.

Është puç vetëm në botën paralele të Ilirit

Nga Carlo Bollino

Nuk e dimë se cili do të jetë dekreti misterioz ”anti-puç”, që Ilir Meta premton për 2 marsin, por dimë që tani se Kreu i Shtetit e ka humbur legjitimitetin dhe besueshmërinë për ta firmosur atë. Thirrja e një tubimi në shesh kundër qeverisë shkel Nenin 86 të Kushtetutës, që detyron Presidentin e Republikës të përfaqësojë unitetin e popullit.

Në kundërshtim me logjikën, sipas së cilës puçistët zakonisht janë një pakicë, të cilët, nga opozita përmbysin pushtetin duke përdorur forcën, Presidenti i Republikës akuzon për grusht shteti mazhorancën, e cila është tashmë në pushtet pasi ka fituar zgjedhjet. Ky grusht shteti mbrapsht, në realitet, ekziston vetëm në botën paralele në të cilën Ilir Meta është kthyer të jetojë pas një vizite të shkurtër në tokë, në javët që pasuan tërmetin.

Meta është sërish në krye të botës së tij virtuale, në të cilën u votua më 13 tetor, ku parashikohen tërmetet, ku Parlamenti do të digjej, ku ambasadorët kërcënojnë dhe bëjnë komplote, ku institucionet ndërkombëtare janë në duar të bandave kriminale dhe ku LSI në zgjedhjet e vitit 2017 u bë forca e parë politike dhe fitoi më shumë se 50 mandate.

Në botën virtuale të Ilirit dekretet nuk shërbejnë për të rregulluar jetën e vendit, por për ta kërcënuar dhe, në vend që të publikohen në Fletoren Zyrtare, shpallen paraprakisht në televizion me tone kërcënuese pa zbuluar përmbajtjen e tyre, pikërisht ashtu sikurse ka bërë në nëntor me një video misterioze kundër Dvoranit, e cila, në të vërtetë, nuk u pa kurrë. Në planetin ku jeton tani Iliri, Presidenti i Republikës vesh parzmoren e Skënderbeut, është kryetar i një force politike dhe thërret opozitën, duke e urdhëruar të dalë në shesh në krah të tij, duke sjellë të paktën 10.000 militantë, të cilët, nëse Basha do t’i kishte ende në dispozicion, protestën do ta kishte bërë vetë, pa patur nevojë të priste atë që thërrasin të tjerë.

Por planeti i drejtuar nga Presidenti ynë është një planet tashmë i shkretë. Madje edhe Lulzim Basha, tanimë i zgjuar nga gjumi i arsyes që zgjati saktësisht një vit, e kupton se një javë pas një konference botërore, e cila i beson Edi Ramës një shumë prej 1.15 miliard eurosh, nuk ka asnjë kuptim të organizosh një protestë duke e akuzuar si puçist. Dhe e kupton që, ndërsa 10.000 shqiptarë ende banojnë nëpër çadra dhe vendi ende është në gjendje emergjence për shkak të tërmetit tragjik të 26 nëntorit, të kthehesh në shesh për të sfiduar shtetin dhe policinë është një akt i papërgjegjshëm politikisht.

Ndërkohë, të largosh vëmendjen e policisë, e cila për herë të parë është angazhuar të luftojë pasuritë e krimit, duke e detyruar të luftojë me molotovët e Presidentit, është një vetëvrasje politike, përveçse edhe e dyshimtë. Pasi ky “escalation” i papritur politik pikërisht të nesërmen e nisjes nga puna të OFL-së nuk kuptohet nëse është vetëm një koincidencë.

Por, mbi të gjitha, ndryshe nga Ilir Meta, Lulzim Basha, i cili e dorëzoi të gjithë pushtetin sipas parimit fëmijnor “sa më keq, aq më mirë”, duket të ketë kuptuar më në fund se e vetmja mënyrë për t’u rikthyer në pushtet është të bindësh shumicën e vendit që ta ndjekë dhe se për të hyrë përsëri në institucione duhet të arrish të kapërcesh si fitimtar të vetmen portë hyrëse që njeh bota demokratike: zgjedhjet e lira. Strategjia e molotovëve dhe e sheshit ka dështuar dhe, sikurse thoshte një poet rus, në një terren tashmë të djegur, zjarri nuk përhapet më.

Ja pse Ilir Meta tashme eshte vetëm. Përveç tij dhe Tit Vasilit, në atë botë virtuale ka mbetur e jeton Sali Berisha, i pushtuar nga deliri i tij patetik dixhital, konfuz edhe për rolin që duhet të luajë: pasi nuk e di më nëse do të jetë një ish-lider që vijon të ëndërrojë revoltën popullore e cila nuk shpërthen, apo një ish-botues i falimentuar, i cili beson se mund të ndikojë akoma zhvillimin e ngjarjeve duke u vënë biznesmenëve gjoba, që nuk trembin tanimë askënd. Ose thjesht nje plak qe pasi pretendon se i ka sherbyer popullit per 25 vite, i ka mbetur nje supervile me 7 oxhake buze detit, nje djale qe shtetit cdo muaj mes luksit neper bote, dhe nje dhenderr qe eshte i vetmi ne gjithe fisin e tij te madh qe papritur ka trasheguar miliarda.

Për fat të mirë, ashtu sikurse ka treguar historia, jeta vazhdon edhe pa ta dhe pavarësisht nga ata. Probleme në vend ka dhe janë ende të shumta, por pas pak më shumë se një viti do të ketë votime, me një makineri të reformuar elektorale që shpresohet se më në fund do të jetë e pavarur nga partitë dhe ai do të jetë momenti për të testuar opinionin e popullit: në rast se gabimet e bëra nga Edi Rama do të gjykohen se janë më të rënda nga meritat e tij, qeveria do të ikë dhe do të zëvendësohet nga një forcë e re politike, e cila do të mund të ndryshojë ligjet që do të konsiderohen si të gabuara. Kështu funksionon demokracia.

Por, ndërkohë, institucionet e reja të drejtësisë po marrin formë dhe forcë, lufta kundër krimit të organizuar duket se me ne fund është ngjitur në vendin e parë në listën e përparësive, komuniteti ndërkombëtar është krejtësisht përkrah shqiptarëve, mazhoranca dhe opozita tashme janë ulur në tryezën e reformës zgjedhore dhe hapja e negociatave me Bashkimin Evropian duket se është më në fund e afërt. Dikush le ta informojë Ilir Metën për këto lajme të mira. Por jo, nuk ka nevojë: pikërisht nga fakti se sapo ka shpallur revolucionin në shesh, kuptohet që këto lajme tashmë ai i ka marrë.