.

Mjeku i intubuar në spitalin Infektiv, ish-deputeti tregon si po bëhen tamponët: Skandaloze dhe kriminale, të këputet zinxhiri i infeksionit në QSUT

Duke përmendur faktin se mjeku hematolog Arjan Pushi ndodhet i intubuar në Spitalin Infektiv, i prekur nga koronavirusi, ish-deputeti i PD Bardh Spahia i bën thirrje ministrisë së Shëndetësisë që të reagojë dhe “merrni masat që të këpusni zinxhirin e infeksionit në QSUT, sepse është i pafalshëm infektimi i personelit mjekësor, por edhe i pacientëve në një strukturë shëndetësore publike”.
Përmes një njoftimin në rrjetet sociale, Spahia thotë se është skandaloze dhe kriminale sipas tij bërja e tamponëve si qokë.

“Nuk mund të kursehen tamponët për ata që kanë nevojë!!!”, thekson Spahia.

POSTIMI I PLOTE

Bardh Spahia: DUHET KEPUTUR ZINXHIRI I INFEKSIONIT COVID NE QSUT!

I uroj shërim të shpejtë kolegut hematolog që po lufton me Covid-19 në spitalin infektiv.

U shpreh solidaritetin të gjithë anëtarëve të personelit shëndetësor, që punon në kushte pasigurie nga infektimi me virusin Korona. Nëse kolegët duhet të rrisin vëmendjen në të përditshmen e tyre, ministrja e shëndetësisë duhet t’u përgjigjet kërkesave të tyre për testime, sepse ka shumë denoncime nga kolegë si në strukturat publike, edhe ato private që nuk u vihet veshi.

Bërja e tamponëve si qokë është skandaloze dhe kriminale, sepse injorimi i personave të infektuar, ndihmon në përhapjen e virusit. Nuk mund të kursehen tamponët për ata që kanë nevojë!!!

Është kriminale se si akoma sot, 4 muaj mbas fillimit te emergjences është zero investimi për rritjen e kapaciteteve testuese, asnjë investim për një laborator të ri, asnjë investim për sigurimin e numrit të mjaftueshëm të testeve, asnjë investim për garantimin e mjeteve mbrojtëse për mjekët apo sigurimin e maskave të mjaftueshme për qytetarët shqiptarë.

Me 7 shërbime të infektuara, QSUT është kthyer në një vatër të nxehtë përhapje të virusit dhe përgjegjës nuk janë qytetarët, por vetë ministria e shëndetësisë që po menaxhon këtë situatë!

Reagoni zonja ministre, merrni masat që të këpusni zinxhirin e infeksionit në QSUT, sepse është i pafalshëm infektimi i personelit mjekësor, por edhe i pacientëve në një strukturë shëndetësore publike!!!