.

Basha përshëndet deklaratën e Varhelyit për Kodin Zgjedhor: Mbështes apelin e komisionerit

Kreu i PD-së Lulzim Basha është informuar ‘live’ për deklaratën e komisionerit për zgjerimin Oliver Varhelyi teksa ka përshëndetur qëndrimin e tij.
“Deklarata e komisionerit duhet të jetë e tanishme. Është e qartë, e përshëndes deklaratën e komisionerit për zgjerim. Rishpreh shqetësimin e thellë të BE-së dhe partnerëve tanë për shkatërrimin e klimës parazgjedhore dhe përpjekjen e Edi Ramës për të manipuluar sistemin para zgjedhjeve të ardhshme.

Përsëris qëndrimin e PD para dhe pas dekretit të Presidentit Meta që kjo është një goditje e rëndë ndaj shanseve të Shqipërisë për integrimin europian dhe përgjegjësi është vetëm një. Ai që ka vënë xhepat e tij dhe të hajdutëve të tij para shqiptarëve tani po vendos pushtetin e tij dhe frikën e largimit nga pushtetit para integrimit europian të vendit dhe një klime të qetë zgjedhore. Pa diskutim e mbështes këtë apel të komisionerit Varhelyi në emër të KE dhe shpresoj që Komisioni i Venecias të ndërhyjë për të treguar fare qartë atë që ne demonstruam gjatë gjithë këtyre muajve në tryezën e Këshillit Politik se ne ishim të përkushtuar për standarde zgjedhore dhe Edi Rama ka një tmerr të papërshkrueshëm nga procesi i ardhshëm zgjedhor dhe për këtë arsye ka shkelur dhe ka dhunuar standardet minimale zgjedhore që Europa i konsideron të domosdoshme për zgjedhje demokratike”, deklaroi Basha.