.

“Nuk do isha gjallë nëse do kurohesha në spitalet shqiptare”/ Lufta e pacientëve për kurën e kancerit të gjirit sfidon politikën dhe…

(Kryeministri Edi Rama me mësuesen e gjimnazit nga Rrësheni, Valbona Reçi (qendër) në spitalin Onkologjik në QSUT)

Kryeministri Edi Rama ka premtuar se herceptina – një bar që përdoret për të kuruar fazat e avancuara të kancerit të gjirit nuk do të mungojë më për gratë shqiptare; megjithatë, një pjesë e pacienteve dhe mjekëve janë skeptikë ndaj zotimeve të qeverisë, ndërkohë që mbeten të shqetësuar për mungesën e një regjistri të sëmundjes malinje, i cili do të jepte një panoramë më të qartë të shkaqeve pas rritjes drastike të rasteve të diagnostikuara.

Brunilda Alimerkaj ishte një nënë e re kur u diagnostikua me kancer në gji 12 vjet më parë, por lufta e saj me sëmundjen malinje nuk ka përfunduar ende.  Prej tre vitesh, 42 vjeçarja nga Ballshi udhëton çdo 21 ditë drejt spitalit të Bergamos në Itali për të marrë në ditën dhe orën e caktuar Herceptinën – një preparat që përdoret për të kuruar fazat e avancuara të kancerit të gjirit, por që në spitalet shqiptare ka munguar.

“E them me bindje që nëse do të kisha zgjedhur të kurohesha në spitalet shqiptare, sot nuk do të isha gjallë. Jo për faj të mjekëve, por për faj të sistemit tonë shëndetësor që nuk u garanton asgjë pacientëve,” thotë Bruna duke kujtuar kalvarin e saj të gjatë.

Mungesa e herceptinës, një preparat i shtrenjtë, por i domosdoshëm për të luftuar kancerin e gjirit ka qenë një problem i vazhdueshëm për spitalin Onkolologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku rritja e numrit të pacientëve të diagonstikuar me tumor malinj ka shënuar një rritje eksponenciale gjatë dekadës së fundit.

Megjithatë, mungesat e furnizmit me këtë bar jetik u bënë pjesë e debatit publik, kur në janar të këtij viti, gjatë një dëgjese publike të kryeministrit Edi Rama në Rrëshen, një mësuese gjimnazi u ankua se preparati mungonte prej muajsh. Rama i premtoi zgjidhje të menjëhershme dhe disa ditë më pas, si për të vërtetuar se ai i mban premtimet, së bashku me mësuesen nga Rrësheni  garantoi para kamerave të mbledhura në spitalin Onkologjik në Tiranë se nuk do të kishte më mungesë të herceptinës.

Zgjidhja e problemit nuk iu përmbajt ritmit të shpejtë të propagandës qeveritare dhe vetëm nga fundi i prillit, pas një proteste të grave me kancer gjiri, QSU u furnizua me një sasi prej 4000 flakonësh herceptinë intravenoze, çfarë i bën pacientët skeptikë se mungesa mund të përsëritet. Ndërkohë, mjekët janë të ndarë mbi dëmin që mund të ketë shkaktuar mungesa e barit në shëndetin e pacientëve të tyre.

QSUT garanton se furnizimi në të ardhmen do të normalizohet, pas përfshirjes së herceptinës në listën e barnave të rimbursueshme. Megjithatë, organizatat e të drejtave të pacientëve, disa mjekë dhe përfaqësues të opozitës mbeten të shqetësuar për shkak se përballë numrit në rritje të rasteve të diagnostikuara me kancer gjiri, buxheti i shëndetësisë për rrezatim dhe kimio-preparate edhe pse i rritur ndjeshëm gjatë 5 viteve të fundit, mbetet shumë i vogël në krahasim me mestaren europiane.

Të dhënat e siguruara nga Instituti i Shëndetit Publik, ISHP, tregojnë se Shqipëria është një nga vendet e Mesdheut me incidencë të lartë të kancerit të gjirit dhe në krahasim me vendet e BE-së, kjo sëmundje shpesh diagnostikohet në stad të avancuar – çfarë sjell dhe vdekshmëri të lartë në personat e prekur.

ISHP është e ngarkuar gjithashtu me ngritjen e regjistrit të kancerit, por mjekët specialistë ankohen se procesi i vonuar prej dekadash dhe i nisur në vitin 2015 po ecën me ritme të ngadalta, çfarë e ka futur luftën kundër tumoreve malinje në qorrsokak.

Organizatat e pacientëve shprehen gjithashtu  se në spitalet shqiptare nuk ka munguar vetëm herceptina, por edhe organizimi dhe mbështetja e nevojshme për gratë që përballen me betejën e vështirë për të mbijetuar dhe triumfuar kundër kancerit.

Rritja e vdekshmërisë  

Sipas Institutit të Statistikave, tumoret janë vrasësit e dytë më të mëdhenj të shqiptarëve. Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se vetëm në vitin 2017 në Shqipëri kishte 7 mijë persona të prekur nga tumoret, ndërkohë që sëmundjet malinje fajësohen për 3645 vdekje.

Zyrtarisht Shqipëria renditet ndër vendet që ka një numër të lartë të prekjes me kancer gjiri.

“Incidenca e standardizuar, sipas moshës për kancerin e gjirit është 53/100.000 banorë, një shifër kjo më e ulët se vendet mesdhetare të BE-së (80/100.000), por shumë më e lartë se vendet e Mesdheut Lindor (41/100.000),” shkruan ISHP në përgjigje të një kerkese për informacion nga BIRN.

Sipas të dhënave të ISHP-së, e cila që prej vitit 2015 po përpiqet të ngrejë edhe regjistrin e kancerit, kurba e vdekshmërisë nga kanceri i gjirit ka pësuar një rritje konstante dhe shqetësuese gjatë dy dekadave të fundit.

Më konkretisht, nëse në vitin 2002 vdekshmëria ishte 6.8 vdekje për 100 mijë banorë, në vitin 2017 ajo e ka kapërcyer dyfishimin, duke shënuar plot 16 vdekje për 100 mijë banorë. E përkthyer në shifra, nëse në 2002  humbën jetën nga kanceri i gjirit 204 persona (duke iu referuar popullsisë në vitin 2001 që ishte 3 milionë banorë), në 2017-ën ishin plot 448 persona që ndërruan jetë si pasojë e kësaj sëmundjeje.

Fatmir Prifti, drejtor ekzekutiv i “Ryder Albania”, një organizatë jofitimprurëse, e cila prej vitit 1993 ofron shërbim shëndetësor falas në shtëpi për të sëmurët terminalë me kancer që janë në fund të jetës, shprehet se kanceri i gjirit është një sëmundje me vdekshmëri të lartë.

“Unë di të të them që në gamën e të gjithë të sëmurëve, kanceri i gjirit zë vendin e dytë të rasteve që na vijnë ne, që në fakt është reflektim edhe i llojeve të kancereve që prekin popullatën shqiptare. I pari është kanceri i mushkërisë me 26% të rasteve, i dyti që marrin kujdes paliativ nga ne është kanceri i gjirit me 20% të rasteve,” tha Prifti.

Kjo vdekshmëri e lartë fajësohet mbi stadin e vonë në të cilat diagnostikohet sëmundja në Shqipëri, çfarë është përcaktues për mbijetesën. Nëse vendet e BE-së, vetëm 20% e kapin në stade të avancuara, në Shqipëri, pavarësisht përmirësimeve, ende 45% e rasteve paraqiten në stade të avancuara.

Sipas Priftit, por edhe kolegut të tij Ali Xhixha, fatjor për vdekshmërinë e lartë është edhe sistemi shëndetësor dhe keqmenaxhimi tij.

“Nëse ne kemi 7 mijë raste të reja me kancer në vit, atëherë me disa rezerva mund të themi se 50% – 60 % e tyre bëhen paliativë. Dhe kjo ka të bëjë me zhvillimin e mjekësisë së një vendi, pasi nuk funksionojnë shumë hallka,” tha Xhixha.

Ndyshe nga “Ryder Albania”, Ilir Qefalia nga Shërbimi Onkologjik në Banesë – struktura shtetërore që ofron përkujdesje shëndetësore në banesë edhe për të sëmurët terminalë, jep një shifër më të ulët për prevalencën e rasteve paliative me kancer.

“Vitin e kaluar, Shërbimi Onkologjik në Banesë u ka dhënë ndihmë mjekësore në shtëpi 941 pacientëve. Ka nga ata që janë terminalë, por edhe pacientë që kalojnë në komisionet e Mjekësisë Ligjore. Të sëmurët terminalë me kancer gjiri kanë përbërë vetëm 7% të rasteve,” tha ai.

“Rreth 35% e rasteve të reja janë në stad të avancuar ose shumë të avancuar, ku mbijetesa është shumë e shkurtër. Në këtë situatë ku ndodhemi nëse bota diagnostikon rreth 20 % në stad të avancuar, ne e kemi 35%, kjo falë edhe një edukate më të mirë shëndetësore,” shtoi ai.

Kreu i departamentit të Shëndetësisë në Partinë Demokratike, Tritan Shehu shprehet se numri i lartë i rasteve në stade të avancuara tregon se disa hallka të diagnostikimit dhe trajtimit nuk funksionojnë, duke nënvizuar se shërbimi onkologjik çalon në dy procese të rëndësishme, rrezatimin dhe kimio-preparatet.

“Rrezatimi bëhet plotësisht me akselarator linear, ndërsa ne kemi një tek Onkologjiku dhe një tek Neurologjia dhe dy në privat, bëjnë rreth 30-35% të rasteve,” tha Shehu. “Kimio-preparatet janë shumë të shtrenjta, ndërkohë që shpenzojmë shumë pak për shëndetësinë,” shtoi ai.

Shehu thotë se Shqipëria i ka shpenzimet për pacient për shëndetësinë diku te 245 euro, të cilat ndahen 35 euro nga sigurimet shëndetësore, 85 euro nga buxheti i shtetit dhe 120 euro nga xhepi.

“Vetëm 15-20 % e përballojnë vetë me para nga xhepi, ndërsa mesatarja evropiane është 2200 euro vetëm nga buxheti, pra jemi rreth 20 herë më pak,” shpjegoi ai.

Përtej shifrave, mjekët specialistë shprehen se ka një ndërgjegjësim në rritje të grave dhe vajzave për këtë sëmundje.

“Tani janë më të ndërgjegjësuara dhe sa prekin një gjë të dyshimtë vijnë direkt, por ka pasur raste që na kanë ardhur kur gjiri u kishte zënë krimba,” shprehet Silva Çeliku, presidente e shoqatës së Onkologëve Shqiptarë.

“Si raste dhe si numër rastesh të reja kemi dyfishim krahasuar me vitet ‘90. Ajo që bie në sy është ulja e moshës mesatare. Mosha dominante ka qenë ajo 45-55 vjeç, por tani shohim shumë më shpesh edhe vajza të reja 20- vjeçare,” shtoi Çeliku.

Edhe kolegia e saj, Dhurata Tarifa, e cila e ushtron këtë profesion prej 36 vitesh shprehet se ndërgjegjësimi ka ndihmuar në diagnostikim më të hershëm, çfarë sjell dhe shanse më të larta për ta luftuar kancerin.

“Kur kam nisur punë shikonim shumë stade të III dhe të IV, ndërsa tani dominojnë stadet e I dhe të II, sidomos stadet e II që kanë nevojë vetëm për kirurgji jo kimioterapi. Mortaliteti është ulur,” tha ajo.

Rritjen e numrit të të prekurve me kancer gjiri, Instituti i Shëndetit Publik ia atribuon rritjes së moshës mesatare të popullsisë, ndryshimit të sjelljes riprodhuese dhe ushqimit. Dr. Çeliku rreshton dhe trajtimet hormonale, stresin dhe trashëgiminë midis faktorëve ndikues.

“Shumë fajësojnë trajtimet hormonale, që i marrin pa u konsultuar me mjekun. Stresi është një tjetër faktor. Duke u martuar herët, kanë probleme ekonomike, sociale, bashkëshortore. Shumë nga këto gra janë në nivele shumë të vështira ekonomike. Tek rastet e reja, faktor tjetër është edhe trashëgimia,” shpjegoi ajo.

Mungesa e herceptinës   

Herceptina konsiderohet si një bar jetëshpëtues për femrat me kancer gjiri në stade të avancuara. Në Shqipëri, ajo është futur në vitin 2006 dhe prej asaj kohe, pacientet e prekura me kancer gjiri kanë luftuar për ta siguruar, pasi ka munguar rregullisht.

Sipas QSUT-së, herceptina nuk është e vetmja terapi për trajtimin e kancerit të gjirit, pasi trajtimi i tyre bëhet me kimiopreparate sipas stadit të sëmundjes. Megjithatë, që kur është futur për herë të parë në 2006 me vetëm 160 flakonë dhe deri më sot, përdorimi i këtij bari ka një rritje me dhjetra herë.

Pas ardhjes së socialistëve në pushtet më 2013-ën, pati një rritje të menjëhershme të sasisë së herceptinës që u fut në vendin tonë, ndonëse edhe ajo ishte e shumë debatuar për arsyen se pjesa më e madhe ishte e prodhimit turk dhe pati ankesa të efekteve anësore te të sëmurët. E njëjta skemë u përdor edhe për 2015-ën, ndërkohë që prej 2016-ës Ministria e Shëndetësisë, në atë kohë e drejtuar nga ish- ministri Ilir Beqja hoqi dorë nga prodhimet turke me çmime shumë më të lira, dhe tashmë në treg gjendet vetëm herceptina (Roche) që përdoret në të gjitha vendet e BE-së.

Pas premtimit publik që i dha mësueses nga Rrësheni në janar, sigurimi i furnizimit të QSUT-së me herceptinë është kthyer në një kalë beteje për kryeministrin Edi Rama. Në një përgjigje me shkrim, QSUT i tha BIRN se tashmë kishte siguruar një numër rekord flakonësh, që sipas saj mbulon të gjitha nevojat e pacientëve me kancer gjiri për terapinë e kushtueshme.

“Mbulimi i nevojave të pacientëve për trajtim me herceptinë në onkologjik është në masën 100% dhe momentalisht nuk ka asnjë mungesë për barin herceptinë (Transuzumab),” tha QSUT, duke nënvizuar se ka prokuruar 4000 flakonë herceptinë intravenoze.

Donjeta Zeqo, drejtore ekzekutive e “Europa Donna Albania”- një organizatë që ka në fokus të drejtat e pacientëve me kancer gjiri që trajtohen në spitalet shqiptare, shprehet se megjithë ndërhyrjen e Kryeministrit në janar, grave që trajtohen me herceptinë u është duhur edhe të protestojnë për të siguruar barin.

“Rastet kanë treguar se kur është bërë e madhe janë vënë në lëvizje strukturat, nuk e di se si e kanë gjetur, por është siguruar. P.sh. atë ditë që u bë protesta në spital dhe gratë po ziheshin dhe po ulërinin, ka ndërhyrë drejtoria e spitalit dhe u bë e mundur që të sigurohet një sasi e nevojshme për 60 paciente,” shprehet Zeqo. “Problemi është se e zgjidhëm një herë, por duhet të marrë fund njëherë e mirë kjo situatë,” shprehet ajo.

Një nga pacientet që ka protestuar për të siguruar të drejtën e terapisë me herceptinë është edhe Vera.

“Ndërkohë që në na thoshin nuk ka herceptinë dhe na përcillnin në shtëpi, mora vesh se njëra nga gratë që e bënim bashkë herceptinën e kishte hequr edhe për seancën tjetër. Epo unë nuk mund ta lejoja që të më merrnin jetën me vetëdije, ndaj luftova për atë që më takon,” kujton ajo.

“Personalisht u bënë tre seanca që e marr rregullisht, por kam frikë se po ma japin vetëm sepse unë e kërkova me ngulm këtë të drejtë,” shtoi ajo.

Dhurata Tarifa, mjekja që përcakton kimioterapinë për çdo pacient që rezulton me kancer tek Onkologjiku e konsideron mungesën e herceptinës të kapërcyer.

“Mbaj mend në fillimet që janë futur edhe më pak se 200 flakone, që ishin të papërfillshme për nevojat dhe nuk dije se kujt t’ia jepje,” tha ajo. “Për fat të mirë këtë vit kemi të garantuar mbulimin 100% me herceptinë. Një ndihmesë e madhe është edhe herceptina subcutane, të cilën do ta aplikojmë tek pacientët e rinj, pasi ata që e kanë nisur me intravenoze do ta përfundojnë ciklin me të,” shtoi Tarifa.

Por ka dhe mjekë që janë skeptikë dhe deklarojnë se problemi është zgjidhur vetëm për momentin. Sipas tyre, jemi ende shumë larg premtimit për të mbuluar 100% nevojat dhe shumë shpejt sërish do të ketë mungesa për këtë medikament.

Ata llogarisin se një paciente i nënshtrohet 18 seancave me herceptinë ( çdo 21 ditë) dhe mesatarisht një pacient ka nevojë për 2.5 flakonë herceptinë [Herceptina merret në bazë të peshës trupore dhe ka pacientë që marrin edhe 5 flakonë në një seancë, ashtu siç ka të tjerë që marrin 1 apo dy flakonë]. Këto llogari nënkuptojnë se për ta bërë terapinë e plotë duhen 45 flakonë herceptinë.  Nëse QSUT ka prokuruar 4000 flakonë dhe aktualisht ka 160 paciente që trajtohen me herceptinë, atëherë kjo sasi mjafton për të mbuluar vetëm 60% të nevojave në rastin më të mirë, pasi në këtë sasi nuk është llogaritur se sa raste të reja mund të shtohen.

Por QSUT sqaron se “këto mungesa” të supozuara do të mbulohen nga risia e skemës së rimbursimit të barnave, pasi për herë të parë këtë vit, herceptina është bërë pjesë e kësaj skeme.

“Aktualisht me herceptinë intravenoze (që merret vetëm në spital dhe zgjat më shumë se dy orë) po trajtohen 160 pacientë, por ndërkohë ka filluar edhe trajtimi me herceptinë subcutane (është dozë unike, mund të merret edhe në shërbim ambulator, nuk zgjat më shumë se 20 min) që përfitohet nga lista e barnave të rimbursueshme,” sqaroi QSUT në përgjigjen e saj për BIRN, pa bërë të ditur se sa pacientë është parashikuar që të mbulojë kjo formë e re me dozat e herceptinës.

Por edhe ky shpjegim i QSUT-së nuk i bind skeptikët, te cilët shprehen se megjithë progresin e dukshëm jemi akoma larg mbulimit të plotë të pacientëve. Sipas tyre, për të mbuluar 100% nevojat për 160 pacientë që janë aktualisht në skemë do të duheshin 7200 flakonë herceptinë intravenoze.

“Mesatarisht gjatë një viti diagnostikohen 400-450 raste të reja me kancer gjiri, nga të 20% e tyre janë në stade në avancuara dhe kanë nevojë për herceptinë, pra ja ku janë edhe minimumi 80 raste të reja që nuk janë llogaritur fare,” i tha BIRN një mjek që kërkoi të mbetej anonim.

“Ndaj them që jemi ende shumë larg mbulimit 100%, por sigurisht që jemi shumë herë më mirë nga sa kemi qenë,” shtoi ai.

Si rrallëherë, dëshira e kryeministrit Edi Rama për të mbuluar nevojat e pacientëve me herceptinë është përshëndetur dhe nga demokrati Tritan Shehu. Megjithatë, Shehu paralajmëron se përtej dëshirës ky mbulim nuk mund të arrihet pa rritjen e buxhetit për sëmundjet tumorale.

“Unë e përgëzoj Ramën që do të sigurojë herceptinën 100%, por kjo nuk zgjidh problemin,” tha ai.

Sipas Shehut, është llogaritur se për një popullsi prej 3 milionë banorësh, duhet 12 milionë euro për mjekimin standard të tumoreve dhe 20 milionë euro nëse do të kishim trajtim të personalizuar.

“Aktualisht ne i kemi shpenzimet për sëmundjet tumorale 5.4 mln euro në vit, pra mbulojnë 45% të nevojave,” tha ai. “Nëse edhe këtë vit buxheti është 5.4 mln euro dhe ka rritur fondin për herceptinën, padyshim që ka hequr diku tjetër, dhe kjo nuk është zgjidhja. Duhet të mbulohen të gjitha dhe të rritet buxheti,” shtoi Shehu.

Donjeta Zeqo njeh thuajse çdo grua që vuan nga kanceri i gjirit dhe që merr trajtim në QSUT. Disa prej tyre janë pjesë shoqatës dhe sipas saj, ankesa më e shpeshtë e tyre është se terapia e herceptinës nuk bëhet në kohë sipas protokollit.

“Nuk është se herceptina ka munguar krejtësisht, por u shtyhej në kohë. Kjo është edhe ankesa më e shpeshtë që na vjen nga pacientet,” shpjegoi ajo.

Shtyrja dhe mosaplikimi i rregullt i protokollit të terapisë së herceptinës shihet me sy shumë kritik nga disa prej mjekëve onkologë.

“Nuk është problem tek herceptina, pasi ajo është një terapi shumë e kufizuar dhe janë pak pacientë që kanë nevojë për të. Problemi është që ajo duhet të bëhet në vazhdimësi, por nëse sot e bën dhe nesër jo, është para e harxhuar kot, pasi është një efekt që nuk jep rezultatin e duhur,” shprehet Dr. Fatmir Prifti nga “Ryder Albania”.

Edhe Ilir Qefalia që drejton Shërbimin Onkologjik në Banesë shprehet se ekziston “rrisku për rishfaqjen e sëmundjes nga fillimi, nëse [herceptina] nuk merret në rregull.”

Për Tritan Shehun, të mos e bësh në rregull një terapi të standardizuar “është vrasje.”

“Njëherë të mos e bësh çregullohet e gjithë skema, pasi këto që ne aplikojmë janë skema standarde shumë strikte,” tha ai.

Duke preferuar të qëndrojë larg përmendjes së shifrave, ndonëse çdo pacient i trajtuar me kimioterapi duhet të marrë patjetër edhe firmën e saj, doktoreshë Tarifa i shmanget pyetjes nëse mungesa e herceptinës apo mosmarrja e saj në rregull mund të ketë ndikuar në vdekshmërinë.

“Unë nuk di të them shifra konkrete, por mortaliteti në pacientët me kancer gjiri është ulur nga viti në vit. A ka pasur më shumë vdekshmëri, kur kishte më pak herceptinë? Kjo është një pyetje që unë nuk di t’i jap përgjigje, pasi vdekshmëria ka shumë faktorë,” tha ajo.

Doktoreshë Tarifa shprehet se në rastet ku ka pasur mungesa te preparatit është zbatuar një protokoll i veçantë.

“Gratë që nuk e kanë marrë rregullisht e rifillojnë me një “loadingdoze” (dozë sulmi), që është një protokoll që zbatohet në të gjitha vendet në raste të ngjashme dhe që mbulon defektin e krijuar, pasi mungesa e preparatëve të kimioterapisë nuk ndodh vetëm tek ne,” shjegoi Tarifa.

Ndryshe nga doktoresha, QSUT është më e prerë në përgjigjen e saj zyrtare për sa i përket mohimit të çdo supozimi se mungesa e herceptinës mund të ketë ndikuar në vdekshmërinë e pacientëve.

“Bazuar në informacionet e shërbimit onkologjik lidhur me dhënien e herceptinës dhe pasojat reale në shëndetin e pacientëve, specialistët sqarojnë se referuar ‘folloë up’-it të këtyre pacientëve të cilët janë në proces ndjekjeje, nuk rezulton të ketë pasur pasoja,” tha QSUT.

Megjithatë, herceptina nuk është e vetmja mangësi me të cilët pacientet me kancer gjiri përballen në spitalin universitar më të madh në Shqipëri. Prej shumë vitesh, pacientet në QSUT-së kanë pasur vështirësi të bëjnë ekzaminimet që tregojnë stadin e sëmundjes, siç janë SISH apo FISH.

Majlinda Ikonomi, shefe e shërbimit të laboratorit shpreson që tashmë edhe ky problem të zgjidhet.

“Realisht SISH ne e kemi filluar në 2013, u bënë atëherë nja 30 raste dhe pastaj u ndërprenë pasi u prish aparati… e kemi rifilluar në 2017-ën. U bënë sërish një pjesë rastesh, por u ndërprenë,” tha Ikonomi, e cila shpjegoi se SISH dhe FISH janë dy metoda ekuivalente. “Aktualisht kemi rifilluar sërish dhe do të vazhdojmë deri në fund të 2018-ës, sepse u blenë edhe reagentët që duheshin për ekzaminimet e reja,” shtoi ajo.

Amullia e të dhënave

Çdo ministër shëndetësie në 20 vitet e fundit e ka premtuar, por Shqipëria nuk ka ende një regjistër kombëtar të kancerit, duke u bërë kështu i vetmi vend i rajonit që nuk e di dhe nuk raporton me saktësi të dhëna të rëndësishme për këtë sëmundje. Si pasojë, spitalet shkojnë me hamendje, pasi nuk ka të dhëna të sakta as për incidencën- që tregon rastet e reja që preken çdo vit nga sëmundja, as për prevalencën- që është bashkësia e të gjitha rasteve ekzistente në një moment të caktuar në një popullatë të caktuar.

Për ironi, Shqipëria e ka ndërtuar regjistrin e parë të kancerit me ndihmën e OBSH-së që në vitin 1986, dhe ishte pjesë e të gjitha strukturave shëndetësore globale, ku raportonte çdo të dhënë të detajuar. Por ky proces u përfshi nga amullia dhe u prish në fillim të viteve ‘90.

Pas një beteje thuajse 25 vjeçare mes specialistëve, në 2015 u vendos përfundimisht që regjistri i kancerit të ndërtohet nga ISHP dhe tashmë ka nisur për herë të parë grumbullimi i të dhënave nga spitalet publike, private dhe pacientët që kurohen jashtë. Por procesi nuk ka ecuar me shpejtësinë e pritur.

Vetë ISHP, ndërsa referon të dhënat për numrin total të të prekurve me kancer gjiri për periudhën 2010-2016 vendos shënimin që një pjesë e tyre janë ende në proces verifikimi. Ndërkohë, në një tabelë të dytë, ku vë në dispozicion rastet me kancer gjri të diagnostikuara në QSUT, Instituti i Shëndetit Publik, sqaron se mungojnë të dhënat për periudhën 2015 dhe 2016, duke e bërë akoma edhe më të paqartë panoramën e kancerit të gjirit në vendin tonë, pasi rastet më të shumta janë ata që trajtohen në QSUT.

Megjithatë, ajo që vihet re nga të dhëna e ofruara nga ISHP është se konstatohet një rritje drastike e rasteve të reja, por edhe të të prekurve në total me kancer gjiri.

Në vitin 2016, numri i të prekurve me kancer gjiri u rrit me thuajse 1500 të prekur më shumë krahasuar me vitin 2010. I njëjti trend rritës vihet re edhe në rastet e reja të diagnostikuara në QSUT. Numri më i lartë i diagnostikime është shënuar në vitin 2014 me 531 raste të reja. Në vitin 2015, pranë spitalit Onkologjik në QSUT janë diagnostikuar 256 raste të reja.

Piku i rasteve të reja të raportuara nga QSUT ka ngecur edhe punën e ISHP-së për plotësimin e panoramës së kancerit në vend.

“Çdo vit në QSUT janë paraqitur mesatarisht 350 raste të reja me një prirje të lehtë rritjeje dhe me një pik prej 433 rastesh në vitin 2013. Ndërkohë që vazhdon puna për verfikimin individual të rasteve për 2014-ën, këtë vit janë grumbulluar edhe raste të reja të raportuara nga spitalet private dhe rajonale. Pas raportimit të rasteve të reja individuale edhe nga QSUT për 2015 do të mund të vlerësohet një shifër edhe më afër reales për këtë indikator,” sqaron ISHP, duke shtuar se duke filluar që nga viti 2015, INSTAT nuk e raporton kancerin e gjirit si nozologji më vete në raportimet mbi vdekshmërinë, çfarë e bën edhe më të vështirë plotësimin e panoramës.

Barra e kësaj sëmundjeje ka ardhur duke u rritur nga viti në vit. Megjithatë, ekspertët janë optimistë, pasi sipas tyre kjo tregon që gjithmonë e më shumë gra po shkojnë drejt sistemit shëndetësor. Për këtë ata i referohen volumit të ndërhyrjeve dhe shtrimeve në QSUT, që sipas ISHP ka pësuar rritje. Por çdo e dhënë duhet marrë me rezervë, pasi nuk është verifikuar përfundimisht.

Shahin Kadare, ndër të parët mjekë onkologë që ka punuar për ngritjen e regjistrit të kancerit në vitet ’86-‘87 thotë se aktualisht jemi shumë larg asaj që ishte arritur 30 vjet më parë.

“Çfarë do të thotë jemi në proces verifikimi individual? Nëse i ka raportuar spitali, çfarë do të verifikojnë? Jemi krejtësisht në rrugë të gabuar,” shprehet ai. “Unë ua kam thënë edhe atyre që po merren prej dekadash me ngritjen e regjistrit; nëse arrijnë të bëjnë atë që ne bëmë në vitet 87-’88-’89, atëherë janë në rrugë të mbarë dhe mund të mendojnë për të ardhmen. Por këta nuk janë gjëkundi. Ka vetëm fjalë, por asgjë konkrete,” shtoi Kadare.

Sipas Kadaresë, mungesa e regjistrit ka krijuar shumë probleme për mjekët, për shkak se nuk kanë informacion se sa është incidenca, që do të thotë se ne nuk e dinë sa raste të reja preken nga kanceri çdo vit dhe si pasojë nuk bëjnë dot parashikime për sasinë e barnave që na duhet.  Për shak të mungesës së regjistrit, mjekët nuk kanë informacion as sa është prevalenca, që janë rastet e reja dhe rastet ekzistuese.

“Në mjekësi nuk ecet me përafërsi, me hamendje, sepse ato të çojnë në qorrsokak dhe këtu bëhet fjalë për jetë konkrete njerëzish,” tha Kadare. “Ne duhet të dimë dimë jo vetëm rastet e reja, por edhe në çfarë stadi vijnë këto raste, sa është vdekshmëria, sa është mbijetesa, sa efikase janë kurat që bëjnë.. kur i ke të dhënat për të gjitha, bën edhe llogaritë për secilën gjë. Por nëse nuk grumbullohen këto të dhëna, atëherë do të vazhdojmë të jemi për fat të keq, i vetmi vend pa regjistër kanceri dhe që ecim me hamendje,” shtoi ai.

Dr. Fatmir Prifti nga “Ryder Albania” bie dakord me kolegun Kadare, ndërsa nënvizon se të punosh pa regjistër është sikur të punosh në errësirë.

“Ne nuk dimë sa të sëmurë me kancer ka në vit, sa me kancer gjiri janë konkretisht, sa vdesin, sa shërohen…regjistri i kancerit do të jepte një panoramë të gjendjes, po përmirësohet, po përkeqësohet, po jep rezultat një fushatë apo një nismë,” tha ai, duke nënvizuar se informacioni kufizohet kryesisht te rastet që vijnë të spitali Onkologjik.

“Pavarësisht se rastet më të shumta sigurisht atje janë, por një pjesë shkojnë jashtë, një pjesë në privat. Dhe pa ditur këto të dhëna, t’i nuk je në gjendje të bësh edhe parashikime të sakta në medikamente apo në kimioterapi. Regjistri kombëtar i kancerit është si një ligj që të gjithë institucionet duhet të japin të dhëna,” shtoi ai.

Dr. Shahin Kadare, që aktualisht është mjek në pension, shprehet se ISHP ka dështuar me regjistrin pasi ka marrë shumë kunguj nën një sqetull.

“Unë mendoj se duke qenë se disa nga ministrat e shëndetësisë kanë ardhur nga ISHP, kanë dashur ta mbështesin pa të drejtë këtë institucion duke i dhënë disa kompetenca më shumë se sa ai vetë mund të përballojë,” tha Kadare

“Sa herë bie epidemi gripi del ISHP, për HIV/AIDS po prapë ISHP, për sifilizin po ISHP, për vaksinat ISHP, për kancerin po prapë ISHP…është e pamundur të bëjë gjithçka ISHP. Duhet të ketë një plan konkret, një person përgjegjës konkret, jo të shpërndajnë përgjegjësitë dhe pastaj askush nuk mban përgjegjësi përse nuk u bë një gjë,” shtoi Kadare.

Ndryshe, doktoresha Silva Çeliku nuk mendon se ISHP-së i ka munguar vullneti për të ngritur regjistrin, por ajo ankohet se këtij institucioni i mungojnë fondet.

“Regjistri i kancerit ka një vlerë të jashtëzakonshme. Ne kemi regjistrin spitalor [në Onkologjik], por ka ndryshim nga ai kombëtar…kam përshtypjen që ana financiare është ajo që nuk po bëhet, se mjekësi falas nuk ka,” tha Çeliku.

“Duhet të rishikohet ligji për siguracionin e shëndetit. Kush do shërbim të mirë, duhet të paguajë për të,” shtoi ajo.

Dështimi i decentralizimit

Me qëllim uljen e mbingarkesës së spitalit Onkologjik në QSUT, në tetor 2014 ministria e Shëndetësisë filloi hapjen e një numri kabinetesh tumorale në disa rrethe të vendit ku do të ofrohej dhe shërbimi paliativ për pacientët.

Tre vjet më vonë, ekspertët shprehen së këto klinika tashmë kanë dështuar.

“E dini çfarë janë këto kabinetet që janë hapur në rrethe? Asgjë më shumë veçse një shërbim ambulator…kanë vetëm një mjek onkolog që nuk bën asgjë vetë. Dhe për kimioterapinë e marrin konfirmimin nga Onkologjiku në Tiranë se çfarë protokolli do të bëjë x pacient, dhe kjo jo për të gjitha llojet e tumoreve, por vetëm për dy-tre nozologji,” shprehet Dr. Fatmir Prifti. “Të tjerët duhet të vijnë prapë në Tiranë për të bërë terapinë,” shtoi ai.

Dr. Prifti shprehet se Shqipëria ka nevojë për një spital multidisiplinar që të ketë kirurg, radiolog, kimioterapeut dhe radio terapeut.

“Spital kemi vetëm në Tiranë, Onkologjikun, të tjera janë ende vetëm shërbime ambulatore për të bërë një injeksion, apo për të dhënë kujdes paliativ,” tha ai. “Por kjo do lekë, nuk bëhet me 2.8% të buxhetit që i kanë dhënë shëndetësisë,” shtoi Prifti.

Ndryshe nga Prifti, doktoreshë Silva Çeliku nuk e sheh kaq ‘bardh e zi’ këtë nismë dhe i var shpresat tek hapja e specializimeve.

“Kabinetet nëpër rrethe janë nisur fillimisht për të bërë kujdesin paliativ, por me hapjen e specializimeve postuniversitare, do të fillojnë të kompletojnë këto spitale,” tha ajo.

Sipas Çelikut, momentalisht këto klinika nuk vendosin diagnoza apo terapi, po rastet kur dyshojnë ata i referojnë në Onkologjik.

“Është një hap i vogël, por po mundohen të hapin kabinete për të bërë kimioterapinë pasi një pacienti nga Tropoja i kushton edhe rruga të vijë deri në Tiranë,” tha Çeliku. “Por sigurisht që të bësh si duhet kimioterapinë do eksperiencë, do kualifikim, pasi ndonjëherë ka komplikime që janë baras me vdekje dhe mjeku duhet të jetë tepër i kujdesshëm e i aftë,” shpjegoi ajo.

Ekspertët mendojnë se në situatën që vendi ynë po përballet me sëmundjet tumorale dhe specifikisht me atë të gjirit, ka nevojë për programe kombëtare depistimi dhe jo fushata 1 mujore sensibilizimi me mamografi falas – siç janë bërë deri tani nga Ministria e Shëndetësisë.

“Nëse do të kishim një program ‘screening’ tumoresh situata do të ishte krejt ndryshe. Fushatat një mujore nuk janë zgjidhje,” tha Çeliku. “Depistimet e vogla, të kufizuara, në zona të kufizuara kanë vlerat e tyre, por ka ardhur koha që të kemi një program nacional të luftës kundër kancerit të gjirit,” përfundoi ajo.

Të fitosh luftën me kancerin

Kur Bruna Alimerkaj u diagnostikua me kancer 12 vjet më parë, ajo ishte vetëm 30 vjeç dhe me një fëmijë të vogël që e ushqente me gji.

“Bëra një ndërhyrje kirurgjikale në Onkologjik, ku hoqa një të katërtën e gjoksit. Mjekët më thanë të mos shqetësohesha për asgjë, pasi biopsia kishte dalë e pastër dhe nuk kishte asnjë dyshim për tumor,” kujton ajo.

Mjekët i thanë të vazhdonte jetën e qetë, por shumë shpejt ajo do të mësonte se biopsia e realizuar në QSUT nuk ishte e saktë dhe kanceri do të rikthehej frikshëm.

“Nëse do të kisha qenë pak më shumë e informuar siç jam tani, do ta kisha kuptuar se spitalet tona pak gjëra mund të bëjnë, madje dhe atë që e bëjnë nuk dihet asnjëherë se si e bëjnë, dhe ndoshta mund ta kisha parandaluar atë që do vinte më pas,” rrëfen Brunilda.

Një vit pas ndërhyrjes në gjoks, ajo filloi të ndjejë sërish shqetësime, këtë herë shumë më të mëdha. Brunilda i drejtohet sërish Onkologjikut, ku doktori i sugjeroi që nëse kishte mundësi, të shkonte për një ekzaminim më të mirë jashtë Shqipërisë. Ajo shkon në Greqi, ku biopsia tregoi se ishte e prekur nga kanceri i gjirit. Mjekët në Greqi i thanë  se nëse kanceri do të ishte kapur që në biopsinë e parë, shanset për ta luftuar do të ishin më të larta. Që nga ai moment për Brunildën filloi një kalvar i vërtetë peripecish shpirtërore, por edhe financiare në spitalet greke.

“Po flasim për vitin 2006 ku shumë gjëra nuk bëheshin, ndaj vendosa të ndjek të gjitha kurat në Greqi, ndonëse shumë të shtrenjta për xhepin tim prej mësueseje. Por jeta më ishte më e shtrenjtë,” tha ajo.

Kur mendonte se kanceri e kishte braktisur përfundimisht trupin e saj, 4 vjet më parë Brunilda konstatoi se tumori këtë herë i ishte rikthyer shumë më agresiv. Gjatë një ekzaminimi rutinë në Onkologjik në Tiranë, mjekët konstatuan se tumori i ishte rishfaqur sërish.

“Sërish mjeku, për të qenë më i sigurtë në përcaktimin e diagnozës më sugjeroi që të shkoja jashtë Shqipërisë për një rikontroll dhe ashtu bëra,” kujton ajo. Për fat të keq dyshimi i mjekëve të Tiranës u vërtetua. Edhe këtë herë ajo zgjedh një spital të huaj për të luftuar sëmundjen.

Brunilda vendos të shkojë në Bergamo të Italisë për t’u kuruar pasi aty banonte dhe e motra dhe nga eksperienca që kishte pasur me spitalet shqiptare, e kishte humbur besimin tek to. Tumori këtë herë ishte shumë më agresiv dhe beteja do të ishte më e fortë.

“Gjatë 8 muajve kimioterapi në Itali kam prekur disa herë fundin, por kur mendoja se kisha lënë dy vajzat në Shqipëri që prisnin të kthehesha, vendosa ta “kafshoj” unë kancerin dhe jo ai mua,” tha ajo.

Lufta e Brunildës me kancerin nuk ka përfunduar ende. Mundësitë e rikthimit janë ende të mëdha, ndaj që prej tre vitesh është futur në terapi me herceptinë, të cilën e merr çdo 21 ditë në Itali. Për t’u kuruar jashtë, ajo dhe familja e saj janë zhytur në borxhe.

Ka lënë peng çdo pasuri, madje edhe rrogën që merr, por sërish ajo thotë se do të bëntë të njëjtën gjë, pasi është kjo arsyeja që ajo ende sot përqafon dy vajzat e saj. Brunilda i tha BIRN se pas shumë viteve nëpër spitale nuk ka më besim tek sistemi shëndetësor shqiptar dhe mënyra se si ai funksionon, dhe as tek deklaratat e politikanëve.

“Besoj se mjekët shqiptarë janë heronjtë e pacientëve, bëjnë aq sa munden, me atë që kanë në dispozicion, por nëse reagentët që përdoren për biopsinë nuk janë të duhurit, ky nuk është faji i mjekëve. Nëse mungon herceptina, nuk është faji i mjekut,” tha Brunilda. “Mund të them me siguri se nëse do të kisha qëndruar në Shqipëri sot nuk do të jetoja më,” shtoi ajo.

Situata kaotike e sistemit shëndetësor në Shqipëri evidentohet edhe nga Donjeta Zeqo, e cila nënvizon që përveç sëmundjes së rëndë, pacientet me kancer gjiri marrin një trajtim jo dinjitoz në spital.

“Të gjithë duhet të vijnë të përplasen në QSUT, edhe nga rrethet. Të mos flasim kur nis trajtimi, kimioterapia ka efekte shumë negative dhe ata vijnë dhe rrinë me orë të tëra në pritje aty te dera derisa bëjnë kurën,” tha Zeqo.  “Nuk respektohet asgjë: vjen ai i Durrësit dhe mbaron punë më shpejt se ai i Tropojës apo i Tepelenës. Nuk ka kulturë, futen dy pacientë, dhe të tjerët duhet të presin 2 orë derisa të mbarojnë seancën, e kështu me radhë. Është shumë dërrmuese dhe duhet gjetur një zgjidhje për këtë,” këmbëngul ajo.

Megjithë veshtirësitë me të cilat pacientet përballen, Brunilda është e bindur se kanceri është një sëmundje që nuk kalohet vetëm, por gratë e prekura kanë nevojë për mbështetjen e të afërmve të cilët duhet t’i japin forcën shpirtërore për ta mundur.

“Kur e mora vesh se isha me kancer, sigurisht që ia bëra pyetjen vetes: përse unë? Kam jetuar gjithmonë shëndetshëm, s’kisha asnjë person në familje të prekur…dhe më e keqja e kësaj sëmundjeje është se të transformon edhe si njeri,” tha ajo.

“Por për fat unë kam pasur gjithmonë pranë njerëz që më kanë dhuruar pa fund dashuri dhe nuk jam ndjerë kurrë vetëm. Njerëz të familjes, shoqëri, punjësit e bashkisë së Mallakastrës që për mua janë super mbështetës,” përfundoi ajo.

/Esmeralda Keta/ BIRN