.

Si do të funksionojë karantina në hotele? Udhëzimi:Ja sa do paguajnë individët në ditë për shërbimin ‘all inclusive’

Në Fletoren Zyrtare është miratuar udhëzimi për mënyrën e organizimit të akomodimit të përkohshshëm të personave që riatdhesohen si rezultat i gjendjes së shkaktuar nga COVID-19.

Referuar udhëzimit, akomodimi i përkohshëm i personave të riatdhesuar bëhet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Brendshme.

“Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, pas evidentimit nga Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA) dhe Unioni Turistik Shqiptar (UTSH), përzgjedh strukturat akomoduese ku do të kryhet akomodimi i përkohshëm i personave dhe ia përcjell për miratim Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile.

Shpenzimet e akomodimit të përkohshëm të të riatdhesuarve mbulohen një pjesë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe pjesa tjetër nga personi i riatdhesuar, sipas përcaktimeve të rregullores që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Vetëm për strukturat akomoduese, që kanë marrëveshje me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, do të kryhen pagesat nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, sipas marrëveshjes tip, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij” përcaktohet në udhëzim.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kujdeset për shëndetin e personave të riatdhesuar dhe merr masa për respektimin e kushteve që duhet të ndiqen në përputhje me aktet ligjore/nënligjore në kuadër të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19.

Ministria e Brendshme, nëpërmjet Policisë së Shtetit, merr masat e nevojshme për shoqërimin e personave të riatdhesuar në strukturat akomoduese dhe siguron moslargimin e tyre nga këto struktura, sipas procedurave dhe afateve të përcaktuara në aktet ligjore/nënligjore në kuadër të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19.

Akomodimi i përkohshëm ‘all inclusive’ në strukturat akomoduese, në funksion të këtij procesi, për personat e riatdhesuar përfshin:

a) fjetje;

b) 3 (tre) vakte ushqim;

c) drita;

ç) ujë;

d) ngrohje;

dh) siguri;

e) pastrim;

Pagesa për akomodimin e përkohshëm është 2.500 lekë në ditë për person, përfshirë TVSH-në, nga të cilat 1.700 lekë paguhen nga buxheti i shtetit dhe 800 lekë nga personi i riatdhesuar, sipas vendimit të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile.

Vlera e pagesës nuk mund të jetë më e madhe se 2.500 lekë në ditë për person, përfshirë TVSH-në.

Nëse subjekti privat shpreh pëlqimin, për shkak të situatës, të ofrojë falas akomodimin e përkohshëm për disa individë brenda struktures së tij, Agjencia Kombëtare e Bregdetit bën zbritjen nga vlera e përgjithshme e faturës. Efektet financiare, sipas këtij neni, do të përballohen nga fondet të vëna në dispozicion nga buxheti i shtetit.