.

Vettingu/ Probleme me pasurinë, shkarkohet prokurori i dosjes së tërmetit të 26 nëntorit

Komisioni i Pavarur i Kualifikimi ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Tiranës, Alket Mersini. Mësohet se Mersini nuk rezultoi i pastër një nga kriteret e vlerësimit, atë të pasurisë.
Prokurori ka pasur në dorë dy çështje të rëndësishme, atë të dosjeve të dëmtimeve nga tërmeti i 26 nëntorit dhe i falsifikimeve të biletave të autobusëve.
Trupi gjykues që po kryen procesin e vetingut për prokurorin Mersini përbëhet nga Etleda Çiftja kryesuese, Pamela Qirko relatore dhe Xhensila Pine anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.
Alket Mersini e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe përgjatë dy dekadave ka punuar si prokuror në Prokurorinë e Durrësit dhe atë të Tiranës.
Relatorja Pamela Qirko tha në fillim të seancës dëgjimore se hetimi administrativ për prokurorin Mersini ishte përfunduar në të tri kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.
Analiza e Komisionit është shtrirë mbi burimet financiare të deklaruara për blerjen dy apartamenteve, një të porositur në vitin 2003 në qytetin e Elbasanit dhe tjetrin në vitin 2011 në Tiranë.