.

EUROPIANI 2020/ Hidhet sot shorti në Dublin, Shqipëria rrezikon Serbinë në grup

Shqipëria kryqëzon gishtat dhe shpreson që goglat e shortit për eliminatoret e Europianit 2020 të tregohen bujare me të. Sot në Dublin, ora 12:00 Kombëtarja shqiptare do të mësojë kundërshtarët drejt rrugës për të prekur sërish një kompeticion të rëndësishëm si “Euro 2020”.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Kristian Panuçi janë në vazon e katërt të këtij shorti dhe është praktikisht e pamundur që grupi ku do të bëjnë pjesë do të jetë i lehtë. Në letër do të ketë 3 skuadra më të forta dhe një ose dy më të lehta (varet nga grupi me 5 apo me 6 ekipe).
Kosova gjithashtu do të mësojë rivalët e saj, e cila është pjesë e vazos së pestë. “Dardanët” nuk mund të luajnë eliminatoret kundër Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës, ndërsa sfida tjetër e ndaluar nga UEFA është Gjibraltar-Spanjë. Shqipëria mund të luajë ndaj të gjitha skuadrave pjesëmarrëse me përjashtim të atyre në vazon e 4-t. Që do të thotë nuk përjashtohet mundësia e prezencës së Serbisë në grup, pavarësisht atyre që ndodhën në eliminatoret e kaluara.

Por, kuqezinjtë mund të luajnë edhe ndaj Kosovës. Rregullat e shortit Grupet e kualifikueseve do të jenë 10: 5 grupe do të jenë me 6 skuadra, ndërsa 5 të tjerët me 5 skuadra. Dy të parat e 10 grupeve do të kualifikohen automatikisht në Europian (20 skuadra), ndërsa 4 vendet e tjera do të përcaktohen nga “Play-Off”-i i Ligës së Kombeve. Katër skuadrat fituese të Ligës A do të vendosen si koka grupi në eliminatoret përkatësisht nga A në D, ndërsa ekipet e tjera të vazos së parë do të vendosen nga E në J. E njëjta rrugë do të ndiqet edhe me vazot e tjera.

Kjo do të thotë se 55 kombëtaret pjesëmarrëse në eliminatoret e Europianit 2020 duhet ta fitojnë vendin e tyre në fushë, sepse nuk do të ketë asnjë ekip të kualifikuar automatikisht si pritës i Europianit. Sepse këtë herë ky kompeticion do të zhvillohet në disa vende të Europës dhe nuk ka një shtet fiks. Të njëjtën gjë që duhet të bëjë Shqipëria, e cila duhet të provojë patjetër të prekë finalet e këtij kompeticioni të rëndësishëm. Kristian Panuçi, Armand Duka dhe Ilir Shulku përbëjnë delegacionin kuqezi në Dublin. Trajneri italian sigurisht që do të provojë të arrijë suksesin e Xhani De Biazit dhe për këtë fakt mori konfirmimin nga ana e federatës.