.

Dhunohet transgjinorja Anxhela në Tiranë! Presidenti Meta dënon sulmin


Anëtarja e njohur e komunitetit transgjinor në Shqipëri, Anxhela H., është përndjekur dhunuar nga disa persona të paidentifikuar.

Lajmi është bërë i ditur nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, sipas të cilit, shkak për këtë sulm është bërë pjesëmarrja e saj në paradën e fundit të lesbikeve në Tiranë.

“Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dënon me ashpërsi sulmin fizik e psikologjik ushtruar ndaj Anxhela H., pjesë e komunitetit transgjinor në Shqipëri. Nga raportimet e para mësohet se pjesëtarja e komunitetit transgjinor është përndjekur dhe sulmuar, duke u targetuar për marrjen pjesë në paradën e fundit të lezbikeve në Tiranë.

Komisioneri Dr. Gajda nxit Policinë e Shtetit dhe prokurorinë e Tiranës të marrin masa për të identifikuar personat që kryen aktin e pashembullt të dhunimit, diskriminimit dhe përndjekjes së Anxhelës.

Aktet e dhunës, diskrimiminimit dhe krimet e urrejtjes ndaj komunitetit transgjinor, çdo komuniteti tjetër apo grupi vulnerabël është e papranueshme në një shoqëri demokratike që aspiron standarte të larta të respektimit të të drejtave Njerëzore”, shkruan Komisioneri për Mbrojetjen nga Diskriminimi.

Sulmi është dënuar edhe nga ambasada e Holandës në Tiranë, e cila u ka bërë thirrje autoriteteve që të marrin masat e duhura.

“Të shokuar nga ky akt dhune kundër një anëtare të komunitetit transgjinor në Shqipëri, Ambasada Holandeze mbështet deklaratën e Komisionerit per Mbrojtjen nga Diskriminimi që dënon sulmin dhe u bën thirrje autoriteteve ligj zbatuese të marrin masat e duhura. Gjithsecili duhet të jetë i lire të jetë vetvetja dhe të dashurojë këdo që dëshiron”, shkruan ambasada e Holandës në Tiranë.

Edhe kreu i shtetit Meta ka reaguar në lidhje me sulmin ndaj transgjinores Anxhela, duke u kërkuar autoriteteve që të marrin masat dhe të nxjerrin para drejtësisë autorët e sulmit.

“E dënueshme dhuna kundër një anëtareje të komunitetit LGBTI në Shqipëri. I bëj thirrje autoriteteve ligjzbatuese të marrin masat e duhura për zbardhjen e këtij sulmi burracak dhe nxjerrjen para drejtësisë së autorëve”, shkruan Meta.