.

Albtelecom sjell për herë të parë mësimim përmes realitetit Virtual në shkolla

Tashmë jetojmë në epokën e teknologjisë, ku përdorimi i tableteve,laptopëve dhe smartfoneve është një realitet i natyrshëm, sidomos për brezin e ri. Për të orientuar përdorimin e teknologjisë në funksion të edukimit, ALBtelecom ka iniciuar për herë të parë në Shqipëri përdorimin e orëve praktike mësimore përmes realitetit virtual.
ALBtelecom me nismën më të re “Edukimi nëpërmjet Realitetit Virtual”, synon të angazhojë nxënësit më gjerësisht, duke i treguar atyre se teknologjia mund të shfrytëzohet më së miri për edukim.

“Ne synojmë t’ju tregojmë të rinjve që ka një potencial të jashtëzakonshëm tek interneti dhe teknologjia nëse e përdorin në funksion të dijeve, mësimit në shkollë dhe jo vetëm për lojrat që na rezulton që janë të preferuarat e brezit të ri.” – tha Jonilda Filipi, Drejtoresha e Çështjeve të Korporatës pranë ALBtelecom.

 

Nëpërmjet kësaj nisme, ALBtelecom i mundëson nxënësve të shkollave 9-vjeçare të Tiranës të përjetojnë realitetin virtual si një mjet cilësor arsimor, i cili synon të pasurojë përvojat e tyre të të nxënit. Gjatë kohëzgjatjes së këtij projekti, nxënësit do të jenë në gjendje të kenë përvoja mësimore më kuptimplota dhe eksperimentale.

“Përmes këtij programi synojmë të sjellim në mënyrë më të thjeshtë dhe efiçente lëndët e mësimit në disa fusha të shkencës, por mbi të gjitha të inkurajojmë përdorimin e teknologjisë në funksion të edukimit” – shtoi Filipi.

ALBtelecom do të ndihmojë shkollat 9-vjeçare për të mundësuar disa orë praktike të lëndëve të ndryshme si biologjia, fizika, kimia, historia me ndihmën e teknologjisë tre dimensionale.
Falë kësaj nisme, nxënësit mund të dëshmojnë vetë se çfarë ndodhi në histori, të shohin në kushtet e realitetit virtual trupin e njeriut dhe të provojnë përvoja të reja të të mësuarit nga një këndvështrim tjetër shumë herë më praktik. Ata do të jenë në gjendje të udhëtojnë në kohë dhe hapësirë, të shkojnë kudo, të kthehen në të kaluarën ose të zbulojnë misteret e së ardhmes.
Të qenit të aftë për të vizualizuar atë që ata po mësojnë nga një këndvështrim tjetër, në një pamje tre dimensionale, u lejon atyre të shijojnë më mirë kohën e tyre të mësimit.

ALBtelecom në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sportit ka sjellë në shkolla një teknologji novatore, të projektuar për të ndihmuar në rritjen e angazhimit dhe thellimin e njohurive në mënyrë produktive, por njëkohësisht edhe argëtuese për nxënësit.