.

Cilin Lu të besojmë e dëgjojmë; atë të Rrëshenit apo atë të Fevziut?!

Shkruan: Poli Hoxha

Mbrëmjen e djeshme, ambasadori i SHBA në Tiranë Donald Lu, gjatë një interviste për Blendi Fevziun në emisionin e tij “Opinion” dha një përgjigje amorfe, për protestën e kuksianëve dhe aksionin politik të opozitës, e cila thotë se kërkon rrëzimin e qeverisë Rama, nëpërmjet “mosbindjes civile”.

Nga njëra anë ai theksoi, se çdo protestë është legjitime në demokraci, kurse nga ana tjetër “kërcënoi” me burg!

Për protestën e kuksianëve, të cilët arritën të bëjnë atë që bënë në traun e Kalimashit që ka vënë Rama së bashku me koncesionarin, tha se dhuna duhet të përballet me pasoja ligjore. Kurse për “mosbindjen civile” dhe më konkretisht për aksionin e bllokimit të rrugëve si mesazh ndaj qeverisë së shurdhët të Ramës, ai deklaroi se ata që e bëjnë këtë duhet të jenë të gatshëm, që të shkojnë në burg.

“Në çdo demokraci njerëzit kanë të drejtë të ngrenë zërit. Nëse përdorin dhunë apo nuk paguajnë taksa, njerëzit duhet të jenë të gatshëm të përballen me pasojat ligjore. SHBA ka traditë të gjatë me mosbindjen civile. Ata protestues në Shtetet e Bashkuara që kanë bërë mosbindje civile, kanë qenë të gatshëm të shkojnë edhe në burg”, tha tekstualisht për këtë çështje, ambasadori Lu.

Ambasadori theksoi se në çdo demokraci njerëzit kanë të drejtë zërin, por nuk mundi të shpjegojë dot (ose nuk donte), se si mund të sillesh me një qeveri, që as e dëgjon dhe as e pyet popullin për vendime, që kanë të bëjnë direkt me xhepin e tyre dhe mbijetesën.

Çfarë duhet bërë me një kryeministër, që e quan popullin e vet “organ gjenital i lodhur”, të cilit nuk i ngrihet koka çfarëdo që ti bësh?!

 Me një qeveri, që ngre stadium dhe teatro me kulla oligarkësh brenda; që rrit taksat e biznesit të vogël e të mesëm, me një të rënë të lapsit; që kërkon të mbush vrimat në buxhetin e shtetit të vënë në shërbim të 4-5 biznesmenëve me paratë e ndihmës së mbijetesës; që bën ligje për importin e plehrave kur nuk menaxhon dot ato që ka këtu brenda; që jep dhjetëra milion euro parapagim, për incenerator që do të helmojnë ajrin e jetën e banorëve ku do të ngrihen; që jo vetëm nuk ka sjellë në Shqipëri ndonjë investitor të huaj, por ka përzënë edhe ata pak që gjeti kur erdhi në pushtet; që  ka 5 vjet që as rrit rrogat e pensionet dhe as i indekson ato, ndërkohë që çmimet e ushqimeve kanë shkuar në stratosferë; që nuk ndërton dot asnjë kilometër rrugë, edhe pse ka dhjetëfishuar taksën e qarkullimit?!

Jep koncesione e leje në lumenj e bregdet, pa asnjë garë, transparencë dhe konsultim me banorët dhe opinionin; një kryeministër që mbjell e shkul palma në miliona euro, ndërkohë që nga ana tjetër nuk mbaron dot as 10 kilometra të autostradës, Tiranë-Elbasan?!

 Një Ramë arrogante e cinik, që tall e sulmon njerëzit e thjeshtë kur e kritikojnë, vetëm nga emri apo fotot që kanë në Facebook?!

Një Edi Ramë që “bën shtet” duke futur fukarenjtë në burg, për një faturë dritash apo sahat uji të pavënë, por mbron Tahirin dhe nuk arreston bashkëpunëtorët e tij drejtorë policie, që ngritën skemën më kriminale të parë ndonjëherë, kanabisimin e vendit?!

Si mund të sillesh me një qeveri ministrash multilmilionerë të shkëputur krejtësisht nga realiteti, që tallen hapur me popullin më të varfër në Europë; që shpërndan qindra milion euro për Vilma Nushin dhe oligarkë të tjerë, kurse nga ana tjetër i thotë nënshtetasve të vetë, që të paguajnë taksë për rrugët që i kanë paguar njëherë?!

Çfarë gjuhe dhe logjike mund të kuptojë një kryemistër që pa ju dridhur qerpiku, paratë e buxhetit të shtetit, nuk i llogarit si të popullit dhe të marra prej tij?!

Që nuk ndërton dot një shkollë, kopsht, spital apo një lulishte ku të luajnë fëmijët, por përkundrazi mbjell kulla për miliarderë, që nuk paguajnë as taksa për ato?!

Mjafton vetëm të ngresh zërin që përplaset në vesh të shurdhët, zotit Lu?!

Një orë protestë e kuksianëve mjaftoi, që e gjithë Shqipëria të kuptojë se çfarë lloj “ngritje zëri” dëgjon dhe kupton ku lloj kryeministri.

Vetëm 6 muaj më parë, ambasadori Lu, gjatë një takimi me një grup të rinjsh në Rrëshen ju tha atyre me gojën plotë, se nëse qeveria nuk ju përgjigjet; ju keni të drejtë ta rrëzoni atë.

“Ju jetoni në demokraci. Ju duhet të kërkoni dhe nëse qeveria nuk ju përgjigjet, ju e rrëzoni atë. Kështu funksionon demokracia”, porositi ai popullin shqiptarë 6 muaj më parë.

Vini re me kujdes fjalorin që përdor; rrëzojeni!

Jo largojeni siç duhet të ndodh rëndom në një demokraci normale, ku qytetarët e ndëshkojnë qeverinë e tyre me votë

Dhe sot përfundimisht, pa asnjë dilemë, të gjithë shqiptarët e kanë të qartë që kanë të bëjnë me një kryeministër dhe një qeveri, që jo vetëm nuk i dëgjon dhe natyrisht nuk ka si tu përgjigjet, por edhe i rrjep dhe tall duke i quajtur; “ai miku që nuk ngrihet dot”.

Cilin Donald Lu të besojmë e të dëgjojmë; atë të Rrëshenit që i jep të drejtë popullit të rrëzojë këtë lloj qeverie, apo atë të Fevziut, ku protestuesit i “dekurajoi” me burg?!