.

Edhe brenda LSI ka më shumë demokraci se PS”, Gjoni kujton sherrin me Valterin: E kujtuat se për çfarë lojëra e kisha fjalën?

Deputeti i opozitës parlamentare, Ralf Gjoni ka folur në Kuvend për ndryshimet kushtetuese në Kodin Zgjedhor duke akuzuar mazhorancën se ka mashtruar 80% të shqiptarëve që duan Listat e Hapura.
Gjoni kujton sherrin me Halit Valterin në korrik duke theksuar se tani u kuptua se për çfarë lojërash po fliste ai.
Po ashtu ai shton se gjysma e socialistëve janë kundër ndryshimeve në Kodin Zgjedhor pasi i shkruajnë në privat mesazhe, por sërish do i votojnë.

Gjoni kërkon që opozita parlamentare të votojë kundër për të treguar veten si dhe shton më tej se PS është katandisur në atë ditë sa edhe brenda LSI ka më shumë demokraci.

”Më mbante vetëm një shpresë, shpresa se do kishim bashkëpunim në Kuvend, për të arritur 2-3 gjëra të mira për popullin.
Mund të arrinim të gjenim dakordësinë me mazhorancën për të ndryshuar Kodin dhe sistemin. Me këtë besim më 17 janar kam qenë propozues i një nisme ligjore që mbështetet mbi 50 mijë qytetarë.

Në korrik mediat u përqëndruan tek një sherr mes meje dhe Halit Valterit, sepse bëra thirrje për lojëra politike. I cilësova ndryshimet kushtetuese si lojëra. Halit e kuptove. Çdo lojë e kthejnë në mashtrim patologjik. PS ka luajtur dhe urinuar dhe është tallur me besimin tonë. Me shpirtin bashkëpunues. Mbi të gjitha z,Ruçi PS po tallet me mbi 80% të elektoratit shqiptar që mbështesin Listat e Hapura dhe Reformë Zgjedhore të mirëfilltë.

Janë disa fishekë që do i ruaj më vonë, më vjen keq që Rama nuk është këtu. E transeksualizuat procesin. Si një transeksual. Që ndërron gjini, dhe rikthehet më pas sërish në gjininë e tij. Vijoni me zullumet tuaja.

Kam një pyetje për ju Ruçi, personalisht, ku është PS sot? Çfarë ndodhi me PS e Arta Dades, Fatos Nanos, Mimoza Hafizit, Ben Blushit. Ju garantoj se dhe LSI ka më shumë demokraci të brendshme se ju sot. Gjysma na thoni në privat se nuk jeni dakord me këtë. Por do e votoni. Më vjen keq z.Ruçi. Do kontestohet në Gjykatën Kushtetuese.”- tha Gjoni.