.

PROFIL/ Harry dhe Meghan, arratisja qindra milionë dollarëshe e mbretërorëve

Princ Harry dhe bashkëshortja e tij Meghan, kanë shtangur botën këtë javë, kur deklaruan se do të heqin dorë nga dera dhe privilegjet e mbretërisë më të fuqishme në planet, duke shkaktuar jo pak debate. Ajo që për shumë kënd është ëndrra më romantike, të jetë pjesë e Buckingham Palace, është flakur tutje nga trashëgimtari i fronit dhe gruaja e tij, krejt papritur. Harry dhe Meghan kanë sjellë një krisje në një prej institucioneve më konservatore të botës. Shenjat e para të një sjellje përtej protokollit strikt ishin dhënë nga aktorja e Hollivudit, qysh se shkeli për herë të parë në kështjellat mbretërore në Angli.
Tashmë “plangprishësit” e kanë bërë zyrtare, duke i dhënë kështu një goditje të fortë mbretërisë angleze, e cila prej kohësh debatohet dhe e ka ndarë përgjysëm opinionin publik në Mbretërinë e Bashkuar, ku gjysma mendojnë se ajo nuk ka vlerë dhe u kushton shumë anglezëve, ndërkohë që gjysma tjetër e mbrojnë me fanatizëm si simbolin e veçantë të kombit.

Vendimi i befasishëm i Princ Harry dhe Meghan Markle, për t’u shkëputur njëherë e mirë nga familja mbretërore, duket se është një arratisje tejet e planifikuar. Të paktën kështu është lënë të kuptohet nga lëvizjet e tyre më të fundit. Mediat në Britani, kanë zbuluar se më shumë se 100 artikuj të markës së tyre, Sussex Royal, të shitura rreth 6 muaj më parë, përfshirë lapsa, çorape, janë parë si një tentativë mjaft inteligjente nga ana e çiftit për të ndjekur mundësi fitimprurëse të biznesit.
Me një web-faqe të re dhe “të përkulur”, në mënyrë që të ndërtohet rruga e pavarësisë financiare, sikurse edhe me një pasuri e vlerësuar 44 milionë dollarë, kjo nga fitimet e Dukeshës së Sussex-it në televizion dhe nga një trashmëgimi prej nënës së princit, çifti mund të jetë po ashtu i lirë të ndjekë marrëveshje librash, marrëveshje televizive, e po ashtu, partneritet me botën e modës.

Eksperti amerikan i shitjes me pakicë, Andy Barr, deklaroi për gazetën Daily Mail se perandoria e produkteve globale të princ Harryt dhe Meghan Markle ka premisa të gjenerojë të ardhura prej rreth 500 milionë dollarë. “Ata po tregtojnë në mënyrë efektive, duke përdorur përcaktimin “mbretërorë”, pavarësisht se është lëvizje ironike, duke marrë parasysh se po përpiqen të shpëtojnë pikërisht nga kthetrat e mbretërisë”-ka thënë Barr.

Shtatorin e kaluar, Meghan njoftoi se ishte duke u bashkuar me stilisten e modes, Misha Nonoo për të krijuar një koleksion veshjesh për të gjitha gratë e papuna në Mbretërinë e Bashkuar, duke përfituar nga bamirësia e të punësuarave. Çifti, i cili solli në jetë për të parën herë në historinë mbretërore një fëmijë me prejardhje afro-amerikane, kjo prej rrënjëve të Meghan, (mamaja e saj
është afrikane) duket se po ndjek gjurmët e aktorit hollivudian George Clooney, i cili ngriti dhe shiti një markë tekila, për 1 bilion dollarë. Por, se çfarë jete parashikojnë në të vërtetë Harry dhe Meghan, mbetet për t’u diskutuar. Kanadaja, e shtrirë brenda Commonwealth, mund të duket për to një opsion më i mirë se New Yorku. Jo më larg se mëngjesin e djeshëm, New York Post e
imagjinoi çiftin në një apartament banimi. Qesharake, për dikë që ka jetuar gjithë jetën në kështjella gjigante dhe madhështore, apo jo? “Duhet të përqendrohem tek kush jam unë dhe se çfarë më emocionon”-kështu është shprehur princ Harry. Por,a mund ta shohë një botë e tërë përtej titullit dhe fuqisë së tij të trashëguar, ashtu sikurse është pikasur Meghan Markle për talentin e saj në aktrim?

Mapo.al