.

Ndotën bregdetin e Durrësit, dënohen me burg kapiteni dhe kryemekaniku i tragetit grek 

Kapiteni i tragetit grek ‘Efthymois Sokos’ dhe kryemekaniku i tragetit “F/B-Bridge” Charalampos Chiotellis janë dënuar për ndotje të bregdetit të Durrësit. Ngjarja në fjalë ka ndodhur me 24 dhjetor të vitit 2015. Policia gjyqësore ishte vënë në dijeni se nga një anije tregtare në Portin Detar ishte hedhur një sasi karburesh që kishin ndotur ujin ne Akuatorium dhe në rajonin e plazhit.

Ekspertet konstatuan se të pandehurit, kapiteni dhe kryemekaniku, kanë ndotur pasivisht ujin e detit duke prishur ekuilibrat ekologjike, vepër penale sipas nenit 203/1 te kodit penal. Ata kanë pranuar gjatë hetimit se lënda e derdhur nga trageti në det ishte mazut i djegur. Më pas janë larguar nga territori i vendit tonë, duke iu shmangur hetimit.

Gjykata ka deklaruar fajtor kapitenin e ‘Efthymois Sokos’ dhe kryemekanikun e tragetit “F/B-Bridge” Charalampos Chiotellis, duke i dënuar me një vit e 6 muaj burgim.