.

Rama flet për Durrësin si pikë graviteti: Jetëson vizionin tonë për Shqipërinë e 2030


Ka nisur procesi i garës ndërkombëtare për projektin për rritjen e kapaciteteve të energjisë diellore, me Parkun e Ri Fotovoltaik të Spitallës, në zonën e ish-kënetës së Durrësit, ku së shpejti do të hapet edhe gara ndërkombëtare për portin e ri të mallrave dhe zonën ekonomike duke e cilësuar një kthim të qyteti bregdetar në pikë graviteti.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama teksa tha se pas suksesit me ankandin për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik të Karavastasë, ku së shpejti nis ndërtimi nga kompania franceze Voltalia, ky është një tjetër investim strategjik në sektorin energjetik shqiptar dhe njëkohësisht një investim madhor për Durrësin, si pjesë e vizionit për Shqipërinë e 2030.

“Së shpejti do të fillojë puna në kantierin e parë të energjisë diellore në Shqipëri. Ky park fotovoltaik në zonën e Spitallës është pjesë e mozaikut që jetëson vizionin tonë për Durrësin e 2030 dhe Shqipërinë e 2030. Në këtë zonë, e cila prej shumë e shumë vitesh e parë si periferi ku ka pasur hapësirë vetëm për ndërtime kaotike.
Porti i ri i mallrave për të cilin së shpejti do të hapet gara ndërkombëtare dhe do të mundësojë transferimin e gjithë aktivitetit kaq shumë vjeçar të transportit detar të mallrave në zemër të qytetit për t’i hapur rrugë transformimit të portit aktual në port turistik që do i japë Durrësit magnetin e fuqishëm jo vetëm për të tërhequr më shumë turistë por edhe do të mundësojë një fuqi të shtuar tërheqëse të Durrësit si një pikë referimi në Mesdheun turistik. Në anë të këtyre zhvillimeve, pjesë e këtij mozaiku është dhe zona e re e lirë ekonomike. Është synuar herë pas here të shkohet përpara dhe ne vetë kemi bërë në të shkuarën 2-3 hapa për të shkuar përpara por nuk kemi pasur sukses për shkak të mungesës së interesit. Tani shohim që interesi është i lartë edhe pse kjo periudhë e pandemisë ka frenuar dhe bllokuar shumë procese.
Mbrëmë kemi konkorduar dhe marrëveshjen me Emiratet e bashkuara për lagjen e re të financuar prej tyre në zonën e Spitallës dhe ndërtimet në qytet ku është vendosur se ndërtimi do të bëhet aty dhe kjo lagje është ana tjetër e kësaj medalje të bukur që sot u bë e dukshme për të gjithë me fillimin këtij procesi kaq të rëndësishëm”, deklaroi Rama.