.

Rikthehet Superiorja, java e katërt premton “luftë”

 

Pasi ia la skenën kombëtares kuqezi, për dy kualifikueset e shtatorit, Kategoria Superiore rikthehet në veprim. Më konkretisht, starton sot java e katërt e kampionatit tonë kombëtar, me tri sfida, që do të luhen në të njëjtën orë, prej 16:00.

Në Durrës do të “përplasin brirët” Teuta dhe Vllaznia, e para me 7 pikë deri më tani, ndërsa e dyta me 4 pikë. “Djemtë e detit” janë në të njëjtën “gjatësi vale” me kryesuesit, ndaj synojnë të mos lëshojnë aspak terren në këtë drejtim, aq më tepër që luajnë para tifozëve të tyre.


Kuqeblutë e Mirsad Jonuz duan të konfirmojnë rritjen, me trajnerin maqedonas që paralajmëroi një ditë më parë: Nuk dalim pa pikë nga kjo transfertë. Lufta sportive, më së pari, duket e garantuar në këtë ballafaqim.

Në Gjirokastër do të zhvillohet ndeshja mes “bashkëvuajtësve”. Luftëtari dhe Flamurtari mbyllin renditjen aktuale, pa asnjë pikë në tri javët e para të kampionatit. Dy skuadra të riformatuara tërësisht, kryesisht me elementë të rinj, por shumë vonë.

Pushimi për shkak të kualifikueseve të kombëtares mund t’iu ketë shërbyer disi për t’u rritur fizikisht e koladuar taktikisht, por fushat e blerta do ta tregojë këtë.

Bluzinjtë do të provojnë trajnerin e tretë për këtë edicion. Shkuan deri një ditë para nisjes së kampionatit me Klevis Dalipin, që u tërhoq me polemika nga posti që mbante. Pastaj u vendos në “kullën e regjisë” Klodian Duro, ndërsa sot do të debutojë trajneri grek, Jorgos Marantas.

Shans i mirë për ta prishur zeron në kolonën e pikëve, të dyja palët, dhe mos mbetur si “delja e zezë” e Superiores, deri më tani.

Në kushte të tjera, Tirana-Skënderbeu do të ishte një supersfidë. Megjithatë, gjërat kanë ndryshuar shumë. Bardheblutë janë përforcuar ndjeshëm këtë kampionat, shihen si pretendentë për titull, ndërsa kuqebardhët po përjetojnë “rënien e lirë”, pas dënimit të UEFA-s me 10 vite përjashtim nga Kupat e Europës.

Nëse do të kërkoje për një “gjeneral” te Skënderbeu, mund të identifokoje për të tillë vetëm trajnerin Ilir Daja. Të tjerët janë larguar, edhe drejt Tiranës, sikurse është fjala për Kristi Vangjelin e Tefik Osmanin. E megjithatë, pavarësisht diferencave të emrave në letër, distanca në pikë për momentin është vetëm një pikë. Përplasja e sotme mund t’i konfirmojë më mirë “valencat” e kryeqytetasve dhe të juglindorëve.

Të dielën janë planifikuar dy ndeshjet përmbyllëse të kësaj jave. Partizani shkon në Laç, ku do të ketë si kundërshtar edhe një “komandant” të vetin, Sulejman Starovën. Ky i fundit ka premtuar t’i surprizojë të kuqtë me të tijtë, edhe pse duket se premtimi bombastik i fillimit të sezonit, se kurbinasit do të luftojnë për titull, u revizionua brenda tri javëve të para.

 

Vetëm 1 pikë e marrë deri tani duket shumë pak për dikë që synon mbijetesën, jo më ekstremin e sipërm të renditjes, ndaj nevoja për fitore bëhet jetike për Laçin. Kuptohet, nuk mund të ketë objektiv tjetër edhe për kampionët në fuqi, që duhet t’i bëjnë llogaritë me më tepër rivalitet për “kurorën e mbretit”.

Kukësi duhet të tregojë veten në një transfertë të vështirë. Pavarësisht se debutues, Bylisi ka investuar shumë dhe ka marrë lojtarë të stërkonfirmuar në Superiore.

Fitorja e fundit në Korçë tregon se mallakastriotët nuk do të jenë “kalimtarë” në elitë. Rastin për ta dëshmuar këtë e kanë edhe nesër, ndaj nënkampionëve, që sipas “midesë” së presidentit Safet Gjici, janë të dënuar të fitojnë gjithçka./TS/