.

Rrugët flasin gjelbër!

Kufizimi drastik i lëvizjes së makinave gjatë periudhës së izolimit nxorri në pah një të vërtetë, deri atëherë të debatueshme: ndotja nga makinat është dëmtuesi kryesor i cilësisë së ajrit dhe më gjerë.
Ditë pas dite qiejtë e  qyteteve tona u bënë më të qartë dhe horizonti i shikimit tonë u shtua.

E gjithë ndotja e shkaktuar ndër vite u largua në pak kohë.
Tashmë jeta sociale po kthehet në normalitet dhe makinat po përdoren njësoj si më përpara, gjë që ka ndikuar menjëherë në cilësinë e ajrit.
Megjithatë nëpër rrugët kryesore të qytetit tonë janë shfaqur disa sinjalistika të reja në kalimet për këmbësorët, ose siç quhen ndryshe “zebra crossing”.

Këto kalime janë ngjyrosura me të gjelbër dhe në nuancat më të forta të saj lexohet “Drive Clean, Go Green” “0% ndotje” dhe në nuancat më të bardha lexohet “100% ndotje”. Dekorime të tilla me mesazhe ndërgjegjësuese kanë ngjallur interesin e kalimtarëve duke hamendësuar edhe për kuptimin e tyre.
Nëse analizojmë mesazhin mesa duket kemi të bëjmë me një thirrje për të përqafuar një stil jetese “green” dhe transport të pastër elektrik, në mënyrë që të kemi 0% ndotje. Për hir të së vërtetës një makinë elektrike është e aftë të reduktojë 3.18 ton Co2 nga atmosfera. Në Tiranë aktualisht qarkullojnë me qindra mijëra makina në ditë. Zëvendësimi i tyre me makina elektrike do ta shndërronte këtë ekuacion të zymtë, në një “frymëmarrje” të lirshme për gjendjen mjedisore të qytetit dhe atë shëndetësore të banorëve të saj.
Le të shpresojmë se kjo thirrje e beftë, por e mirpritur, në rrugët e qytetit tonë do të ndiqet nga individë, komunitete apo institucione publike në mënyrë që të shtohet infrastruktura e nevojshme për një sistem transporti elektrik dhe qiejt e pastër të jenë një realitet i përditshëm.