.

Kush e përdhunoi 14 vjeçaren nga Kavaja?

Nga Eni Vasili

Tmerri që përjetoj cdo herë që lexoj detaje të reja rreth përdhunimit të vajzës 14 vjecare në Kavajë besoj është i cdo gruaje në Shqipëri.

Lotët më mblidhen në grykë për fatin e atij fëmije që nuk është e vetmja që hesht për dramën e saj . Dhe këtë e di jo vetëm si grua por edhe si gazetare që ka mbledhur kaq shumë rrëfime e ka dëgjuar po aq histori.

Por në këto radhë nuk dua të flas as si grua e as si gazetare e angazhuar. Do të  flas si gazetare e politikës që prej 15 vitesh ka krijuar një platformë mediatike ku cdo ngjyrë e politikës presupozohet të vijë të flasë për alternativat, për cka bërë e çfarë duhet të bëjë, që kryeministrat e ministrat të japin llogari para qytetarëve edhe pse ka kohë që duket se llogari japin vetëm gazetarët para  pushtetarëve .

E vërteta është që banaliteti I politikëbërjes po mbyt shoqërinë në cdo qelizë dhe ulërima vjen edhe nga kjo ngjarje në Kavajë  .

Ju kujtohet Baba Taku dhe çanta e tij ? Diçka fshihej aty ,ca video apo ca dokumenta shantazhonin dikë , nuk u bënë kurrë publikë por ndoshta ankandi I tyre është bërë tjetërkund. Po IMSI-catcher ju kujtohet ? Thuhet se ka përgjuar shumë politikanë por nuk dolën kurrë në publik, diku mund të jenë shitur apo shkëmbyer edhe ato.

Po çimka ne zyrën e Saimir Tahirit, video e Brazilit me protagonist Ditmir Bushatin? Ju kujtohet sa shume kemi dëgjuar për të në parlament? Thuhet se ka edhe një për Gjushin me Avdylajt, edhe një për  Damianin me Bajrat pa harruar atë të Santa Quarantës ku janë të gjithë me të gjithë. Thonë që ca video për Edi Ramën I ka PD ca të tjera I ka Rama për Berishët dhe Bashistët.

Dhe në gjithë këtë zallamahi shantazhi dhe intrige politike disa adoleshente nga Kavaja menduan të bëjnë të njëjtën gjë. Të bëjnë një video e të shantazhojnë një minorene .

Pa hequr asgjë nga indi kriminal qe këta adoleshentë kanë ndër vete, pa hequr asnjë përgjegjësi nga familjet e tyre që kanë prodhuar me edukimin apo mosedukimin e tyre disa mostra njerëzore, të rrimë shtrembër e të flasim drejt unë mendoj që nuk janë të vetmit fajtorë edhe pse para gjykatës do përgjigjen veç ata.

Çfarë duhet të presim nga adoleshentët e një  shoqërie që dhunohet çdo të enjte nga  140 të zgjedhurit e popullit që sherrosen si në bilardon e lagjes me fjalët më të ndyra?

`Mos me caj ketë “ e  “më hëngsh atë“ I serviren sot publikut si modele dhe standarte komunikimi po aq sa modeli I shantazhit me video, foto e cdo gjë që dikë e implikon diku.

Nuk ka më rëndësi çfarë është e vërtetë e çfarë jo, por sa shumë flitet dhe sa shumë dëmtohet kundërshtari prej këtyre akuzave e shantazhave pa fund.

Ata 7 adoleshentë nga Kavaja që  kryen një akt barbarizmi mesjetar sigurisht  nuk e dinë që jetojnë në erën e post-truth ku faktet nuk kanë më rëndësi. Por ata dinë shumë mirë  që rëndësi ka se kush posedon videon.

Shkruar për hapur.al