.

Video/ Banorët e “Unazës së Re” falenderojnë Eni Vasilin: Bëri që zëri ynë të dëgjohej edhe në studio

Ditën e djeshme Hapur.al njoftoi paraprakisht se i ftuar në emisionin “Open” të gazetares Eni Vasili do të ishte ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, i cili do të fliste për ndërtimin e unazës së madhe të Tiranës si dhe prishjen e ndërtesave tek “Unaza e Re”. Ndërkohë menjëherë pas kësaj, banorët e zonës së “Unazës së Re” e zhvendosën protestën e tyre përpara Top Channel-it aty ku transmetohet emisioni “Open”.

Ministri Gjiknuri i pyetur nga gazetarja Eni Vasili se cili do të jetë fati i banorëve të kësaj zone të kryeqytetit pas prishjes së banesave u shpreh: “Ne kemi menduar për shkak ndërtimit dhe do të trajtohen për disa vjet me qera, deri në tre vjet dhe nga ana tjetër mendojmë që do të konsiderohen si të pastrehë duke u dhënë banesa socilale si dhe kredi të buta.”

Meqënëse kërkesat e protestuesve për të folur live në emision dhe për t’i kthyer përgjigje ministrit Gjiknuri ishin të shumta, moderatorja Eni Vasili ju mundësoi një lidhje direkte me emisionin ku të shprehnin shqetësimin e tyre.

Njëri prej banorëve të “Unazës së Re” u shpreh: “E kam afër rrugës shtëpinë, jo shumë afër. Më kanë vënë kryqin e kuq. Jemi me fëmijë të vegjël ku të vemë. Me djersë i kemi ndërtuar, vetë Edi Rama erdhi dhe na tha që ti gëzoni dhe të rroni, do ja u legalizojmë. Këta do bëjnë pallate për vete. Ligji është në dorën e Maliqit, kanë edhe gurin edhe arrën.”

Ndërkohë ditën e sotme një tjetër protestues teksa ka folur për mediat ka falenderuar gazetaren Eni Vasili për mundësinë që ju dha për t’u shprehur e për t’iu dëgjuar zëri.

“Unë falenderoj moderatoren Eni Vasili që të paktën na e futi zërin aty në studio. Zërin tonë. Kisha dhe diçka: Ne nuk jemi ushtri, ne nuk presim mbrojtje nga askush përveçse me trupat tonë do i mbrojmë pronat tona. Me trupat tonë do i mbrojmë pronat tona.”, u shpreh protestuesi.