.

Na e patën thënë gjyshërit, por s’e besuam

Artikulli në vijim është shkruar nga shkrimtarja amerikane Allison Glock, artikuj të së cilës janë botuar në New York Times, New Yorker, Esquire, Rolling Stones, GQ etj.

Vajza ime 19-vjeçare ulet përballë meje në tavolinë, sytë e saj janë të mbushur me shumë pikëpyetje. Ajo po lufton, si të gjithë ne, me purgatorin ekzistencial ku po e gjejmë veten. Nuk dimë kur do të përfundojë, ose si do të përfundojë, ose çfarë ndikimi do të ketë te ne si njerëz, si vend.

Vajzat e mia, si pafund të tjerë në botë, kanë ndryshuar rutinën dhe janë shkëputur nga miqtë. Jeta e tyre u lëkund fort dhe u drejtuan te prindërit, të cilët nga ana tjetër nuk e dinë se çfarë po vjen.

Ato lexojnë gazetat, informohen nga telefoni. Personalisht njohin shumë mjekë dhe infermierë që po luftojnë në vijën e parë të betejës. E ndjejnë shqetësimin në ajër. Më duhet të bëj të pamundurën që t’i qetësoj.

I them vajzës 19-vjeçare që e kuptoj që ndihet e humbur, bosh. I kujtoj sa me fat jemi. Të gjithë bashkë. Që kemi një qen. Që e duam njëri-tjetrin. Që kemi mundësi të përqafohemi.

I them edhe që mendoj shumë për gjyshërit. Kur isha e re, i shihja gjithnjë teksa luanin letra me njëri-tjetrin, zgjidhnin fjalëkryqe, kërcenin bashkë në dhomë, shihnin televizor.

Familja ime vjen nga Appalachia. Gjyshërit jetuan në një shtëpi në një qytet të vogël industrial në Virginia. Ecnin në të njëjtat trotuare, uleshin në të njëjtat vende, këndonin teksa lanin enët, bënin ndonjë thashethem. Jetë e thjeshtë që vinte nga mungesa e shumë mundësive.

Edhe pse aq e thjeshtë, ishte bukur. Tani i besoj fjalët e tyre. Ata e dinin se çfarë vlente. Gjyshi shërbeu në luftë. Edhe gjyshja. Panë vdekje, kotësi, heroizëm dhe humbje. Ata e dinin se çfarë kishte vërtet rëndësi.

Do të duhet ta gjejmë motivimin në gjëra të vogla, i them vajzës tjetër. Te çastet. Pas orëve të gjata dhe të rrëmujshme, ne do të ulemi dhe do ta gjejmë kuptimin e jetës në qetësi.

Ose të paktën, pranoni që të nesërmen nuk na e premtoi askush.

E kuptoj situatën. Dua të qaj, të pi duhan, të rri vetëm. Por në vend të kësaj, bëj dush, pi kafe, vendos buzëkuq.

I shoh teksa qëndrojnë në oborr, shtrirë në batanije teksa lexojë bashkë. I shoh nga dritarja. Dielli shkëlqen në fytyrat e tyre. Zogjtë vazhdojnë të fluturojnë. Përreth ka lule./Anabel