.

Dikur punonte si truprojë në një klub nate/ Të pathënat mbi Papa Françeskun

Nuk është gjithmonë e qartë se çfarë bën tamam një Papë, por shumë njerëz duket se bien dakord mbi mënyrën sesi po e drejton Kishën kreu aktual Papa Françesku. Njeriu i lindur si Jorge Mario Bergolio, e ka pasur pjesën më të madhe të punës së tij para-papnore në Argjentinën e tij të lindjes.

Kur u zgjodh në krye të Selisë së Shenjtë në vitin 2013, ai kishte krijuar tashmë imazhin e një kleriku të përulur dhe shumë popullor tek njerëzit. Qeverisja e tij si Papë, ka qenë një periudhë interesante dhe plot ngjarje. Por shumë njerëz mund të mos dinë disa nga pak gjërat e njohura në lidhje me jetën e tij.

Dikur punonte si truprojë në një klub nate

Papët priren të jenë mjaft të moshuar dhe si të tillë nuk vlerësohen për aftësitë e tyre fizike. Por kur e sheh Papa Françeskun jashtë kontekstit papal, ai është një burrë me shpatulla shumë të gjera, gjë që tregon se mund të ketë qenë shumë i fuqishëm në rininë e tij. Dhe në fakt, kur ishte i ri Jorge Mario Bergoglio i pagoi studimet e tij duke punuar si një truprojë në një klub nate në qytetin e tij të lindjes Buenos Aires.

Papa Françeskut i është hequr një pjesë e mushkërive

Papa ka humbur një pjesë të mushkërisë së tij të djathtë kur ishte i ri. Kjo gjë u raportua vetëm kur ai u bë Papë. Ai ishte vetëm 21 vjeç kur përfundoi në një ventilator pas një diagnostikimi të gabuar, dhe mushkëria e tij e djathtë do të duhej të pastrohej nga rreth treçerek litri lëng përpara se një pjesë e saj të hiqej krejtësisht. “Për muaj të tërë nuk e dija se kush isha, nëse do të jetoja apo vdisja, madje as mjekët nuk e dinin. Mbaj mend që një ditë e përqafova nënën time dhe e pyeta nëse do të vdisja”- deklaroi Fraçesku vitin e kaluar në fillim të pandemisë, e cila godet pikërisht më shumë mushkërinë. Sot efekti i vetëm anësor është se ai ka më pak kapacitet në mushkëri sesa një person mesatar.

Është një adhurues i madh i tangos

Papa është një fans i madh i vallëzimit, dhe sipas Agjencisë Katolike të Lajmeve ai e sheh atë si një zgjatim dhe shprehje mjaft thelbësore të lumturisë së një personi. “Më pëlqente të isha së bashku me fëmijë të tjerë, duke luajtur … duke kërcyer vallëzimet tona tipike nga Argjentina”- kujton ai. Kur Françesku mbushi 78 vjeç në vitin 2014, festimet përfshinë kërcime tangoje në Sheshin e Shën Pjetrit, me pjesëmarrjen e qindra balerinëve.

Profesioni i dikurshëm ishte ai i kimistit

Kur ishte ende i ri Jorge Mario Bergoglio, studioi në një shkollë teknike dhe mori një certifikatë si një teknik kimik. Ai madje punoi disa kohë si i tillë. Më pasPapa ndoqi karrierën e tij kishtare duke braktisur kështu interesat e tij të hershme shkencore. Në vitin 2015, mediat spekuluan se Françeskut kishte një diplomë master në kimi. Por më pas u vërtetua se diploma që ai ka është në të vërtetë një titull shkencor që ka marrë në Argjentinë që qëndron diku midis një diplome të shkollës së mesme dhe një diplome universitare.

Papa nuk sheh televizor

Sipas NBC News data 15 korrik i vitit 1990 ishte një datë e rëndësishme në jetën e Jorge Mario Bergoglio:ajo ishte hera e fundit kur ai pa televizor. Edhe pse Papa mesa duket ka gjëra më të mira për të bërë sesa të ndjekë emisionet televizive, ai thuhet se shkoi aq larg sa i premtoi virgjëreshës Mari se nuk do të shihte më televizor, dhe prej gati 31 vitesh po i qëndron atij betimi. Në fakt, Papa nuk shmang vetëm ekranin e vogël. Edhe pse e ka quajtur internetin “një dhuratë nga Zoti”, raportohet se ai nuk e përdor fare personalisht, dhe në përgjithësi shmang shumicën e mediave, megjithëse ia lejon vetes të shfletojë për 10 minuta gazetën italiane “La Repubblica” si pjesë e rutinës së tij të mëngjesit.

Jeton në një apartament të vogël

Vatikani është një vend shumë mbresëlënës. Por kjo nuk do të thotë se Papa jeton në një pallat të madh. Ai ka në dispozicion shumë banesa, por e bëri të qartë që në fillim se nuk do të jetonte në Pallatin Apostolik, ku apartamentet luksoze papnore gjenden në katin e fundit. Në vend të dhjetëra dhomave të lavdishme që kanë pamje të mrekullueshme, ai u transferua në një apartament modest me 2 dhoma në ndërtesën Domus Santa Marta pranë Bazilikës së Shën Pjetrit. Edhe kur ishte kryepeshkop i Buenos Airesit, zgjodhi të qëndronte jashtë Pallatit të Peshkopit duke bërë një jetë më modeste./CNA.al