.

Vijon hendeku gjinor, Instat: Ora e punës e një burri me arsim të lartë, më e shtrenjtë se e një gruaje me po të njëjtin arsim!

Hendeku gjinor është gjithmonë një temë e nxehtë dhe kjo në fakt thuajse kudo në botë, madje edhe në vendet e Bashkimit Europian. Shqipëria, nuk bën përjashtim, nisur edhe nga shumë faktorë të tjerë që lidhen me historinë e popullit, por kjo është një temë tjetër.

Sipas Anketës më të fundit të Institutit të Statistikave, mbi Strukturën e të Ardhurave nga Puna për vitin 2018, hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune ekziston te të gjithë të punësuarit, pavarësisht nivelit të arsimit. Kjo, edhe për intelektualët, ku ndonëse studimet universitare dhe pasuniversitare supozohet të çojnë në më shumë barazi, sërish, intelektualët janë më të paguar se sa intelektualet.

Raporti i Instat mbi vitin 2018 tregon se edhe pse hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i ulët ndër të punësuarit me arsim të lartë, sërish diferencimet ekzistojnë dhe shifra është 11.5%. Të ardhurat mesatare për orë pune për meshkujt janë rreth 420 lekë dhe për femrat rreth 372 lekë. Sipas Instat, një orë pune e një djali dhe burri me arsim të lartë paguhet afro 50 lekë më shumë se një orë pune e një vajze apo gruaje me arsim të lartë.

Për të analizuar këtë diferencë në pagë, në fakt do të duheshin zëra ekspertësh, megjithatë, faktike është se për këta të punësuar, pra me arsim të lartë, hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare është më i lartë në aktivitetin e industrisë nxjerrëse me rreth 44,5 % dhe më i ulët në aktivitetin e arteve, argëtimit dhe çlodhjes me rreth -8,8 %.

Megjithatë, tregu i punës nuk përbëhet vetëm me ata që kanë ndjekur ciklin e studimeve të larta.

“Hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i lartë për të punësuarit me pagë me arsim të mesëm me rreth 21.2 %. Për këta të punësuar, hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare është më i lartë në aktivitetin e industrisë nxjerrëse, me rreth 43.3 % dhe më i ulët në aktivitetin e shërbimeve administrative dhe mbështetëse, me rreth – 7,5 %” shkruan Instat në publikimin e bërë.

Nga ana tjetër, te të punësuarit me arsim 8-9 vjeçar, djemtë dhe burrat paguhen mesatarisht 193 lekë për një orë pune, ndërsa vajzat dhe gratë rreth 164 lekë.

Duke e transferuar vëmendjen nga Shqipëria, duket se ka ende shumë punë për të bërë, edhe në vendet e Bashkimit Europian, ku një raport i fundit tregon se asnjë shtet anëtar i BE-së nuk merr 100 pikë për barazi gjinore, ku vetëm Suedia, Danimarka dhe Franca i afrohen 100- pikëshit. Ndër të tjera, sipas EIGE, Institutit Europian për Barazi Gjinore, nëse Europa vazhdon të rritet kaq ngadalë, barazia gjinore do të arrihet vetëm në më shumë se 6 dekada./SCAN