.

Jo vetëm kos, këto janë “mrekullitë” e kuzhinës që ju ndihmojnë kundër djegies nga dielli

 

Vera erdhi dhe sapo shkojmë në plazh, të gjithë pësojmë djegie, në rastet kur nuk mbrojmë veten nga temperaturat e larta dhe rrezet e dëmshme të diellit.

Skuqja e trupit është tepër e dhimbshme, ndërsa të gjithë, qoftë edhe një herë, e kemi provuar metodën e vjetër të gjyshes me kos. Mirëpo, nuk është vetëm kosi “mrekullibërësi” i kuzhinës për këtë problem.Ka edhe disa produkte të tjera tepër efektive. Ja cilat janë ato:
Aloe Vera – Xheli i Aloe Verës është zgjidhja ideale në rast se e keni tepruar me qëndrimin në diell pasi përmban antioksidantë që luftojnë inflamacionin e lëkurës. Mund ta aplikoni direkt në lëkurë duke e masazhuar me lëvizje të lehta ose të formoni kuba akulli me xhelin e aloe verës dhe me to të lyeni zonën e djegur. Këshillohet që degët e aloe verës të qëndrojnë fillimisht në frigorifer para përdorimit.
Qumësht – Pse të përdorni kosin kur keni qumështin? Acidet laktike të këtij të fundit hidratojnë lëkurën duke i dhënë ndjesi freskie lëkurës së skuqur. Në një tas shtoni një gotë qumësht të ftohtë dhe 2 filxhanë kafeje ujë. Merrni një top pambuku dhe lyeni lëkurën disa herë në ditë. Përsëriteni trajtimin derisa lëkura të shërohet plotësisht.
Kamomil – Bima e kamomilit ka në përmbajtjen e saj përbërës me veti antiinflamatore dhe qetësuese. Zieni pak çaj kamomili dhe lëreni të ftohet. Më pas lyeni trupin me të. Ju mund të përgatisni gjithashtu kuba akulli me kamomili, të cilat do ju falin një ndjenjë të mrekullueshme freskie gjatë masazhit.