato janë me elementë më të shumta sigurie, më cilësore dhe më të modernizuara.
Në raportimin vjetor për Kuvendin e Shqipërisë, banka qendrore bën të ditur se po vazhdon procesin e rinovimit dhe përmirësimit të cilësisë së kartëmonedhave me qëllim forcimin e elementeve të sigurisë dhe dizajnit.

Ndërkaq prerja 200 dhe 5000 Lekë u hodh në qarkullim në 30 shtator të vitit 2019, ku sipas të dhënave të bankës qendrore deri në fund të vitit 2020, 70% e kartëmonedhave 200 lekë që qarkulloi ishin të serisë së re, dhe 25% e 5000 lekëshit që ishte në treg i përkiste po ashtu serisë së re.

Në fund të vitit 2020, numri i kartëmonedhave në qarkullim ishte rreth 156 milionë dhe ishte rritur me rreth 10.3% në krahasim me vitin 2019./SI