.

Koronavirusi në Itali/ 610 viktima në 24 orë, vijon të bjerë numri i pacientëve në terapi intensive


Pavarësisht shifrave shumë shpresëdhënëse ditën e djeshme, numrat e sotëm për epideminë e koronavirusit në Itali, tregojnë se në vendin fqinjë nuk është ende koha për të festuar.

Të dhënat e reja të komunikuara nga Mbrotja Civile flasin për një situatë të qëndrueshme, ndërsa numri i rasteve të reja pësoi një ritje të lehtë.Numri i viktimave mbetet ende i lartë, ku në njëzet e katër orët e fundit 610 njerëz kanë vdekur, dje kishte 542 viktima, duke arritur në 18279 vdekje në total.

Të dhënat në buletinin e ri të Mbrojtjes Civile flasin për një rritje të të sëmurëve ku sot u regjistruan 1615 raste të reja, ndërsa dje ishin 1195.

Sot 3605 persona janë shtruar në spital në kujdesin intensiv, 88 më pak se dje. 28.399 persona janë shtruar në spital me simptoma, 86 më pak se dje. Numri i të shëruarve ka arritur në 28470, ku sot lanë spitalin 1979 persona, ndërsa dje 2099 njerëz u shëruan.