.

Si shpëtoi politika nga e “keqja” Blushi!

 

Lajmi i pak ditëve më parë, se Ben Blushi, një politikan karriere, vendosi që të largohet nga politika, u pasua nga një tjetër, i publikuar fillimisht në hapur.al, ku tregohej se si do të vijonte rrugëtimi i tij, tashmë në botën e gazetarisë. Me shumë gjasa, Blushi do t’i rikthehet profesionit të vjetër, si Drejtor i Përgjithshëm në “Top Channel”, ndërkohë që nuk kemi akoma një konfirmim nga ana e tij apo televizionit, mbi këtë angazhim të ri.

Ishte interesante për të kuptuar çfarë impakti do kishte ky lajm dhe rrjetet sociale janë mjeti më i mirë për të krijuar një ide.

Duke lexuar komentet, ishte zgënjyese kur lexoje se sa larg thelbit të gjësë qëndron shoqëria jonë, teksa kërkon të bëhet pjesë e debatit me tema; “Bëri mirë apo bëri keq Blushi që iku nga politika?” ose “Po bën mirë apo keq Blushi që po i rikthehet gazetarisë?”. Si fillim ishte e vështirë të gjejë ndonjë koment keqardhjeje se si politika humbi një nga njerëzit më eficentë të saj, një ish-deputet me profil të spikatur intelektual i cili çdo minutë në sallën e parlamentit, e shfrytëzoi duke i bërë një oponencë të shkëlqyer pushtetit dhe duke u përqendruar gjerësisht mbi problemet ekonomike. Askush më mirë se sa njerëzit e ndriçuar, nuk mund ta kuptojnë sa e shëndetshme është për një shoqëri, kur i zgjedhuri i popullit bën oponencën e pushtetit, madje edhe në rastet kur kjo e fundit punon mirë (që padyshim nuk është rasti i qeverisë tonë).

Mirëpo populli i facebookut as e përmendi fare këtë fakt. Armata e propagandës afër pushtetit, që punon në facebook e që shtohet frikshëm çdo ditë si dhe të tjerë që influencohen prej saj, nënvizonin faktin se Rama ia bëri mirë që e largoi nga politika, sepse Blushi pabesisht i doli kundër. Të tjerë, si llogaritarë të përkryer të xhepave të tjetrit, komentonin se Blushi la politikën që të fitojë para në “Top”. Llogaritarët e Blushit, ndërkohë janë ai grupi totalisht indiferent, kur ne publikojmë lajme se si taksat po rriten për ditë, se si binzeset po ulin masivisht qepenat, se si shqiptarët po mbijetojnë me 4 dollarë e për pasojë po ikin nga sytë këmbët në një emigrim të përmasave biblike, për arsye të pastra ekonomike.

Jo, asnjë debat nuk lexon mbi këto probleme, duke na bindur për ditë e më shumë se kjo shoqëri, me siguri e ka mbledhur mendjen se e meriton fatin që ka. Problemi i tyre ekzistencial për momentin është se sa do e ketë rrogën Blushi dhe pse po i kthehet gazetarisë për të sharë Ramën!

Kjo lloj mendësie verteton edhe një herë thënien e famshme, se çdo popull ka qeverinë që meriton. Në një situatë hipotetike dhe ideale, nëse nuk do ishim akoma në situatën e një shoqërie kaq primitive dhe me vetëdije kaq të ulët, ku intelektualët do të ishin të shumtë dhe të zëshëm, largimi i Blushit, do konsiderohej një humbje e madhe për politikën dhe misionin që ajo ka dhe padyshim, një humbje e madhe edhe për shoqërinë.

Të gjithëve ju që propaganda e pushtetit ju ka bërë lavazhin e trurit, ju sfidojmë të na thoni një emër të vetëm, të një deputeti të këtij Parlamenti, i cili e ka zëvendësuar denjësisht Blushin, një deputet që kur flet, ju ngul para ekranit dhe ju bën të thoni me vete; “Sa të drejtë ka për të vërtetat që thotë!”, pa harruar këtu stilistikën e shkëlqyer me të cilën i thotë, edhe ky një element i rëndësishëm në diskurin publik.

E për të vijuar me idenë e popullit dhe pushtetit të cilët janë gjithnjë në simbiozë, edhe Rama ishte në një mendje me popullin e tij. Mbrëmë ai nuk hezitoi të japë një koment mbi temën. Duke vazhduar me inatin që si del akoma, Rama me një cinizëm të cilin tashmë ia njohim gjerësisht e deri në detaje, u shpreh se politika nuk ka humbur ndonjë gjë të madhe me largimin e Blushit! Duke pohuar këtë fakt, ai kërkoi të na bindë se përbërja e Parlamentit aktual shqiptar, është me siguri më intelektuale se ajo e individit Blushi, kështu që nuk ndjehet mungesa e tij. Dhe ky pohim vjen, në një kohë që të gjithë e dimë se në rastin më të mirë, Rama futi në lista dhe bëri deputetë, mjaft njerëz anonimë e pa asnjë kontribut në politikë apo në jetën publike, ministra fare të panjohur, emrat e të cilëve Fevziu na këshillonte t’i gjenim në google për të dhënë një vlerësim. Ndërsa në rastin më të keq, duhet thënë se edhe ky Parlament vijon akoma të filtrojë elementë me të kaluar problematike, paçka se të kesh qenë hajdut dyqanesh në perëndim, nuk duket ndonjë hata e madhe para shndërrimit të vendit në hambar hashashi dhe në pikë të rëndësishme të trafikimit të drogave të rënda, me bekimin dhe ortakërinë e pushtetit.

Dhe kështu, duke krahasuar një të keqe të vogël me një të keqe të madhe, duket se kjo shoqëri, nuk është akoma e përgatitur për të pritur të mirat në jetën e saj. Prandaj ajo nuk e meriton që të ketë zëdhënës të saj, njerëz si Blushi. Derisa të vijë dita e emancipimit, t’i gëzoni kriminelët, arrogantët, injorantët dhe anonimët në pushtet. Merrni frymë lirisht njerëz, sepse shpëtuat nga e “keqja” Blushi!

 

Shënim i hapur.al