.

Eurodeputetja nxjerr tjetër pretendim për bllokimin e zgjerimit: Hyrja në BE, nuk i distancon nga Rusia

Gazetari i DW, Tim Sebastian intervistoi eurodeputeten franceze Nathalie Loiseau e mes të tjerash u ndal dhe tek çështja e zgjerimit të BE-së. Sebastian citoi presidentin Macron, i cili i kërkoi Europës në muajin gusht në Paris që të “riinvestojë gjeografikisht në Ballkanin Perëndimor”, duke paralajmëruar se nëse Europa nuk e bën këtë atëherë „fati i rajonit mund të vendoset nga SHBA, Rusia dhe Turqia”.

Por dy muaj më vonë, thotë gazetari I njohur, Macroni i bllokoi këto vende, duke vonuar futjen e tyre në BE. “Kjo është kontradiktore. Ju nuk mundeni që, nga njëra anë ta mbroni Ballkanin Perëndimor nga fuqitë e tjera që janë duke u interesuar për të nga dhe nga ana tjetër, të mos e lini që të pranohet,” u shpreh ai. Loiseau filloi të përgjigjet duke u nisur me Serbinë: “Shihni Serbinë. Serbia dukej të ishte në proces të suksesshëm. Por, a u distancua Serbia nga Rusia? Asnjë sekondë.”

Ajo shtron në vazhdim pyetjen: “A mendoni se bisedimet e pranimit në BE janë receta e duhur për t’i bërë vendet që të distancohen nga Rusia? Shihni Hungarinë. Nuk funksionoi. Ne duhet të korrigjojmë të gjithë procesin e bisedimeve të hyrjes, sepse nuk është duke funksionuar. Të mbyllim sytë dhe të bëjmë sikur kemi politika, kur kemi vetëm burokracira?”, pyet ish-ministrja duke theksuar, se çështja e zgjerimit të BE me Ballkanin Perëndimor është çështje shumë serioze dhe nuk duhet lënë në duart e burokratëve. “Ajo ç’ka i kërkojmë ne vendeve është përgjegjësia që duhet të kenë në vendosjen e ligjit, luftën kundër korrupsionit, luftë kundër krimit të organizuar,” thotë Loiseau.

Tim Sebastian këmbëngul duke përmendur raportin e Këshillit të Europës për marrëdhëniet me jashtë, anëtare e së cilës është edhe Nathalie Loiseau, publikuar në janar 2020. Sipas tij, “Vetoja e Francës kundër fillimit të bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ka ndryshuar shumë përmbajtjen e zgjidhjes së problemeve bilaterale në Ballkanin Perëndimor”.

Loiseau përsërit edhe një herë: “Shihni Serbinë. Ajo është në proces, është duke zhvilluar negociata. Janë duke hapur e mbyllur kapituj. Duke qenë afër me Rusinë, më shumë kurrë më parë. Diçka nuk është duke funksionuar.

Disa njerëz kanë vendosur mos ta shohin një gjë të tillë. Ne kemi vendosur t’i vëmë pikat mbi “i” .Ish-ministrja franceze, anëtare e partisë “La République En Marche”, partia “Për një republikë funksionuese”, këmbëngul se pranimi në BE: “..Nuk është çështje sloganesh. Nuk është se duam të jemi të mirë dhe shkojmë të bëjmë biznese me disa vende. Puna është se ne duam që vendet të përgatiten për tu futur në BE. Të mos dështojnë dhe të venë në rrezik projektin BE”.