.

Turistë dhe çekiçë

Nga Dritan Kaba
Vetëm 7 metra nga bregu i detit Bashkia e Sarandës ka rikonfirmuar një leje të një pallati 8 katsh. Një leje e dhënë në vitin 2010, kryetarja e ka ridhënë në 2017!!!
Këtë sezon turistët në vend të zhurmës së detit dhe cicërimave të zogjve do të dëgjojnë çekiçët e ndërtimeve buzë detit.
Flladi i Ngushticës së Korfuzit do të zëvendësohet nga pluhuri i bardhë i gurëve të thyer.
Bashkia dhe kryetarja para se të rinovojë këto leje në det duhet të merret me rregullimin e kanaleve të ujërave të zeza që vazhdojnë qetësisht të shkarkojnë në plazhin publik!
Bashkia në këtë kohë duhet të ishte e gjitha në këmbë për tu mos u përsiritur skandalet e vjetshme në Ksamil dhe kudo në plazhet e Sarandës merret me rinovime lejesh që jo vetëm ju ka kaluar koha, por janë edhe në kundërshtim me çdo ligj të urbanistikës.
Ndërsa kur dëgjon sërish këngën e çekiçëve, që për pak kohë kishin heshtur, të vjen ndërmend edhe INUK që nuk është vetëm për të prishur shtëpitë e të pambrojturve por edhe për të kontrolluar ligjishmërinë e lejeve të ndërtimit.
Po ashtu edhe prefekti nuk ka për detyrë të dalë si sfond i ministrit të Turizmit por të kontrollojë edhe ai ligjiishmërine e lejeve të bashkive.

Bashkisë Sarandë tani i ka ngelur vetëm të mbyll edhe gjirin e Sarandës për të vazhduar të jap leje në det tashmë, se bregu nuk ekziston më!