.

“Nuk e vutë ujin në zjarr”, Gjuzi i revoltuar: PS të tërhiqet nga votimi për Kodin Zgjedhor, nuk na morët parasysh

Deputeti Kujtim Gjuzi është shprehur sot kundër votimit që pritet të ndodhë për ndryshimet kushtetuese të Kodit Zgjedhor. Ai tha se propozimet e 7 partive parlamentare nuk u morën parasysh nga mazhoranca dhe se ky kod nuk mund të votohet kështu siç është.

“Në qershor 7 parti politike ju dorëzuan amendamente për Kodin Zgjedhor, nuk e vutë ujin në zjarr. Mora pjesë edhe në mbledhjen e komisionit të ligjeve ju vijoni të kontrolloni çdo gjë e më ndërprisni fjalën. Nëse nuk vendosni të zbatoni kërkesat e ODIHR që do komisionerë jo partiakë dhe do më shumë bashkëpunim mes palëve, ju po shkoni drejt diktaturës.

Është përgjegjësia juaj në lidhje me çka kërkoj. Kolegët e mi propozuan që kryetarët të jenë në 12 prefektura, ky propozim është në konflikt të hapur interesi. Sot po shkojmë drejt një mashtrimi, PS të mos e votojë sot këtë Kod. Të mblidhet një tryezë më e madhe që situata të mos jetë më e ndezur. Ndryshe do ketë kaq shumë probleme, përgjegjësinë për të cilën do ta mbani ju (Ruçit), që tani do jeni i propozuar në qarkun Fier. Në zyrë më keni thënë do i merrni parasysh të gjithë. Kjo është skandaloze”,- tha Gjuzi.