.

Rama si kryetari i bashkisë së “qytetit gjerman”

FITIM ZEKTHI*/ Ka dy arsye themelore pse çelja e negociatave për anëtarësim në BE nuk iu premtua Kryeministrit Rama nga takimi me Kancelaren gjermane, Angela Merkel. Pavarë- sisht një propagande të tmerrshme pesëvjeçare për “reforma dhe arritje të mëdha, për luftë ndaj krimit, për ndërprerje të lidhjeve të krimit me politikën, për rritje të ekonomisë, ulje të borxhit, për jetësim të sundimit të ligjit etj.”, Shqipëria është sot ajo që ishte për regjisorin Rainer Fassbinder qyteti i vogël gjerman, Coburg, pas Luftës së Dytë Botërore: një qeverisje e kontrolluar nga biznesi klientelist, krimi dhe korrupsioni. Në filmin “Lola”, regjisori flet për një qytet, Coburg, në të cilin gjendet një bordello.

fitim-zekthi1

Në të shkojnë shumë burra të rëndësishëm të qytetit. Në të shkon kryetari i bashkisë, shefi i policisë, gazetari, njerëz të administratës, një revolucionar që punon në bordello si muzikant dhe njerëz të thjeshtë. Në shumicën e rasteve këta burra takohen me njëritjetrin në banjën e bordellos, ku duket se bashkë me duart lajnë edhe “turpin” që u zbuluan se shkonin aty. Bordelloja është në pronësi e ndërtuesit më të madh të qytetit. Tërë jeta ekonomike e politike e qytetit rrotullohet rreth ndërtimeve të tij. Ndërtesat bëhen gjithnjë e më të larta, parqet gjithnjë e më të ngushtë. Kryetari i bashkisë flet për zhvillim dhe lulëzim të qytetit, ndërkohë që ai shkatërrohet përditë. Biznesmeni ndërtues, por edhe njerëz të tjerë të rëndësishëm të administratës apo pushtetit ka qenë dikur i varfër dhe e përshkruan veten si “proletar”, duke justifikuar kështu pangopësinë e tij për para, alkool, ushqim apo seks. Nga qeveria qendrore vjen një kontrollor i ndershëm që kërkon të vendosë rregull. Ai këqyr krejt dokumentet dhe bën një dosje të madhe me parregullsitë që gjen. Shkon te gazetari, por atij asgjë nuk i duket skandaloze, pasi parregullsitë vërtet janë shumë, por janë të vogla. Ndërtuesi ka menduar me kohë për gazetarin. Sigurisht që ndërtuesi është kujdesur të ujdisë mirë edhe shkresat. Kontrollori pezullon lejet e ndërtimit të një projekti shumë fitimprurës. Për këtë, fiton inatin e kryendërtuesit, kryetarit të bashkisë, shefit të policisë etj.. Edhe revolucionari zemërohet madje, sepse ai kërkon revolucion dhe jo ndalimin e një projekti. Ka një ngërç të vërtetë, një pezulli të ankthshme deri sa kontrollori i ndershëm bie në dashuri me kryekurvën e bordellos, e cila është dashnorja e ndërtuesit të madh. Dashnorja e ndërtuesit shtiret si tjetërkush për t’ia fituar zemrën zyrtarit. Kontrollori fejohet me kryekurvën e bordellos. Në fund, revolucionari, që punon në bordello, e merr kontrollorin në bordello ku ai sheh kryekurvën që punon dhe këndon aty. Zyrtari bie në dëshpërim, por në fund vendos të martohet. Ndërtuesi më pas merr lejen e ndërtimit të projektit të madh të pezulluar dhe bëhet dëshmitar i parë në martesën e çiftit në kishë. Si dhuratë për dasmë, ai i jep çiftit të drejtën të marrin gjithë të ardhurat e bordellos. E menjëherë pas dasme, ndërkohë që zyrtari shkon të inspektojë sheshin e ndërtimit, kryendërtuesi e merr në shtrat nusen e sapomartuar me fustan të bardhë. Në shumë aspekte, Shqipëria sot është ky qytet në Gjermani. Ndërtuesit dhe biznese të tjera të rëndësishme marrin leje për kulla, shkatërrojnë ato pak metra lulishte, prishin atë pak godina të vjetra, prishin stadiumin, teatrin, kinematë. Kryetari i qeverisë dhe ai i bashkisë, qeveritarët e lartë jo vetëm i miratojnë, por flasin për zhvillim të qytetit në lartësi, për krijim hapësirash të reja, për ndërtim teatrosh dhe stadiumesh të reja.

Gjyqtari dhe prokurori i legjitimojnë këto leje. Ministri i Brendshëm, shefi i Policisë jo vetëm që nuk bën zë, por ndihmon (sidomos në mbjelljen e hashashit, ndihmën ndaj trafikantëve etj.). Shumica e gazetarëve, analistëve dhe pronarëve të mediave, bash si në filmin “Lola” nuk shohin ndonjë skandal. Tërë jeta ekonomike, por edhe politike e Shqipërisë rrotullohet tek ajo që bëjnë këto biznese të mëdha të lidhura me qeverinë, te ndërtuesit, te tregtarët e mëdhenj dhe (ndryshe nga qyteti gjerman) trafikantët e hashashit dhe kokainës. Këta bëjnë ligjet, këta mbajnë në këmbë qeverinë, këta prodhojnë lajmin që duan në media, këta fshehin atë që duan dhe zbulojnë atë që duan, këta “financojnë” projektin që duan etj..

Sa për takimet e sikletshme në banjat e bordellove kur lajnë duart, ato mund të ndodhin vetëm në udhëtimet jashtë. Kjo gjendje duket ashiqare dhe është e pamundur të fshihet, çfarëdolloj propagande të bëjë qeveria shqiptare. Nuk ka mbetur më njeri të mos e shohë këtë gjë. Kjo gjë ka prekur pikën fundore dhe duke qenë se jo vetëm ka futur në qorrsokak Shqipërinë, ajo është kthyer në problem, edhe për vendet e BE-së me emigrimin masiv dhe me eksportin e krimit dhe drogës. Kështu që Kancelarja Merkel dhe deputetët e Bundestagut nuk mund të “mahniten” nga ato që thotë Kryeministri dhe ndaj ka hezitim për çelje të negociatave. Kjo është arsyeja e parë. Arsyeja e dytë ka të bëjë me konjukturën politike brenda Gjermanisë. Kancelarja Merkel është sot shumë më e dobët në partinë e saj CDU.

Rezultati i zgjedhjeve të para pak muajve e vuri në zgrip të largimit nga politika duke qenë se nuk mori vota mjaftueshëm, për të formuar një qeveri të koalicionit të saj dhe duke qenë se mori shumë më pak vota se para katër viteve. Zgjedhjet gjithashtu i dhanë një peshë shumë më të madhe të djathtës ekstreme të AFD-së, e cila u rrit në kurriz të CDU-së. Partia liberale FDP nuk mori vota për të qenë një faktor dhe socialdemokratët e SPD-së morën një rezultat shumë të keq. Pra, rritje pati vetëm AFD e ekstremit të djathtë dhe Die Linke e të majtës komuniste, e cila, me shumë gjasa, është rritur në kurriz të SPDsë apo edhe FDP-së. Socialdemokratët e SPDsë me shumë zor pranuan një koalicion qeveritar me CDU. Koalicionet e deritanishme tetëvjeçare të SPD-së me CDU gati e shkatërruan SPD-në dhe ajo frika e shkatërrimit të mëtejshëm e refuzoi për disa muaj koalicionin e madh bashkëqeverisës.

Në këtë koalicion SPD është sot shumë më e dobët. Ndërkohë, CDU është shumë e fortë se sa SPD, por vetëm brenda koalicionit, pra, vetëm në raport me SPD-në. Në dinamikën politike të Gjermanisë Kancelarja Merkel është sot shumë më e dobët përballë deputetëve konservatorë të CDU-së dhe përballë nevojës për të përballur qëndrimet e ashpra të AFDsë. Kështu, Merkel për shkak të të qenit më e dobët përballë figurave të CDU-së dhe për shkak të presionit të AFD-së e ka të pamundur ta shohë Ramën si politikan reformator, pra, e ka të pamundur të mbyllë një sy përballë qytetit gjerman të filmit “Lola”. Tashmë, nuk ka më një Sigmar Gabriel, ministër i Jashtëm i Gjermanisë, i së majtës SPD, që flet broçkulla në mbrojtje të Ramës, që sheh te Rama një kryeministër që punon të reformojë vendin. Ministri i Jashtëm Heiko Mass vërtet është i SPD-së, por është shumë më i dobët në koalicionin qeveritar nga sa ishte Sigmar Gabriel. Rama tashmë e ka mbyllur ciklin e politikanit që po bën “reforma” të rëndë- sishme dhe që shihet nga Gjermania si zgjidhja e duhur. Tashmë ai është vetëm kryetari i bashkisë i qytetit gjerman të filmit “Lola”.

*Pedagog, Shkenca Politike