.

“Vallëzuam tango treshe, deri te Presidenti”, Alket Hyseni flet për Kodin Zgjedhor: Përgjegjës janë PD-LSI

Deputeti i Kuvendit, Alket Hyseni në fjalën e tij gjatë seancës së sotme kërkoi miratimin e Kodit Zgjedhor nga të gjithë deputetët.

Ai tha se sot PS-ja nuk mund të krenohet me shumë gjëra që nuk kanë ndryshuar, por shtoi se përgjegjës për Kodin që votohet sot janë PD-LSI që me marrëveshjen e 5 qershorit e lanë sistemin zgjedhor siç është.

“Ju kishim bërë një propozim shqiptarëve që do e ndryshonim sistemin, por këtë kusur e kemi nga PD dhe LSI, se s’kanë guxim t’ju lënë shqiptarëve në dorë numërimin e zgjedhjeve, i propozuam numërim nga mësuesit, jo na thanë se i keni ju në bordero, nga profesionet e lira, jo, nga mjekët e infermierët, jo thanë se edhe ata janë me rrogë, dhe pensionistët thonë prapë janë tuajt. Më mirë se shqiptarët nuk do gjenin.

Vijojnë të ngulin këmbë të gjejnë alibira t’i përdorin një ditë pasi të vulosin humbjen e tyre. Ne i lëmë të lirë të mendojnë, por të mos na pengojnë punën tonë. Jemi jo komod para shqiptarëve sidomos atyre jashtë Atdheut që votën ta hidhnin atje ku janë, por ata (PD-LSI) na penguan, na pamundësuan votën e emigrantëve atje ku janë. Jemi jo komod para shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, se i marrim për këshilltarë dhe nuk ua dëgjojmë këshillat. Nuk na la opozita e rrugës me 5 qershorin që të adresojmë gjëra si në vendet demokratike perëndimore.

Administrata e KQZ nuk është apolitike por ndërtimi me 3 blloqe do sjellë një administratë me efikase. Lirshëmëri do i japin procesit dhe kujtdo që mendon se i është cënuar qoftë edhe një fije nga të drejtat e tij. Krenohemi me votën preferenciale. Këtë futëm edhe në Kushtetutë, tashmë 100% e emrave në listë i nënshtrohen votës preferenciale. Janë votuesit që vendosin më të mirin dhe më të denjin. Ne nuk mund të pretendojmë se kemi bërë atë që donim vetë dhe më të mirën e mundshme ndaj thashë nuk jemi komod. Kjo për shkak të momentit dhe vallëzimit dysh me opozitën e rrugës, madje ne jemi rasti kur kemi vallëzuar tango treshe edhe me Presidentin.

Kjo ishte më e mira e mundshme. I premtojmë shqiptarëve që në përfundim të zgjedhjeve të japin votën masive për PS. Pas kësaj do ju kenë rënë pendët atyre që pretendojnë qiqra në hell, të ulemi të bëjmë një kod më të mirë, të drejtë dhe të ndershëm”,- tha ai.