.

“Ata që flasin nga divani…”/ Mjekja e Infektivit përlotet kur flet për intubimin e pacientëve me COVID


Mjekja infeksioniste Entela Kolovani, e cila prej muajsh qëndron në vijën e parë të frontit të luftës përballë koronaivirusit, sjell rrëfime që i përjeton çdo ditë nga brenda spitalit COVID1.

Mes emocionesh dhe e prekur nga beteja e përditshme, Kolovani në një intervistë në ‘Kjo javë’ në ‘News24’ tregoi se si është situata në këtë spital.

Ajo tha se ka raste që pacientët presin për disa orë jashtë në autoambulanca, ndërsa shtoi se bëhet një vlerësim nga mjeku nëse mund të qëndrojnë në pritje apo jo.

Mes lotësh ajo tha se është e lehtë të gjykohet nga divani dhe të bësh kritika, ndërsa i bëri thirrje kolegëve të saj që të ofrojnë ndihmë për pacientët.

Po ashtu ajo theksoi se momenti më i vështirë është vendimi për të futur në intubim pacientin, mushkëria e të cilit është dëmtuar rëndë nga COVID-19.

“Ne jemi të organizuar me pavione, një prej të cilëve është një shërbim sub-intensiv dhe reanimacionin e shërbimit ku ndiqen pacientët që janë rëndë. Në ndjekje të këtyre pacientëve, në vijën e parë të luftës, janë jo vetëm mjekët, infektologë, por një armatë e tërë mjekësh reanimatorë.

Këtë periudhë kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, pasi bashkë me ta. Kanë qenë jo shumë të bërë mediatikë, të rojeve të shumta që bëjnë apo shërbim të zgjatur para pacientëve.

Do sillja në vëmendje një video një intervistë të një mjeku që e pashë ditët e fundit. E kishte nxjerrë BBC në lidhje me momentin e intubimit të një pacienti, i cili kishte shprehur pesimizmin e tij se nuk do t’i shihte më familjarët e tij.

Për të gjithë ata që flasin nga divani i shtëpisë, do të doja që të preknin me dorë këtë situatë. Të na ndihmonin nëse kanë ide më të mira. Janë të mirëpritur. Kemi nevojë dhe për njerëz që do donin që t’i jepnin një pikë ujë, apo ti ndërronin, apo t’i prisnin sekrecionet.

Intubimi është një procedurë që e kemi konsideruar si moment ekstrem të këtyre pacientëve. Një pacient me COVID, nëse futet në intubim, do të ishte ndërhyrja ekstreme për ta shpëtuar. Kjo është një procedurë që është shpresë, por rezultatet i ka të ulëta”, tha mjekja./BW