.

Dënimi i Tahirit, orët deçizive të vendimit, analiza, fakte dhe prononcime ekskluzive nga aktorët. Gjithçka që ndodhi mbrëmë në Open.

Ditën e enjte e gjithë vëmendja e opinionit publik u fokusua edhe një herë tek ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Pas një seance maratonë, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi ta dënojë me 5 vite burgim Tahirin por duke qenë se ai kishte pranuar më parë gjykimin e shkurtuar, atëherë dënimi sipas vendimit, konvertohet në 3 vite e 4 muaj shërbim prove.

Lajmi per vendimin ndaj ish Ministrit u dha në kohë reale në emisionin Open në Top Channel ku gazetarë, analistë, juristë dhe politikanë po diskutonin pikërisht për këtë çështje.

Emocionet e para pas vendimit Saimir Tahiri i dha për emisionin Open ku u përplas me gazetarin Andi Bushati. Tahiri tha se “as nuk qan dhe as nuk qesh dot nga vendimi”.

Ish kreu i Aleancës Kuq e Zi Kreshnik Spahiu deklaroi se ky proces gjyqësor është historik pasi për herë të parë në historinë e drejtësisë shqiptare gjykohet një pushtetar i rëndësishëm. Politikisht, sipas Spahiut arrestimi i Tahirit nuk i intereson as Partisë Socialiste dhe as Partisë Demokratike.

Avokati Adriatik Lapaj tha se ky vendim për Prokurorinë është një dështim spektakolar ndërsa Saimir Tahirin e lë jashtë politikës por edhe jashtë burgut.

Përpara se te jepej vendimi final, Andi Bushati ngriti shqetësimin mos bëhej një drejtësi për të bërë “koka turku” dhe jo një drejktësi reale. Ç’punë ka një ambasador Amerikan që të tregojë vijat e hetimit tha Bushati (duke ju referuar ndërhyrjeve të ish Ambasadorit Amerikan Donald Lu).

Ndërsa Gazetari Basir Çollaku për të treguar se hetimet nuk janë bërë të plota zbuloi për herë të parë një video disa sekondëshe në Open ku tregohen momentet para ndalimit të biznesmenit Orest Sota në oborrin e kompanisë “Kurum”, ngjarje e ndodhur në 1 nëntor 2017. Gjatë kontrollit biznesmenit iu gjetën 863 mijë euro si dhe patentat e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit dhe bashkëshortes së tij. Prokuroria dyshonte fillimisht se paratë e gjetura në makinën e Sotës i përkisnin ish-ministrit të Brendshëm, Tahiri.

Teksa shprehu bindjen për pafajësinë e klientit te tij, Avokati Maks Haxhia dekriptoi mesazhet e Saimir Tahirit në sallën e gjyqit.

Emisionin e plotë me temë “Saimir Tahiri” ku të ftuar ishin analistët Andi Bushati, Enton Abilekaj, Arion Sulo, Basir Collaku, ish kreu i Aleancës Kuq e Zi Kreshnik Spahiu dhe avokati Adriatik Lapaj mund ta ndiqni ne linkun e mëposhtëm.