.

Pergjimet/Ironizon Shezai Rrokaj:“Tepsisë i doli shpejt kallaji”

 

Ish-deputeti i LSI-së Shezai Rrokaj ka komentuar sot përgjimet e publikuara një ditë më parë nga e përditshmja gjermane ‘Bild’, lidhur me aferën e shit-blerjeve të votova, të cilat implikonin kryebashkiakun Vangjush Dako me grupin e “Avdylajve”.

Në një postim në ‘Facebook’, Rrokaj komenton tepsinë dhe reputacionin e vendit në botë, për të cilën shprehet se po zvenitet dita-ditës dhe se po i del kallaji.

Rrokaj, i kthehet edhe kërkesave të opozitës asaj të krijimit të një qeverie tranzitore dhe më pas çeljen e negociatave me BE-në, si rrugën e vetme për mirëqenien e vendit.

“Tepsisë i doli shpejt kallaji

Shkëlqimi i ‘Shqipërisë që duam’ po zvenitet dita-ditës, si tepsia së cilës i del kallaji. Droga, korrupsioni, kapja e reformës në drejtësi, mungesa e investimeve të huaja, njëjtësimi i qeverisjes me oligarkët dhe grupet kriminale janë arsye përse qytetarët po largohen dhe përse nuk u çelen negociatat me BE-në as këtë qershor.

Përgjimet vërtetuan konstatimet e bëra nga opozita për krimin elektoral, i cili delegjitimon pushtetin e kësaj mazhorance. Demokracia është vënë pikëpyetje. Zgjedhje si këto që po tregojnë përgjimet, për më tepër, pa opozitën nuk mund të ketë. Është e domosdoshme të rithemelohen shtyllat e demokracisë, duke filluar me zgjedhjet e lira dhe ndërtimin e një shteti funksional. Reforma në drejtësi duhet të rikthehet në korrikun e vitit 2016, kur u votua me 140 vota, për të bërë korrektimet e nevojshme dhe për të ngritur institucionet e drejtësisë si dhe për t’i shpallur luftë pa kompromis krimit të organizuar dhe korrupsionit. Një qeveri tranzitore deri në përmbushjen e këtyre objektivave, përfshirë edhe çeljen e negociatave është e vetmja rrugë.”-shkruan ai.