.

‘’Tahiri është kërcënuar dhe detyruar të dorëzojë mandatin’’


Artur Zheji
Shumica e njerëzve dhe e opozitarëve gjykojnë se dorëheqja që bëri Saimir Tahiri nga mandati i deputetit, është një favor që ish ministri, po i bën Ramës, për të lehtësuar katastrofën e pësuar në Berlin.
Madje kësaj i shtohet edhe një tezë, që lidhet me një tjetër marrëveshje të panjohur, sipas të cilës Saimirit, do ti pushohet brenda një kohe të shkurtër krejt çështja e ngritur dhe ai do të marrë pafajësinë.
Mbi këto kushte dhe garancira, ish ministri elokuent, plot emocione dhe emocionues i publikut, deklaroi dorëheqjen duke prerë me shpatë, sa majtas edhe djathtas, ndaj të gjithëve, përjashtuar Ramën.
Madje Tahiri na kujtoi se “shitja e Ramës”, ishte një nga “rrugët e shpëtimit”, që i është parashtruar, për të shkarkuar mëkatet tek më i “madhi”.
Në të vërtetë, vetëm një budalla mund ta besojë se dorëheqja e Sajmes, është thjesht një rastësi dhe që s’ka lidhje me Berlinin, Krichbaumin dhe bisedën kokë më kokë, Merkel-Rama.
Pra dukshëm ka pasur një kërkesë, të cilën ndërmjetësit e Ramës, kundrejt “garancive”, ja kanë parashtruar ish ministrit në hall.
Ndoshta kjo është hera më e fundit që Sajmja i beson kryeministrit, ose bën sikur ende i beson sadopak.
Pra, ose Sajmja është një aktor nga më të mirët në Europë ose ai, sot dukshëm dhe hapur e ka mbyllur përfundimisht çdo pakt të mundshëm me Ramën.
Mund të thuhet pra se ai, Saimir Tahiri, e ka fituar tashmë “lirinë” e vet nga Rama, sepse ndërmjet të dyve ka vetëm një marrëdhënie të fortë Mosbesimi.
Por mbetet enigmë se, përtej fjalëve, kush e shtrëngoi ish ministrin të dorëzojë mandatin e deputetit?
Është ky një veprim kalorsiak?
Është ky një vendim i këshilluar me avokatët, apo është një veprim nën trysninë e një kërcënimi?
Nëse ka kërcënim, nga kush vjen ky, kërcënim?
Duke komunikuar personalisht si gazetar me Tahirin, ai e mohon rreptësisht këtë gjë, madje nënvizon se “u ka shpallur betejë të gjithë atyre që nuk besojnë te ai dhe te e drejta e tij…”
Është kjo e mundur? Sigurisht që po, por është ende dhe në të njëjtën kohë po aq e dyshueshme, sepse del krejtësisht jashtë logjikës së manovrave politike shqiptare dhe jo vetëm.
Një gjë është e qartë, Tahiri është kërcënuar dhe është detyruar të dorëzojë mandatin parlamentar që e mbronte deri tani, prej arrestimit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe kjo është në disfavorin e tij.
Por, a i ka depozituar dhe ruajtur në një vend të sigurt dhe ndër njerëz të sigurt e besnikë, ish ministri Tahiri, përgjimet, dosjet, faktet e mbledhura gjatë ushtrimit të detyrës së tij të lartë dhe më afër se gjithkush me burimet sekrete të informacionit?
Kjo edhe është Kryegarancia, që i mbron atij jetën dhe padyshim themeli i imunitetit të tij të sotëm, si jo parlamentar.
Por sidoqoftë përplasja e madhe Rama-Tahiri është thjesht çështje kohe… /360grade.al/