.

A ka faj Viola Spiro?

Mbrëmë në darkë, u shpërnda me shpejtësi në mediat shqiptare on line, një lajm i gazetës italiane “La Nazione” e cila raportonte në numrin e saj të datës 17 nëntor, se pas një viti e gjysëm përgjimesh, ishte kapur një bandë droge dhe prostitucioni, ku njëri prej anëtarëve ishte Valentin Seitaj, i fejuari i Viola Spiros. Banda kishte monopolin e kokainës e cila kalonte nga Amerika në Firence përmes Hollandës. Gazeta hapej me titullin “Zotëria i kokainës” dhe në foto shfaqej Viola Spiro me të dashurin e saj. Policia arrestoi 30 persona të cilëve iu gjetën disa kilogramë kokainë, armë dhe 4 milionë euro. Këtë ngjarje, portali hapur.al e shtjelloi gjerë e gjatë në një dossier të publikuar dje. Në shkrimin e gazetës italiane, një vend të veçantë zinte përshkrimi i Viola Spiros, si vajza me pamje perfekte, e cila bënte jetë luksoze me paratë e të fejuarit. Gazeta, në shkrimin e saj e përmend më shumë se një herë fjalinë; “Ajo nuk ka asnjë faj.”, me siguri duke iu referuar implikimit në historinë për të cilën Seitaj është arrestuar. Pikërisht kjo fjali ia vlen të analizohet. Në fakt, a ka faj Viola Spiro në gjithë këtë histori?

Për ata që ndjekin lajmet e showbiz-it, me siguri i kujtojnë fillesat e Violës në ekran. Ajo ishte një vajzë shumë e re, kur së bashku me të motrën filluan si velina në programin “Fiks Fare”. Është e ditur, se jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë, përzgjedhja si velinë, është një fat i madh për vajzat e reja të cilat synojnë botën e televizionit. Konkurrenca mund të jetë shumë e madhe për pranim, por kriteret janë modeste, mjafton të jesh një vajzë e re dhe e bukur. Më pas, nëse je me fat, ke prirje si dhe gjen lidhjet e duhura, ai program mund të të shërbejë si paradhoma apo starti i një karriere televizive. Kjo ndodhi edhe me Violën, ndërkohë që motra e saj, iu largua ekranit, Viola vijoi si moderatore në programe sportive, ku krahas pamjes së bukur, arrinte të përçonte edhe imazhin e vajzës së mirë, fakt të cilin e konfirmojnë edhe ata që e njohin nga afër. Natyrisht ka të gjitha cilësitë për të qenë në qendër të mediave rozë me jetën e saj, sidomos atë private. Kur u lidh me Valentinin, media publikoi historinë e tyre pa një prononcim nga vetë protagonistët. Vetë Viola, disa muaj pasi lajmi doli, foli mbi lidhjen duke thënë se nuk mund ta fshihte më pasi mediat e dekonspiruan. Në fakt e vërteta ishte se vetë Viola donte që ajo lidhje të bëhej publike. Në këtë mënyrë ajo nuk do ishte një nga ato vajza të famshme ose jo, të cilat përshfaqin jetën luksoze në rrjete sociale, por nuk tregojnë se kush ia mundëson atë. Viola donte që t’i tregonte të gjithëve që ajo kishte një të dashur dhe të tregonte portretin e tij. Më pas, çdo gjë që lexohej për jetën e saj, ishte si përrallë, ku vajza fatlume, kishte gjetur princin e ëndrrave, atë që kishte shkopin magjik me të cilin bënte realitet çdo dëshirë të saj, deria sa erdhëm tek ngjarja e bujshme e arrestimit.

Por le të kthehemi tek pyetja: “A kishte faj Viola që rrinte me një djalë që i përkiste botës së krimit”? Duhet thënë që po. Ashtu sikurse çdo vajzë tjetër që ka një histori të ngjashme me të sajën, eshtë fajtore njësoj si Viola. Modeli i vajzës së re me veshje firmato, makina të shtrenjta e pushime luksoze, nuk është kaq i rrallë në Tiranën tonë. Sa herë kemi bërë pyetjet; “Po kjo nga i gjen paratë që bën këtë jetë? Ia siguron i dashuri? Po i dashuri, që shpesh është më pak se 30 vjeç, çfarë pune bën që ka kaq shumë mundësi financiare?” Pra këtu qëndron thelbi i çështjes, Viola dhe të gjitha vajzat e tjera si ajo, të cilat joshen pas jetës luksoze, a i kanë pyetur ndonjëherë këta djem që rrinë me ta; Çfarë pune bëjnë? Çfarë biznesesh kanë? Ku i kanë zyrat, vendin ku punojnë? Nëse jo, ato kanë faj që çke me të. Sepse nuk të bën fajtore vetëm fakti që ti nuk je pjesë e punëve të tyre të pista, ose që nuk e di me çfarë merret njeriu me të cilin ti ndan shtratin. Të bën fajtore fakti se dikush po prish para brenda një nate, aq sa dikush me punë të ndershme, nuk i fiton dot as për një vit dhe nuk bën pyetjen: “Po ky, ku i merr këto para?” “Mos merret me aktivitet kriminal?” “Mos merret me trafik armësh, droge, prostitutash?” Dhe meqë përgjigja në këto raste pothuajse gjithmonë, është po (pasi asnjë milioner që paratë i fiton me djersë, nuk i shpenzon ashtu), atëherë ti Viola dhe çdo Violë tjetër si ti, duhet të largoheni menjëherë nga ata individë. Përndryshe, nesër nuk ju lind e drejta të thoni, ne nuk e dinim, sepse nuk do ju besojë njeri.

Shënim i hapur.al