.

Vijon “telenovela”, shtyhet mbi 40 herë gjyqi ndaj Emiliano Shullazit

Shtyhet sërish gjyqi në Gjykatën e Posaçme të Apelit ndaj Emiljano Shullazit dhe katër të dënuarve të tjerë të cilët dyshohen se janë pjesë e bandës së tij.
Sipas informacioneve të para, mësohet se gjyqi i sotëm është shtyrë pasi avokatët mbrojtës nuk ishin prezentë.
Që prej nisjes së procesit në dhjetor të vitit 2018, numri i seancave të shtyra në Apel është mbi 40, duke futur gjyqin në ngërç.
Në vitin 2018 Emiljano Shullazi, Blerim Shullazi, Gilmand Dani, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela u dënuan me 55 vite burg – 14 vite vetëm për Emiljano Shullazin – me akuzat: grup i strukturuar kriminal, shkatërrim pronash me eksploziv, marrje prone nën kërcënim dhe dhunë ndaj biznesmenëve Ylvi Beqja, Jani Zaka dhe Adriatik Kërcuku.
Çështja është apeluar dhe prej janarit 2019 grupi mbetet në paraburgim.