.

Pas tensioneve të shumta me Mark Zuckerberg, bashkëthemeluesit e Instagramit japin dorëheqjen

Bashkëthemeluesit e aplikacionit “Instagram”, Kevin Systrom dhe Mike Krieger, kanë dorëzuar dorëheqjet tek drejtori ekzekutiv i “Facebook”, Mark Zuckerberg. Kujtojmë se ky aplikacion, i cili përdoret kryesisht nga të rinjtë, u ble nga “Facebook” në vitin 2012 për 1 miliard dollarë, por duke rezultuar një investim i shkëlqyer për Zuckerberg.

Themeluesit e “Instagram” po largohen nga “Facebook” pas rritjes së tensioneve me shefin ekzekutiv Mark Zuckerberg mbi drejtimin e produktit, thanë burimet për mediat ndërkombëtare.
Kevin Systrom dhe Mike Krieger themeluan aplikacionin “Instragram” në vitin 2010 dhe vijuan të punojnë për këtë kompani edhe pas shitjes së saj te “Facebook”. Por mediat e huaja raportuan se fundmi se ata ishin shprehur të zhgënjyer për përfshirjen e përditshme të Zuckerberg në këtë kompani të suksesshme.

“Tani jemi gati për kapitullin tonë të ardhshëm.Krijimi i gjërave të reja kërkon që ne të tërhiqemi, të kuptojmë se çfarë na frymëzon dhe të përputhet me atë që bota ka nevojë, kjo është ajo që ne planifikojmë të bëjmë”-tha Systrom në një deklaratë.