.

Tmerr në një familje në Tiranë/ Burri shkel urdhrin e mbrojtjes dhe tenton të vrasë me thikë gruan

Policia e Tiranës ka parandaluar përshkallëzimin e një konflikti në familjet dhe ka vënë në pranga një 41-vjeçar. Ai akuzohet për dhunë në familje, ndërsa kishte shkelur urdhrin e mbrojtjes dhe po rrihte dhe kërcënonte me thikë bashkëshorten e tij.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas njoftimit të marrë se në Yrshek, në ambientet e banesës, shtetasi Ç. M. kishte shkelur urdhrin e mbrojtjes të vendosur nga Gjykata për bashkëshorten e tij dhe po ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj, si dhe po e kërcënonte atë me thikë, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës dhe ngjarjen e mundshme kriminale.
Shërbimet e Policisë kanë prangosur shtetasin Ç. M., 41 vjeç, si dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjetin prerës (thikë), me të cilën ky shtetas e kërcënonte për ta vrarë bashkëshorten e tij” thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.