.

Apartamentet stok, zgjidhja që u propozua në Open dhe u “përqafua” nga Kryeministri Rama

Mijëra banesa janë kthyer të pabanueshme për shkak të tërmetit që goditi 3 qarqe: Tiranën, Durrësin dhe Lezhën.
Qeveria ka bërë marrëveshje me hotelet për strehimin e të prekurve nga tërmeti, por kjo është vetëm një zgjidhje emergjente.
Në këtë kauzë të krijuar ku mijëra banorë janë vërsulur qendrave të emergjencës për tu strehuar, ka një zgjidhje të shpejtë dhe me pak kosto.
Sipas INSTAT, në Tiranë, Durrës, Sarandë dhe Lezhë ka mbi 50 mijë banesa të pashitura nga biznesi.Kriza ekonomike i ka vënë në vështirësi këta biznesmenë, të cilët nuk kanë mund t’i shesin apartamentet e ndërtuara prej vitesh.

Do të mjaftonte vetëm një ligj special për të bërë të mundur, blerjen e apartamenteve stok me koston e ndërtimit.
Nëse i referohemi kostos së ndërtimit, këto apartamente shiten me 300-500 euro m2.Për një familje me 4 persona është i nevojshëm një apartament me 100 m2 që shkon rreth 30 mijë euro.
Sipas një bilanci të deritanishëm në total, nevojiten rreth 4 mijë apartamente, vlera e tyre mund të shkojë deri ne 120 mln euro.
Pra kjo është një zgjidhje që i jep hov dhe ekonomisë së vendit.Së pari të dëmtuarit e tërmetit, hyjnë në një banesë të re që përpara Vitit të Ri dhe e dyta: biznesmenët që janë fundosur në kredi, mund të shesin me kosto ndërtimi këto apartamente.

Në tërmetin e datës 21 shtator që dëmtoi këto banesa, qeveria u angazhua për ndërtimin e banesave të reja, por vetëm para pak ditësh, u hap tenderi për ndërtimin e tyre nga kompani shqiptare, një procedurë që mund të zgjasë deri në 6 muaj.
Ndërkohë me blerjen e apartamenteve stok, kjo zgjidhje është e menjëhershme.Nuk ka dyshime për abuzime me fondet dhe nuk shtohen kostot për qëndrimin në hotel të mijëra familjeve.