.

Efektet e Reformës në Drejtësi kanë filluar

Nga Ervis Iljazaj

Ngjarjet e fundit që vijnë nga organi i akuzës, ku shumë pjesëtarë të shtetit shqiptar, duke filluar që nga ish-ministri e deri tek ish-drejtues të policisë janë hetuar për përfshirjen e tyre në trafikimin e lëndëve narkotike, kanë sjellë edhe një herë në vëmendje të opinionit publik, një nga çështjet më problematike të Shqipërisë, atë të drejtësisë.

Të gjitha këto ngjarje, të cilat kanë ndodhur në momentin kur i gjithë sistemi i drejtësisë është i reformuar dhe duke ndërtuar organet e reja të tij, merr një domethënie të rëndësishme. Të gjitha këto çështje janë sprovë e madhe për drejtësinë e re që me shumë padurim kemi pritur deri më tani.

Edhe pse shumë nga organet të drejtësisë ende nuk janë reformuar plotësisht, Reforma në Drejtësi ka filluar efektet e saj që tani.

Me gjithë përpjekjet e klasës politike për ta penguar atë, dhe të gjitha dyshimet nëse vërtet ka një vullnet për të reformuar drejtësinë shqiptare dhe për ta pastruar atë njëherë e mirë nga hijet e së shkuarës, të paktën në psikikën e masave të shoqërisë dhe atyre që ndihen të rrezikuar, ajo ka filluar.

Asnjëherë më parë nuk është ndjerë trysnia e drejtësisë te klasa politike shqiptare si në këto momente. Me gjithë defektet që ka ajo të trashëguara nga e kaluara, me gjithë fenomenin e korrupsionit që ekziston ende në radhët e saj, të gjithë ata që janë të implikuar në afera të ndryshme ndihen më të brishtë se kurrë. Kjo klimë trysnie ndihet kudo edhe në ajrin e ndotur të politikës. Me siguri, çdokush nga klasa politike shqiptare që ndihet i implikuar apo fajtor në ndërgjegjen e tij, nuk po e bën gjumin të sigurt këto kohë. Sepse siç thuhet rëndomtë në këto raste, drejtësia ashtu si e vërteta, vonon po nuk harron.

Përveç klimës së pasigurt që shihet qartë në radhët e politikës, ka dhe fakte konkrete që tregojnë që fryma e Reformës në Drejtësi ka filluar.

Në radhë të parë, kemi një ish-ministër dhe një nga politikanët më të rëndësishëm të qeverisë të kaluar që është nën hetim, i cili është në heshtje të plotë politike, dhe flet vetëm nëpërmjet avokatit të tij.

Në radhë të dytë, disa ish-drejtues të policisë, të cilët janë nën hetim kanë marrë arratinë. Mbrojtja politike nuk është më e sigurt për ta, pasi drejtësia po depërton edhe atë mur, që më parë konsiderohej i pakalueshëm. Fakti që janë arratisur tregon që askush nuk mund t’i marrë më në mbrojtje.

Disa politikanë të tjerë, në mos në konflikt zyrtar me prokurorinë, janë në një debat publik dhe po mbrohen personalisht. Këtu është fjala për Kryebashkiakun e Durrësit, që çdo ditë del dhe sqaron pozicionin e tij në raport me drejtësinë.

Të gjitha këto fakte, tregojnë raportin e përmbysur që ka ekzistuar gjatë gjithë tranzicionit shqiptar, ku drejtësia ka qenë gjithmonë e nënshtruara e politikës. Klima që është krijuar në këto momente tregon totalisht të kundërtën, drejtësia nuk është më aq frikacake përpara politikës.

Pavarësisht se si do përfundojë kjo histori, një gjë është e sigurt, drejtësia që do vijë si pasojë e Reformës do të jetë më e mirë se ajo që kemi patur deri më tani. Jo vetëm kaq, por që tani themelet e kështjellës politike ndihen të tronditura, dhe kjo si pasojë e efekteve më së paku psikologjike që ka dhënë Reforma në Drejtësi.