.

Sillet me helikopter nga Franca, shtrohet sërish në spital Silvio Berlusconi

Një tjetër shtrim në spitalin “San Raffaele” të Milanos për Silvio Berlusconin.

Kreu i Forza Italia dhe ish kryeministri i Italisë, siç raportojnë mediat në shtetin apenin, mbërriti në spital me helikopter nga Franca, ku ai po kalonte pushimet në rezidencën e vajzës së tij Marina.

“Kavalieri” la spitalin San Raffaele më 24 Mars, raporton Ora News.

Gjendja shëndetësore e Silvio Berlusconit

Në muajin janar të këtij vitit, Berlusconi u shtrua në spitalin Cardio Thoracic Center të Principatës së Monakos. Sidoqoftë, pas disa ditësh, ai u kthye në shtëpi, në Valbonne (në Provence), në vilën e vajzës së tij të madhe, Marina.

Mjeku i tij personal, Alberto Zangrillo do të shprehej se ish kryeministri do të shtrohej në Mynih për “një problem aritmologjik të zemrës”.

Në fund të verës së kaluar, ish-kryeministri u prek edhe nga Covid-19 dhe u shtrua në spital në 3 shtator për shkak të pneumonisë bilaterale. 11 ditë më vonë, kur la spitalin, ai falënderoi mjekët dhe stafin mjekësor të spitalit: “Kam kaluar atë që unë e konsideroj ndoshta testin më të rrezikshëm të jetës time”.

Kujtojmë se më 29 shtator të këtij vitit Berlusconi feston 85-vjetorin e lindjes.