.

Shpërthejnë dy granata dore në Prishtinë, policia jep detajet

Policia e Kosovës ka bllokuar zonën rreth një hoteli , pasi dyshohet se në afërsi të tij janë hedhur dy granata dore. Lajmin e ka konfirmuar për mediat zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Rreth orës 22:00 është raportuar se në rrugën ”Asllan Pireva” në Prishtinë janë dëgjuar detonime. Informacionet e para flasin për shpërthimin e dy mjeteve shpërthyese të cilat fatmirësisht nuk kanë shkaktuar pasoja në njerëz përveç dëmeve materiale”, ka konfirmuar Borovci.

Policia është në kërkim të tre të dyshuarve, të cilët besohet të kenë hedhur granatat. Policia e Kosovës ndodhet në vendin e ngjarjes dhe është duke e menaxhuar situatën.

“Aktualisht të gjitha njësitë e nevojshme policore për të menaxhuar me situatën dhe hetuar rrethanat e rastit janë në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë veprimet e duhura policore”, u shpreh Borovci.