.

Shënim i hapur.al – Protesta popullore dhe populli që “zgjohet” para kohe!

Një shprehje interesante dedikuar politikës thotë: “Dikur përrallat fillonin me fjalinë klasike “Na ishte një herë..”, ndërsa sot fillojnë me frazën e famshme “Nëse më zgjidhni mua…”. Dhe siç ndodh zakonisht me përrallat, njeriu (lexo populli) kridhet në një gjumë të ëmbël, pa e vrarë mendjen se si përfundon ajo, pasi është i bindur se fundi do të jetë i lumtur. Por nëse ndodh që të ketë një zgjim të parakohshëm, mbytur nga makthi e frika se kushedi se si do të jetë finalja, atëherë kemi përballjen mes të zgjuarve, pra jemi në një situatë ku askush nuk fle.

Dje, në protestën popullore të organizuar nga opozita (jo protestën e opozitës), ne pamë shqiptarë të zgjuar më shpejt nga se e kishin parashikuar ata që i morën votën gjashtë muaj më parë për të qeverisur vendin. Makthet që shoqëruan ëndrrat e tyre deri në zgjim, kishin të bënin me frikërat se mos Edi Rama deri në fund të mandatit, nuk do bëjë asgjë për të rritur mirëqënien e tyre, por përsëri edhe kësaj here, në fund të 4 viteve, do kemi si bilanc, 10 njerëz që 4 fishuan pasuritë e tyre, ndërkohë që të tjerët u varfëruar akoma më shumë? Po sikur Edi Rama në fund të mandatit të dalë para njerëzve dhe t’ju thotë se unë nuk ju premtova asgjë, thjesht ju kërkova të jem timonieri i vetëm? Po sikur Edi Rama të vazhdojë të justifikojë ekonominë mizerabël me faktin se këto 4 vite iu deshën për të stabilizuar një herë e mirë reformën në drejtësi dhe për këtë arsye, u vonua mirëqënia ekonomike?

Për të gjitha këto arsye, për të mos ia dhuruar askujt 4 vite nga jeta jonë, për t’ia hequr të gjitha justifikimet e fundmandatit; “Se ne nuk e dinim se ishit të pakënaqur se ju nuk u ankuat!”, populli doli masivisht në shesh këtë të shtunë për të protestuar. Për çdokënd që mendon se është një qytetar i përgjegjshëm dhe e do këtë vend, por që është larg përkatësive partiake si dhe interesave të çdo lloji, larg urrejtjeve dhe simpative që kanë lidhje me spektrin politik apo grupe interesi, pjesmarrja e djeshme në protestë, ishte një lajm i mirë. Por a u pasqyrua si e tillë nga mediat apo analistët politikë?

Duke përjashtuar analizat e njerëzve pranë pushtetit të cilët janë të parashikueshëm me mënyrën se si i komentojnë ngjarje të tilla të organizuara nga opozita, ata të cilët janë gati të baltosin çdokënd që mund të mos ketë lidhje fare me opozitën, por shpreh pakënaqësi për punën e pushtetarëve, kishte edhe një grup tjetër cinikësh, që edhe njihen botërisht që nuk e duan Edi Ramën, por që edhe protesta nuk iu pëlqeu. Kjo është pjesa më e rrezikshme, sepse për fajin e inateve personale që mund të kenë me Bashën ose Kryemadhin, ata tentuan të ulin vlerat e aksionit popullor dhe qëllimit të saj. Kësaj pjese, nuk i pëlqeu fjalimi i liderve, sepse sipas tyre ata nuk thanë ndonjë gjë të madhe, nuk thanë ndonjë gjë të re, se nuk rrëzohet kështu Edi Rama, se kështu nuk bëhet dot Lulzim Basha kryeministër, se duhet t’i kërkosh popullit të jetë paqësor, por jo edhe kaq shumë etj etj.

Kritika dhe vetëm kritika dhe si gjithmonë me sytë nga tribuna e asnjë moment nga turma që ishte derdhur në rrugë. Edhe nëse u komentua pjesmarrja, përsëri këtu qëllimi ishte të ulnin efurorinë e opozitës duke iu thënë se njerëzit nuk kanë dalë se ju besojnë ju, por sepse janë zhgënjyer nga Edi Rama!

Do kishte qenë mjaft produktive sikur analistët e çdo lloji, kur bëhet fjalë për protesta masive të cilat janë larg së qenit mitingje militantësh, të vinin në plan të parë pjesmarrësit. Ata duhej të ishin lajmi dhe për ata duhej të jepej mbeshtetje e plotë dhe inkurajim. Populli del në protesta sepse kërkon një jetë më të mirë, nuk del për të zëvendësuar një kryeministër me një tjetër. Askush nuk do ta harxhonte një ditë të fundjavës së tij, në protesta që kanë këtë motiv.

Nga ana tjetër, Edi Rama në vend që të bënte ironi me çizmet e Monikës në ditën e protestës, mund të kishte shkruar dy rreshta në facebook ku t’i jepte të kuptonte popullit të tij se e mori mesazhin dhe do bënte më të mirën që gjërat të rregullohen në këtë vend. Një shoqëri që e mban nën monitorim punën e të zgjedhurve të tij, që reagon kur sheh që punët nuk shkojnë mirë dhe që ka kulturën e protestës, është lajmi më i mirë, sidomos po të kemi parasysh një lloj apatie që na karakterizon si shoqëri. Të mos merresh me politikën dhe të jesh indiferent ndaj punës së saj, do të thotë se ke përqafuar filozofinë e Shvejkut i cili thoshte; “Ç’më duhet mua se çfarë bëj unë!” Të mos merresh me politikën, do të thotë të mos merresh me jetën tënde. Madje nuk duhet pritur që iniciativat të merren vetëm nga opozita.

Edhe 500 vetë të mbledhur në shesh, pa prijës partiakë, me pankarta në duar, ku parashtrojnë kërkesa ekonomike, ashtu të heshtur me sytë nga kryeministria, do ishte një gjë fantastike dhe një rreze shprese se njerëzit e kanë ndarë mendjen, do t’i qepen pushtetarëve derisa ata të bëjnë si duhet punën e tyre. Kur ta shohin se punët po shkojnë mirë, atëherë mund të pranojnë ftesën e deputetit socialist Braçe, që të kalojnë fundjavën në Divjakë dhe jo në shesh. Por, deri atëherë, sytë katër tek pushteti!