.

Duhet ligj special për rigjykimet e vendimeve të të korruptuarve

Nga Carlo Bollino

Filtri i Vettingut po godet si kërbaç dhjetëra gjykatës e prokurorë. Kokat e tyre po bien si fiq të kalbur nga pema e Drejtësisë, të asgjësuar në integritetin e tyre moral dhe profesional nga zbulimi i pasurive përrallore, të grumbulluara në vite anarkie dhe mungese të shtetit.

Disa prej tyre, jo vetëm që kishin grumbulluar pasuri të jashtëzakonshme të cilave sot nuk u justifikojnë dot origjinën, por edhe shoqëroheshin rregullisht me kriminelë: mbrëmjeve shkonin për darkë si mysafirë të bosave dhe në mëngjez hynin nëpër sallat e gjykatave për t’i gjykuar. Vettingu po nxjerr në pah lakuriq atë sëmundje kronike, e cila për 25 vjet po gërryente nga brenda trupin e Drejtësisë dhe që të gjithë e quanim në mënyrë të përgjithësuar “korrupsion”.

Tani “korrupsioni” fillon të ketë emra dhe mbiemra dhe të  dokumentohet me fakte dhe këtu kemi të bëjmë me një ndryshim shumë të madh. Vettingu po tregon edhe se sëmundja, ndonëse shumë e përhapur, nuk i kishte infektuar të gjithë dhe kjo po u kthen nderin dhe dinjitetin atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët sot rikonfirmohen në detyrat e tyre, pikërisht pse arbitrat e Vettingut po u çertifikojnë integritetin. Në kaosin e para-reformës, asnjë nuk arrinte të dallonte mes mollëve të mira dhe mollëve të prishura, ndërkohë që tani ky dallim, më në fund, mund të duket. Kështu po ndodh tek Drejtësia, kështu do të ndodhë në të ardhmen edhe në shoqëri.

Por, faktet që kanë dalë nga procesi i Vettingut bëjnë të lindë një dyshim i ri: Si duhet të konsiderohen vendimet e marra në vitet e kaosit nga gjyqtarët, të cilët tani rezultojnë të korruptuar? Sa fajtorë janë trajtuar si të pafajshëm dhe sa të pafajshëm janë dënuar si fajtorë? Si mund të konsiderohet i drejtë një vendim i dhënë nga një gjyqtar, i cili, më pas, ka dalë se ishte aq i korruptuar, saqë nuk mund të jetë më gjyqtar?

Megjithëse reforma e Drejtësisë nuk e parashikon këtë në mënyrë eksplicite, Parlamenti duhet të nxjerrë një ligj special, i cili të rihapë kushtet ligjore, në mënyrë që Prokuroria e shëruar, apo edhe qytetarë, të kenë mundësinë të kërkojnë një gjykim të ri për të gjithë ato raste, në të cilat një gjyqtar i hequr nga Vettingu për korrupsion ka patur rol përcaktues në dënimin apo mosdënimin e dikujt.

Vetëm në këtë mënyrë, bashkë me largimin e të korruptuarve, Shteti do të mund të pakësojë, të paktën, një pjesë të dëmeve, që vendimet e tyre të blera kanë shkaktuar në shoqëri.

Reforma e Drejtësisë është një hap i parë për të shkruar një kontratë të re besimi mes institucioneve dhe qytetarëve. Të dëmshpërblesh viktimat e korrupsionit duhet të jetë një klauzolë e pamohueshme e kësaj rilindjeje. Një nismë e tillë duhet të bëjë bashkë të gjithë politikanët e ndershëm, pasi, vetëm kush ka përfituar nga kjo drejtësi e korruptuar mund të jetë kundër.