.

Vranë adoleshenten dhe e hodhën në pyll, zbardhet krimi pas 30 vitesh, ADN zbulon dy kriminelët

Dy burra janë arrestuar për vrasjen e një adoleshenteje gjermane, krim që ka ndodhur në Irlandën e Veriut 30 vjet më parë. Ata vranë Inga Maria Hauser në prill të vitit 1988. Trupi i saj u gjet i hedhur në një pyll. Adoleshentja nga Mynihu u pa për herë të fundit e gjallë 14 ditë para se të gjendetj e vdekur. Vdekja e 18-vjeçares është një nga vrasjet më të bujshme të zonës, një krim për të cilin është hetuar 30 vite dhe që duket se vetëm tani Policia ka rënë në gjurmët e vrasësve falë provave të AND-së.
Të dy të dyshuarit, sot janë 58 dhe 61 vjeç, dhe po merren në pyetje nga policia. Në prill, hetuesit thanë se ishin të mendimit se një numër njerëzish mund të ishin përfshirë drejtpërsëdrejti në vrasjen ose në fshehjen e mëvonshme të krimit. Policia ka në duar një profil gjenetik mashkullor të gjetur në skenën e vrasjes qysh atëherë.
Shumë vite më parë u morën 2000 mostra që nuk arritën të nxirrnin asnjë përfundim. Para vdekjes së saj, znj. Hauser kishte udhëtuar në Angli dhe Skoci dhe sipas të dhënave të ditarit kishte për qëllim të udhëtonte në jug të Dublinit.


Por për arsye që ende nuk janë sqaruar, ajo përfundoi duke shkuar në drejtim të kundërt dhe u gjet e vdekur në pyllin e largët të Irlandës. “Nëse ka ndonjë dëshmitar ende atje me ndonjë informacion të mëtejshëm që mund të ndihmojë policinë atëherë unë do t’u kërkoj atyre të vijnë përpara tani dhe të flasin me detektivët,” tha shefi i Policisë.


“Edhe nëse ka njerëz që e dinë se çfarë ka ndodhur, por kanë qëndruar të heshtur nga miqësia apo lidhjet familjare, ende nuk është tepër vonë për të ardhur dhe për të na treguar se çfarë dini. Fshehja për ta bërë këtë mund të jetë një vepër penale në vetvete dhe me siguri do të ishte më mirë të vinit në polici dhe të diskutonim se çfarë ka ndodhur, në vend që të merrni rrezikun që do të vijmë ne tek ju dhe të zbulojmë se jeni bashkëpunëtorë apo fshihni informacione të vlefshme,” thanë më tej përfaqësues të Policisë. Të dy burrat janë të dyshuarit kryesorë dhe po merren në pyetje nga detektivët, ndërkohë që po kërkohen ende prova dhe dëshmitarë për të vërtetuar implikimin e tyre në këtë vrasje makabre të një vajze të re që sot do të ishte 48 vjeç. Përktheu, hapur.al