.

Rama-kontrollorëve: Kush nuk kthehet në punë nesër, s’do gjejë më vend në Albcontrol

Pas shumë debatesh, akuzash dhe kundër akuzash, vjen një tjetër reagim nga kryeministri Edi Rama për protestën e kontrollorëve të Albcontrol. Përmes një mesazhi në Twitter kreu i qeverisë ka paralajmëruar kontrollorët që të ndahen nga ata që iu futën një loje të çmendur me zjarrin dhe të paraqiten në punë ditën e nesërme.
Mes të tjerash ai iu bën thirrje kontrollorëve që të distancohen nga ata që janë kallëzuar penalisht.
Kujtojmë se për këtë protestë që solli pezullimin e fluturimit të linjave ajrore dalëse dhe hyrëse në të vetmin aeroport ndërkombëtar që kemi në territorin tonë, solli reagimin e presidentit Ilir Meta, krerëve të opozitës, por dhe të Unionit Europian i Kontrollorëve Ajrorë.
MESAZHI I RAMËS
Apel për kontrollorët e Rinasit: Ndahuni nga ata që ju futën në këtë lojë të çmendur me zjarrin! Braktisini në rrugën e tyre qorre organizatorët e kallzuar penalisht! Kush nuk kthehet në punë nesër, nuk do gjejë më vend në Albcontrol. Koha e Rrumpallës ka vdekur dhe nuk kthehet!