.

Rritet tregu i veshjeve për meshkuj, shqiptarët duan luksin dhe markat e forta

 

Gratë mund të njihen si shpenzueset më të mëdha të artikujve të modës. Por shifrat kudo në botë, tregojnë se kur rriten shitjet, burrat tani udhëheqin garën dhe pritet ta zgjerojnë hendekun gjatë viteve të ardhshme. Po në Shqipëri? Preferencat e meshkujve shqiptarë mbeten të artikujt e luksit: orët dhe veshjet e shtrenjta…

Nga Deada Hyka

Burrat janë bërë shumë më të vetëdijshëm për atë që po blejnë kur bëhet fjalë për modën. Dikur mbizotëronte ideja se, një burrë do të blinte të njëjtën bluzë, në çdo ngjyrë dhe rrallë do të ndryshonte veshjet e tij, megjithatë në ditët e sotme ne shohim gjithnjë e më shumë raste të burrave që eksperimentojnë. Kjo u ka dhënë të tjerëve besimin për të provuar diçka të re, duke zgjedhur veshje që i bën ata të ndihen më mirë. Ky moment në historinë e sektorit të veshjeve dhe jo vetëm, kudo në botë, i ka bërë firmat më të mëdha që të jenë gjithë ‘sy e veshë’ për të ofruar atë që meshkujt tashmë kërkojnë.

Edhe në Shqipëri, kjo tendencë ka ardhur vitet e fundit, teksa aktorë të ndryshëm të tregut raportojnë për një rritje të blerjeve nga meshkujt, sidomos për mallra më të shtrenjtë. Meshkujt shqiptarë blejnë më pak se sa femrat, por më shtrenjtë. Markat luksoze të firmave më të njohura kudo në botë, janë duke rritur gamën e tyre në veshje për meshkuj, gamë e cila po zgjerohet me hapa më të shpejtë sesa veshjet e grave, pasi stilet tashmë kanë ndryshuar dhe rrobat e përditshme si hoodie-t po gjejnë një audiencë të re. Shtëpitë e mëdha të modës, duke përfshirë konglomerate franceze LVMH dhe “Kering” janë ndër ata që punësojnë dizajnerë që tërheqin vëmendjen dhe investojnë në veshjet e meshkujve, si një kërkesë në rritje kudo në botë.

Veshjet e burrave dhe grave kanë parë një ngadalësim vitet e fundit, sipas të dhënave nga “Euromonitor”, një ofrues i kërkimit të tregut. Por që nga viti 2016, kur të dy kategoritë u zgjeruan me të njëjtin ritëm, rritja e shitjeve të veshjeve për meshkuj ka tejkaluar vazhdimisht veshjet e grave. “Euromonitor” parashikon që trendi do të vazhdojë, duke parashikuar se shitjet e veshjeve për burra do të rriten 1.9% në 2021, krahasuar me vetëm 1.4% për rrobat e grave.

Veshjet

Të flasësh për tregun e veshjeve të markës në Shqipëri nuk është edhe aq e lehtë, duke qenë se nuk ka të dhëna gjithëpërfshirëse për paratë që xhiron kjo industri. Megjithatë, aktorë të ndryshëm të sektorit vlerësojnë sipas eksperiencës në treg, se shitjet kanë qenë të mira, si dhe klientela ‘mashkull’ po shndërrohet në një pikë referimi dhe vëmendjeje për shumë marka. Përfaqësuesit e markës “Pierre Cardin” pohojnë se meshkujt janë padyshim klientela e tyre më e rëndësishme në sektorin e veshjeve dhe kjo gjë nxitet nga fakti se atyre nuk u duhet të blejnë sasi të mëdha rrobash.

“Burrat tani kanë një gamë shumë më të madhe të produkteve të veshjeve në dispozicion, kohët kanë evoluar dhe ata vishen tashmë pa u gjykuar për zgjedhjen e tyre. Një tipar tjetër i blerësve meshkuj është fakti që, padyshim kur duan një produkt, nuk mendohen aq gjatë sa femrat dhe gjithashtu janë blerës direktë, që do të thotë blejnë më pak se femrat por zgjedhjen e bëjnë menjëherë”, thotë menaxherja e dyqanit “Pierre Cardin” në “Ring Center”, për “Monitor”.

“Jakamen” është ekskluzivitet i një firme me veshje klasike për meshkuj, Sipas përfaqësuesve të tyre, dyqani i pozicionuar në një nga rrugët tregtare më të rëndësishme në kryeqytet, padyshim ka qenë i preferuar për meshkujt shqiptarë që në hapje. Ata pohojnë se nuk mohohet fakti që shqiptarët, që sidomos me hapjen e vizave udhëtojnë dhe blejnë jashtë, por sipas tyre, një tendencë e tillë është më shumë e femrave. Meshkujt, pohojnë ata, kur duan një produkt, mjafton të drejtohen në dyqanin e tyre të besuar, pasi zgjedhja që bëjnë është e shpejtë. Gjithashtu, përfaqësuesit e “Jakamen” shtojnë që, sa i përket sektorit të stilit elegant dhe klasik në Shqipëri, preferohet gjithnjë e më tepër nga meshkujt.

Sipas përfaqësuesve të disa emrave që operojnë në Shqipëri, si “Roger Tirana”, që ka marka si “Vero Moda”, “Kocca”, “Hilfiger”, “Jack and Jones” etj., ndonëse në vendin tonë qëndron ende mentaliteti për autenticitetin e firmave, meshkujt janë padyshim blerës kryesorë.
Një karakteristikë e tregut shqiptar të veshjeve, sipas përfaqësuesve të qendrës tregtare “Ring Center”, ka të bëjë me faktin se janë femrat më shumë në numër që vizitojnë një qendër tregtare, por janë meshkujt ata që blejnë më shumë. E blerësit më të mirë janë ata të moshës nga 25 vjeç deri në 45 vjeç.

Femrat janë padyshim ato që kërkojnë të jenë më të veçanta me veshjen e tyre dhe u drejtohen stilistëve, për të pasur veshje ‘posaçërisht’ për to. Por tendenca ka ndryshuar. Joni Peçi është një nga shembujt e stilistëve shqiptarë, që solli qasje edhe për meshkujt. Joni Peçi prezantoi për herë të parë linjën për meshkuj ‘Joni Peçi Man Couture’, në vitin 2016 dhe kërkesat kanë qenë në rritje.

Sipas tij, janë kryesisht meshkujt e moshës 30-50 vjeç që preferojnë veshjet e stiluara. Megjithatë, me kalimin e viteve ka ndryshuar dhe thuajse ka rënë miti i gjinisë për porosi veshjesh. Tanimë, shton Joni, ngjarjet familjare apo edhe dasmat, janë arsyet kryesore që nxisin meshkujt që të porosisin veshje, kryesisht kostume dhe kjo ishte një tjetër arsye që në nisje të 2020-s ai shpalli planin e tij për të hapur një linjë këpucësh për meshkuj.

Pozitive vlerësohet ecuria edhe për një tjetër grup të rëndësishëm që operon me veshje të njohura, markash, si “Mango”, “Geox”, “Springfield”, “Koton” etj. Ornela Kastrioti, menaxhere marketingu pranë “Fashion Group”, në TEG dhe QTU, thotë se ecuria e markave të veshjeve për meshkuj ka qenë e mirë vitet e fundit dhe po ndryshon realisht hendeku i blerësve meshkuj-femra.

“Shqiptarët duan luksin dhe markat e forta”

Era Xhabafti, Partner në Boggi Minalo, markës italiane e veshjeve për burra thotë se ajo që ne po përjetojmë është se tendencat e modës në veshje për meshkuj po ndryshojnë. “Ne pamë që po zvogëlohet në mënyrë progresive numri i klientëve që hyjnë në dyqan duke kërkuar veshje formale, pasi preferojnë të vishen në një stil formal, por të lehtë. Për të ndjekur këtë trend gjatë sezonit aktual, ne po prezantojmë në asortimentin tonë disa linja të reja si linja B-Jersey (që vijnë në jetë nga fijet elastike të cilësisë premium dhe tradita sartoriale: një seri copash në fanellë të rehatshme, që përshtaten në trup), linja B-Washable (e krijuar për të përmbushur nevojën në rritje për jetën e përditshme dhe praktike) dhe linjën B-Tech (pjesë shumë performuese të cilat interpretojnë traditën sartoriale dhe sigurojnë lirinë e lëvizjes)”.

Ajo shton se shqiptarët e duan luksin, por më e rëndësishmja se ata i duan markat e forta. Në një treg plot me mallra pa markë dhe dyqane pa një identitet të fortë, shqiptarët priren të zgjedhin marka të forta dhe veçanërisht marka italiane, me një traditë dhe një trashëgimi pas.

 

Botë

Për ata që kanë ndjekur rritjen e veshjeve për meshkuj, lajmet mund të tingëllojnë disi të njohura. Rreth vitit 2009, rritja e veshjeve për meshkuj kishte filluar të humbte terren, megjithëse shifrat e “Euromonitor” tregojnë se veshjet e grave gjithashtu patën tkurrje, duke u ndikuar edhe nga kriza e nisur në vitin 2008.

Por arsyet që nxisin rritjen e veshjeve të burrave kanë ndryshuar. Stilet si veshja e punës e fillimit të viteve 2000, së bashku me veshjet e personalizuara, u pasuan më vonë nga një stil më i thjeshtë, e cila filloi si një konfederatë globale e markave, me një prirje për kulturën hip-hop, ndërsa vitet e fundit u kthye sërish në rimishërimin e modës luksoze.

Siç raporton “Reuters”, stili i thjeshtë i meshkujve dhe kalimi i përgjithshëm në veshje më të rastësishme, kanë nxitur rritjen e sektorit të veshjeve të burrave, përfshirë edhe atë të arenës luksoze. “Ka kërkesë të madhe në të gjithë industrinë e modës për burra, në të gjitha format dhe format e saj, dhe që vjen pjesërisht nga një klientelë e re. Ne e shohim shumë qartë në shitje”, pohon Sidney Toledano, CEO i grupit luksoz LVMH. Në Javën e Modës në Paris, kohët e fundit, stilisti i lidhur me rrobat e rrugës, Virgil Abloh tregoi koleksionin e tij të parë të veshjeve për meshkuj “Louis Vuitton”, ndërsa atletet ishin në të gjithë pistat, në shfaqje të tilla si “Dior” dhe “Sacai”.

Raporti

Veshjet e meshkujve do të tejkalojnë sektorin e veshjeve të grave në të gjithë botën deri në vitin 2020, sipas hulumtimit të “Euromonitor International”. Me një kontribut prej afro 380 mld dollarë në tregun botëror të veshjeve dhe këpucëve deri në fund të dy viteve të ardhshme, veshjet për meshkuj po rriten më shpejt sesa veshjet e grave. Tregu parashikohet të zhvillohet 2.3% globalisht deri në vitin 2020 në krahasim me nivelin e rritjes 2.2% për veshje femra.

Kur të mbyllet viti 2020, veshja për meshkuj pritet të arrijë një vlerë prej 16.3 miliardë sterlina në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa tregu i veshjeve të grave parashikohet të bjerë në mbarë vendin me 0.2% brenda 24 muajve të ardhshëm. Por çfarë sjell kjo tendencë në veshje për meshkuj dhe çfarë mund të thotë kjo për modën mashkullore të së ardhmes? Pse sektori i veshjeve për meshkuj pritet të rritet?

Ekzistojnë disa arsye pas zhvillimit në tregun e veshjeve për meshkuj. Së pari, a do të mund të ishte një arsye që burrat thjesht janë bërë më të orientuar drejt stilit? Në lidhje me një pjesë veçanërisht të popullarizuar të veshjeve me xhins dhe analistëve të këpucëve, në “Euromonitor International”, Bernadette Kissane, tha: “Kur bëhet fjalë për xhinse, burrat në Mbretërinë e Bashkuar tradicionalisht kanë blerë në cilësi të qëndrueshme dhe jo me vlerë të modës së shpejtë, por rritja e fortë e xhinseve i sheh burrat gjithashtu të ndikuar nga tendencat e ndryshimit të shpejtë dhe dëshira për një larmi xhinsesh me stile të ndryshme.”

Statistikat duket se mbështesin këtë ide. Me sa duket, pothuajse 60% e burrave ranë dakord që ndiheshin ‘më tërheqës’ kur ishin të stiluar, ndërsa afro 21% thanë që mendojnë se një mashkull duhet të ‘kujdeset për pamjen e tij’, sipas një raporti për veshje për meshkuj në Mbretërinë e Bashkuar për vitin 2017 nga UK Mintel.

Në mënyrë të ngjashme, rritja në tregun e veshjeve për meshkuj është inkurajuar nga përgjigjja e shpejtë e industrisë ndaj ndryshimit të tendencave. Analistja e lartë e modës në “Mintel”, Tamara Sender, tha: “Më shumë shitës me pakicë dhe marka kanë hyrë në tregun në rritje të veshjeve për meshkuj, duke zgjeruar ofertën e veshjeve të burrave, si dhe duke lëshuar dyqane dhe faqe interneti të veçanta kushtuar modës së burrave. Ndërsa më shumë shitës me pakicë po hyjnë në tregun e veshjeve për meshkuj, burrat përballen me zgjedhje më të madhe të produkteve dhe stileve”.

Rritja e blerjeve në internet gjithashtu ka kontribuar që më shumë burra të blejnë rroba, pasi rreth një e katërta e burrave thanë që ata do të donin t’i merrnin rrobat e tyre direkt nga një faqe e mediave sociale. Duke treguar një përfundim të ngjashëm, një studim nga “Business Insider Intelligence” zbuloi se 40% e pjesëmarrësve burra thanë se “do të blinin gjithçka në internet”. Studimet sugjerojnë se, një kombinim i moshës, teknologjisë dhe vetëdijes së modës është shkaku i rritjes së shpejtë në tregun e veshjeve për meshkuj.

Tregu në transformim

Sipas studimit të “Bain & Company”, tregu i mallrave të luksit është në transformim. Porositë në internet janë në rritje, ndërsa shitjet në qendra tregtare shënojnë rënie. Ndërkohë janë të preferuara dyqanet e hapura nga vetë markat e njohura. Nga ana tjetër, shumë prej “markave tradicionale” u është dashur të rishikojnë strategjitë e marketingut për të qenë edhe më tej të suksesshëm, thekson Josef Ming. Për shkak të pavarësisë ekonomike në të gjithë botën është në rritje numri i grave, që depërtojnë në territorin tradicional mashkullor të artikujve “luksozë”, si veshje luksi apo orë të shtrenjta. Ndërkohë që meshkujt po i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje temës së modës dhe dizajnit. Sipas studimit, kjo ka të bëjë edhe me faktin që produktet e markave të njohura sot vishen më shpesh dhe jo si më parë, vetëm në raste të veçanta.

Meshkujt në vëmendje

Sipas studimit të 16-të të “Bain” publikuar vitin e shkuar, ndërsa bumi i shitjeve të mallrave luksoze kryesohet kryesisht nga rritja ekonomike në Kinë, kërkesa për sende luksoze personale po rritet gjithashtu në të gjithë botën. Japonia, Evropa dhe SHBA-të janë tregjet e njohura për shitësit me pakicë luksoze, duke u rritur përkatësisht me 4 për qind, 6 për qind dhe 2 për qind. Vlen të përmendet se turizmi pati një rol të rëndësishëm.

Në nivel global, pjesa e mallrave personale luksoze të blera nga shtetasit kinezë arriti në 32 për qind në vitin 2017. Studimi u përqendrua kryesisht në brezin e të rinjve si një faktor demografik kyç, por edhe në “mijëvjeçarizimin” e blerësve luksozë, duke iu referuar një mentaliteti të ndryshueshëm të konsumatorit. Përveç të rinjve, Gjeneratës Z dhe burrave, që po rrisin blerjet, gjithashtu markat po marrin vëmendje, duke u përshtatur me ndryshimin e profileve të klientit.

Veshjet e meshkujve janë bërë një zonë fokusi për markat e modës të nivelit të lartë. Konglomeratet si LVMH (përfshirë markat Louis Vuitton, Bulgari, dhe Dior, ndër të tjera) dhe “Kering” (përfshirë të ngjashmet e Guçi, Yves Saint Laurent, dhe Girard-Perregaux) kanë përqendruar përpjekjet e marketingut në modën e burrave. “Louis Vuitton”, për shembull, po eksploron rrobat e stilit të lirë dhe pak formalë.
Për më tepër, për t’u bërë thirrje grupeve të të rinjve, shumë marka luksoze kanë zgjeruar linjat e tyre të produkteve, duke përfshirë këpucë, bluza me kapuç, çanta, bluza dhe sende të tjera më të përballueshme./monitor.al