.

Kohë e keqe për Gjykatën

ÇLIRIM GJATA

Para disa ditësh, në media u hodh si bombë një lajm që nga 800 gjyqtarë e prokurorë, 200 prej tyre kishin pasur kontakte me krimin. Fakt ky, i publikuar nga KSHH i Helsinkit me burim DSIK (Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar). Në fakt, KSHH duhet të merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut e jo të publikojë të dhëna sikur të jetë media, qoftë edhe kur nuk përbëjnë sekret. Por, i duhej bërë ky shërbim qeverisë. Më pas, u hesht totalisht, nuk flitet më për këtë ngjarje, a thua se nuk kishte ndodhur kurrë.

Vendin ia zuri drafti në ligjin e avokatisë, ku u sanksionua nga Parlamenti heqja e së drejtës të ushtrimit të profesionit të lirë të avokatit, atyre gjyqtarëve që rrëzohen nga vetingu. E pra, kjo nuk ndodhi në 1993. Pa folur për ide “brilante” që dalin përditë në shtyp, që të rishikohen të gjitha vendimet e dhëna nga gjyqtarë, që janë rrëzuar në veting. Po për ata kriminelë, që janë dënuar më burgim të përjetshëm, a do të rishikohet vendimi? Sepse iu është dhënë nga një gjyqtar i shkarkuar me veting. Anglezët thonë: ”Lëreni diplomacinë ta bëjnë diplomatët”, që shumë thjesht përkthehet: I nderuar gazetar, lëre jurisprudencën ta bëjnë juristët.

Të rishikosh mijëra vendime në gazetari është një fjalë goje, por në jurisprudencë është telash i madh. Por, kjo ide nuk hidhet për drejtësi, por me indicie qeverie për presion. Dhe pa u marrë shumë me vetingun, që po e ndrin përditë me integritetin e tij në gjithë sa po bën. Vendi ka mbetur pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë, gjë që i jep mundësinë qeverisë dhe jo vetëm, të qeverisin jo sipas ligjeve, por dëshirës, pasi nuk ka kush t’i kontrollojë. Dhe si për t’i vënë kapakun, në Parlament kemi edhe një projektligj me dy dispozita, që ka mbetur për 5 vota, për magjistratët.

Në këtë projektligj parashikohet që t’i kthehen përkohësisht, me dispozita kalimtare, Prok. Përgj. Përk (PPP) dhe KLD kompetenca për emërimin e magjistratëve në gjykata dhe prokurori(derisa të krijohen KLGJ dhe KLP), si dhe t’i mundësohet Shkollës së Magjistraturës të organizojë regjistrimin për magjistratët e rinj deri në vitin 2020, në një numër jo të vogël, por me përllogaritje diku te 75 magjistratë. Ky është pak a shumë thelbi i ndryshimeve në projektligj.

Le t’i analizojmë me radhë, duke filluar nga ky i fundit. Përse duhen këto ndryshime tani? Sepse ka ngecur reforma në drejtësi?! Pra, mekanizmi i ndërtimit të reformës në drejtësi, “suksesin e parë të vetin” ka bllokimin e gjithë sistemit. Atëherë, maxhoranca, në relacionin që shoqëron ligjin, duhet të përmendë shkaqet se përse duhen këto ndryshime, kur mekanizmat ligjorë ekzistojnë.

Përse arritën deri këtu, në bllokimin e ndërtimit të sistemit të drejtësisë dhe futjen në kolaps total të atij ekzistues. Me këto ndryshime i bie që të kthehemi në datën e para 20 korrikut 2016. Sepse, me Kushtetutë dhe ligjet përkatëse është zgjidhur sesi do të ndodhin emërimet dhe shkarkimet në organet e drejtësisë. Atëherë, përse u bë gjithë kjo reformë, që të kthehemi përsëri aty ku ishim?? Problemi i parë madhor mbetet fakti se me përjashtim të Kushtetutës dhe ligjit për SPAK-un, që u votuan me konsensus, të gjitha ligjet e tjera (rreth 40 të tilla) u bënë me forcë kartonësh pa u marrë konsensusi i opozitës.

Pa u dëgjuar aspak mendimet dhe kërkesat e saj. Lëre pastaj mendimet e ekspertëve profesionistë, si oponencë shkencore, që as nuk i përfill kush. Por, më mirë të hyjmë në brendinë e ligjit. Ndryshimet që kërkohen janë të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”. Këto ndryshime nuk mund të ndërmerren pikërisht në këtë moment, për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr.34, dt.10.4.2017, ka vendosur: Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të 31 neneve, paragrafëve, pikave apo fjalive gjithsej, të ligjit nr. 96/ 2016 “Për statusin… Pra, kemi 31 raste të shfuqizuara në këtë ligj, që duhen marrë detyrimisht në konsideratë nga Parlamenti (çfarë cilësie profesionale ky ligj, po të tjerët si do jenë). Neni 132 i Kushtetutës sanksionon: “Vendimet e GJ.K. janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim”. Që do të thotë, se pa u marrë në shqyrtim për t’u zbatuar nga Parlamenti vendimi nr. 34, datë 10.4.2017 i GJ.K., në raport me të 31 pikat e shfuqizuara të ligjit, nuk mund të shqyrtohet asgjë tjetër në lidhje me këtë ligj. Ndaj, si mund të miratohen ndryshime me dispozita kalimtare, kur nuk janë zgjidhur kërkesat e detyrueshme të GJ. K.?

Kjo do të përbënte një precedent të keq, një dues ex machina, ku vendimet e GJ.K. nuk do të zbatoheshin kurrë nga Parlamenti, por do të operohej me dispozita kalimtare. Kërkohet t’i jepen PPP kompetenca për emërimin e prokurorëve te rinj deri në krijimin e KLP-së.

Që ditën që mori emërimin në këtë detyrë e deri tani, PPP ka bërë shumë lëvizje në Prokurori, si transferime, shkarkime, emërime, pezullime e deri urdhërime për ndjekje penale të vetë prokurorëve. Të gjitha këto lëvizje kanë qenë të paligjshme. Kjo, sepse në Ligjin nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Neni 160 – Organet kompetente në periudhën kalimtare, pika 2 deri 5 të ligjit nuk parashikohen asnjë nga kompetencat që ka ushtruara PPP, deri sot. Pra, kanë qenë veprime të paligjshme deri në nivel të shpërdorimit të detyrës.

Me ndryshimet e fundit në këtë projekt, ku kërkohet t’i jepen PPP dhe KLD kompetencat e emërimit të magjistratëve, logjikisht pranohet nga maxhoranca se PPP nuk i ka pasur këto kompetenca, ndaj dhe po i shtohen përkohësisht nga Parlamenti. Atëherë, si i ka ushtruar PPP kompetencat si transferime, shkarkime, emërime, pezullime, kur ato po kërkohen t’i jepen tani?? Me këtë veprim, vetë maxhoranca e pranon se PPP ka shkelur ligjin në fuqi. Dhe i duhen dhënë kompetenca një shkelësi të ligjit si PPP e madje, të zgjedhur në mënyrë antikushtetuese.

Për sa i takon KLD, që kur kanë hyrë ligjet e reja në fuqi, nuk ka bërë asnjë emërim apo lëvizje të rëndësishme gjyqtarësh. Moment tjetër shumë i rëndësishëm, që vlen të diskutohet, është ai që po kërkohet të operohet me dispozita kalimtare. Ndërkohë që këto pr.dispozita kalimtare vijnë në kundërshtim me Kushtetutën, por jo vetëm dhe konkretisht me nenet 136/a dhe 148/ç të saj. Në këto dy dispozita parashikohet procedura kushtetuese sesi emërohen gjyqtarët dhe prokurorët. Nuk mundet kurrsesi, që me dispozitë kalimtare ligjore, të anashkalohet apo zëvendësohet, qoftë edhe përkohësisht, një procedurë kushtetuese.

D.m.th., pr.dispozitat kalimtare ligjore në fjalë, zëvendësojnë nenet 136/a dhe 148/ç të Kushtetutës. Nuk ka precedent në botën demokratike, nuk ka doktrinë, literaturë, histori juridike që e pranon këtë. Sepse Kushtetuta qëndron mbi të gjitha ligjet (hierarkia e normave). E vetmja mundësi për ta zgjidhur përkohësisht këtë problem është ndërtimi një dispozite kalimtare Kushtetuese. Pra, një procedurë e re kalimtare apo e përkohshme (sido mund të quhet), por gjithmonë kushtetuese, kurrsesi ligjore dhe aq më pak me ligj kalimtar, jo të përhershëm.

Pra, në hierarkinë e normave duhet një normë paralele për dublim ose më e lartë, por asnjëherë më e ulët. Kuptohet, kjo kërkon një kompromis të madh politik, gjë që shumë faktorëve në Tiranë nuk iu pëlqen. Një moment tjetër po në këtë pikë, është sanksioni sesi e ndalon vetë Kushtetuta trajtimin me dispozita kalimtare të këtyre rasteve. Në nenet 136/a dhe 148/ç të Kushtetutës, në pikën 2 të të dyja dispozitave urdhërohet:”Kriteret e tjera për përzgjedhjen dhe emërimin e gjyq/ prok. parashikohen me ligj”.

Pra, Kushtetuta në pikën 1 përcakton KLGJ/KLP për emërimin e tyre dhe në pikën 2 urdhëron që gjithçka që duhet për këto emërime, të bëhet me ligj. Kështu që jashtë KLG/KLP nuk ka emërime, ndërsa për kriteret duhet ligj. Dhe e fundit, duke thënë ligj, Kushtetuta e ka përjashtuar mundësinë e dispozitave kalimtare, sepse të detyron që të bësh ligj, madje ligj të përhershëm dhe të fortë sepse do t’i përgjigjet procedurës kushtetuese.

Dhe kjo, pikërisht për të shmangur abuzimin në të ardhmen. Ndaj, edhe këto ligje kërkojnë 3/5 e votave në Parlament (në perëndim do të kishin kaluar në senat). Së fundi për këtë pikë, përdorimi i dispozitave kalimtare vend e pa vend lë shteg të gjerë për abuzime të mëdha. Nuk funksionon drejtësia me dispozita kalimtare. Nuk drejtohet shteti në mënyrë kalimtare, por me ligje të forta, të konsoliduara dhe të gjithë mirëpranuara. Dispozita kalimtare del për një rast ose një afat të caktuar. Pra, zgjidh vetëm një rast konkret tepër të përcaktuar ose vepron në afat edhe ky i përcaktuar saktë. Por, edhe kjo ndodh kur mungon procedura, pra, s`ka fare ligj, jo kur ligji është.

Si mund të caktosh një procedurë ligjore kalimtare kur është ajo e përhershmja?? Aq më tepër kur procedura e përhershme është kushtetuese. Një rast tjetër me procedurë me dispozita kalimtare është ai i zgjedhjeve lokale 2007. U pranua procedura e votimit me dispozitë kalimtare, por vetëm për ato zgjedhje, me emër dhe për asnjë tjetër. E kjo ndodhi për shkak se nuk kishte akoma karta identiteti dhe pasaporta biometrike e votohej me certifikatë.

Por, si mund të pranosh sot, votim me procedurë dispozite kalimtare me certifikatë, kur ekzistojnë kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike?? Kjo është e papranueshme. E njëjta logjikë vepron edhe në rastin tonë. Si konkluzion, dispozitat kalimtare për dhënien e kompetencave PPP dhe KLD për emërimin e magjistratëve janë antikushtetuese dhe sjellin kolizion ligjor. Po përse bëhet e gjithë kjo, e le t’u kthehemi edhe atyre çështjeve të para, se duket se i harruam. Përse hapen lajme të tilla që 200 gjyqtarë e prokurorë kanë lidhje krimin. Dhe për ta bërë më të besueshme, paraqitet si burim DSIK.

Nëse është i vërtetë ky informacion i kaluar në heshtje nga DISK, atëherë DSIK është në shkelje të ligjit, pasi duhet t’i bënte publike emrat dhe t’i dërgonte në Prokurori, e cila duhej të kishte filluar hetimet. Por, i gjithë ky informacion mendoj është një flluskë mediatike me burim qeverinë dhe bëhet për të frikësuar gjyqtarët e prokurorët, që do guxojnë, derisa t’u vijë radha në veting, të japin vendime “kundër”. Sidomos ato të narkotikëve janë pak si shumë problem. Dhe s`ka nevojë të përmendësh emra. Po ke thënë 200, i ke thënë të gjithë.

Secili gjyqtar, me të drejtë, mund të shtrojë pyetjen: mos jam unë ai? Se zor i madh të rregullohet një fotografi me dikë. Në këto përvoja, historia ka treguar se jemi mjeshtra. Si thotë Kadareja: “Sjellësi i Doruntinës të gjendet e po s`u gjend, të krijohet”. Me të njëjtën logjikë mund të analizohet edhe drafti i miratuar në Parlament, që ata që largohen nga vetingu, humbasin të drejtën e ushtrimit të avokatit.

Çfarë gjetje ligjore… këta gjyqtarë mund të kthehen në detyrë pas 15 vitesh (ata që rrëzohen profesionalisht), por nuk mund të jenë kurrë avokatë. Në emër të pastërtisë së figurës së avokatit. Por nuk është kështu. E gjitha është një presion i pastër, një thirrje: rreshtohuni me qeverinë, ose jo vetëm që do ju kapë vetingu, por as avokatë nuk do punoni dot. Çfarë nuk po shpiket e sajohet për të ushtruar presion mbi drejtësinë. Madje, edhe fantazia po kalon limitet e filmave. Nëse do analizonim vetingun, do diskutoja vetëm për një pikë.

Si nuk kanë parë deri tani asnjë dosje gjykimi ku të konstatohen paligjshmëritë?! E, pra, ka qytetarë që kanë dërguar dosje të plota pranë organeve të vetingut me padrejtësitë që u janë shkaktuar nëpër gjykata. Në këtë mënyrë, vetingu është kthyer në një institucion të thjeshtë financiar, i cili ka nxjerrë zbuluar dhe të panevojshme ILDKPI-n. Ai po kap vetëm gabimet që gjyqtarët kanë bërë vetë në deklarimet e pasurive të tyre. Madje, edhe këtu me dy standarde, sepse janë rrëzuar gjyqtarë për një standard të caktuar dhe kanë kaluar disa që janë gjendur më keq, deri edhe duke futur minarenë në trajse. Po jap një shembull.

Një person akuzohej për vrasje dhe u dënuar më burgim të përjetshëm, në një kohë kur nuk kishte dalë akoma ligji për dënimin me burgim të përjetshëm. Gjykata Kushtetuese e konsideroi plotësisht në rregull procesin gjyqësor dhe i rrëzoi kërkesën. Vetingu, që shkarkoi pothuajse të gjithë Gj.K., përse nuk e pa këtë rast flagrant antikushtetues?? Sepse nuk është i interesuar për këto lloj hetimesh, por vetëm për ata persona, të cilët i serviren, kush i mirë dhe kush i keq. Vetingun kush e kontrollon? Quis custodiet ipsos custodes – Rojën kush e ruan, thotë një sentencë e lashtë? Vetingu ka dalë nga misioni i vet i transparencës dhe pastrimit të drejtësisë shqiptare nga korrupsioni, paaftësia dhe lidhja me krimin.

Ai i është nënshtruar politikës, qeverisë dhe madje edhe diplomacisë në Tiranë. Gjyqtarët e tjerë që do vijnë më pas, duke zënë vendin e të ikurve, thjesht do kujdesen për deklarimin dhe mbulimin më mirë të pasurive. I gjithë ky presion mbi gjykatat ka vetëm një burim dhe qëllim. Ka si burim qeverinë dhe si qëllim nënshtrimin e drejtësisë. Kur nënshtrohet drejtësia, qeveria ka kapur gjithçka. E çuditshme kjo rendje drejt gjthçkaje. Kjo ngjitje drejt majave të çdo pushteti, që nuk mendohej se mund të kapeshin vetëm nga një dorë. Në filozofinë popullore shqiptare ka një shprehje: “U ngjitsh sa mëlart dhe mos arrifsh kurrë në majë”. Afër mendsh, kur arrin majën, nuk sheh tjetër veç poshtë. Pastaj ka vetëm theqafje.