.

Ngërçi me diplomat/ Studentët e Ekonomikut ngrihen në protestë. Kule u premton zgjidhje

Studentët e Ekonomikut protestuan sot para Dekanatit për pajisjen me diplomën e ciklit master. Janë rreth 315 studentë që kanë mbetur peng të një mosmarrëveshje mes Rektoratit dhe Dekanatit të Fakultetit të Ekonomikut.

Ata ju drejtuan me një shkresë Dekanatit ku kërkuannjë tryezë të përbashkët me dekanin Dhori Kule për të përgatitur listat emërore me të dhënat e regjistrimit për matrikulim.

Studentët kërkojnë nga Dekani të dorëzojë emrat e tyre sipas procedurës, fillimisht te Rektorati dhe pastaj të vazhdojë procedura në QSHA.

Dekani i Ekonomikut, Dhori Kule, konfirmoi se i priti në një takim studentët, në praninë edhe të medias ku premtoi zgjidhje për problemin e tyre.

Dhori Kule: E drejta juaj është cënuar në mënyrë flagrante. Kartonët e diplomave patjetër që do ti merrni, ngërçi është i qartë dhe do të zgjidhet. Do ju jap një këshillë: Asnjëherë mos bëni kompromis me shkeljen e ligjit. Po u bëtë një herë ai ju merr me vete e ju bën rrobë , bëhet praktikë e nuk e ndalni dot. Kjo është shfaqje e deformuar, por do të marrë zgjidhje.

Studentët e Fakultetit Ekonomik kanë dorëzuar më herët në rektoratin e Universitetit të Tiranës një peticion ku kërkojnë të pajisen më diplomat e studimeve master.

Rektorati i Universiteti të Tiranës ka reaguar në lidhje më këtë çështje dukë deklaruar se procesi i dorëzimit të emrave ka qenë i paligjshëm ndaj edhe i ka kthyer diplomat përsëri në fakultet pas 6 muajsh pritje.

Aktualisht çështja e diplomave të Fakultetit Ekonomik është në gjykatë, pasi rektorati pretendon se Fakulteti dhe QSHA kanë shkelur ligjin.